Luftë me erën dhe përleshje, Oriku likuidon Burrelin
Oriku likuidon Burrelin. Bregdetarët e kishin “për jetë a vdekje” këtë ndeshje dhe ia dolën, ndonëse u luajt në kushte tejet të vështira atmosferike. Era që kapte shpejtësinë 16 metër për sekondë, që e llogaritur me tabelën e “Bafordit” shkonte në një mesatare 80 km në orë. E megjithatë, “show” dhe nervat nuk munguan. Qysh në minutat e para kur Joel shtyn një nga lojtarët vendës dhe ky moment ka përfshirë në sherr të gjithë futbollistët, teksa nuk kanë munguar sharjet dhe shtyrjet mes tyre. Gjyqtari Laver Alla kërkon nga lojtarët të qetësohen, duke i paralajmëruar për masa. Pas këtij momenti, zhbllokohen shifrat. Në të 7-ën një goditje perfekte dënimi e Karvahal shkon në rrjetë. 11 minuta më vonë, Burreli do të barazonte. Stana shërben për Kolecin, që kthen topin plot klas dhe e dërgon aty ku Muho vetëm e shoqëron me shikim. Edhe minutat në vijim do të ishin “luftë” me erën, por edhe me nervat. Farruku shtyn me shpatull Gjokën dhe më pas e gjuan me shkelm. Kaq ka mjaftuar për të pasur përsëri përleshje në grup. Ndërhyjnë stafet teknike dhe gjyqtari e kalon duke këshilluar lojtarët. Në nisje të pjesës së dytë, era do të ishte sërish protagoniste. Miqtë
kërkojnë me ngulm të shënojnë me Kolein, por Muho ia mohon golin. Burreli shton presionin, por lojtarët e Orikut mbrohen mirë. Në momentin më të mirë, miqtë goditen, teksa Jonel merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë skuadrën me 10 lojtarë. Përfitojnë orikasit që tre minuta më pas do të
shënonin golin e fitores. Zholi në zonë pason për Matues që mposht Birjën. Minutat e mbetura nuk do të ndryshonin gjë. Në fund të fundit, Muho i mohon një barazim të mundshëm Stanës. Oriku merr një trepikësh me shumë vlerë në shtëpi, për të vijuar rrugëtimin e mbijetesës. ERMAL SIKA