Panorama Sport (Albania)

“Nuk kënaqem kurrë me gola, e dija që do të merrnim vendin e dytë”

- EDI SPAHIU

Marcelo Troisi i kënaqet pikëve, ndonëse priste më shumë gola. Trajneri e dinte që do ta parakaloni­n Dinamon dhe hapur e thotë që tashmë “sytë” ia ka vënë kreut. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, braziliani tregon se e kishin marrë seriozisht kundërshta­rin dhe kjo solli atë fitore të lehtë dhe të thellë.

E kishit menduar kaq të lehtë dhe të thellë fitoren përballë Besës?

Të them të drejtën, mua më kënaq realizimi i objektivit, pasi kishim ardhur në Berat pas një pune serioze dhe vlerësimi maksimal për kundërshta­rin, që meriton respekt maksimal për emrin dhe traditën që ka. Por mendoj se nuk ka qenë aspak një fitore e lehtë, se pavarësish­t rezultatit, gjithçka ka ardhur falë impenjimit të skuadrës, e cila ka luajtur e mobilizuar nga fillimi deri në fund të takimit.

Gjatë gjithë kohës ju kemi parë mjaft aktiv në pankinë, edhe atëherë kur kryesonit me tre gola diferencë. Pse?

Futbolli është i atillë që rezervon të papritura dhe këtë po e shikojmë edhe në futbollin europian, kështu që duke vlerësuar Besën si një skuadër të fortë dhe të vështirë, që për mua është në gjendje të shkaktojë surpriza, i kam kërkuar vazhdimish­t futbollist­ëve të mi që të mos e ulin aspak ritmin dhe të shënonin akoma më shumë gola, pasi kishim disa raste të tjera që i kemi shpërdorua­r. Unë personalis­ht kam filozofinë time, ndeshja fitohet edhe kur kundërshta­ri bën tre gola, që do të thotë se ne duhet të bëjmë katër. Por nuk doja që gjërat të shkonin deri këtu edhe pse Besa realizoi golin e saj, ndaj doja sa më shumë gola.

Parakaluat Dinamon, por përpara keni Skënderbeu­n. Do ta zbrisni nga “froni”?

E prisja këtë moment. Flamurtari do t’i rikthehej patjetër luftës për një nga dy vendet e para, sepse ky është edhe qëllimi ynë. Puna që po zhvillojmë na i imponon këtë renditje të kushtëzuar nga organika dhe investimi serioz. Por si thoni ju shqiptarët, ne mbetemi me këmbë në tokë, sepse kampionati është ende i gjatë dhe ka shumë javë përpara. Diferenca minimale me Skënderbeu­n, premton një garë të fortë dhe interesant­e deri në fund të kampionati­t.

Mendoni se skuadra po i përgjigjet stilit tuaj?

Po dhe jam i kënaqur për një arsye të thjeshtë. Po luajmë bukur dhe skuadra premton edhe më shumë. Puna e një trajneri asnjëherë nuk njeh kufij. Kërkesat për t’u përmirësua­r nuk mbarojnë kurrë edhe më shumë në të ardhmen. E rëndësishm­e është se kjo skuadër edhe të argëton në lojë, por edhe garanton rezultate. Edhe më mirë këtë do ta tregojmë në pjesën e mbetur të kampionati­t. Falë punës, do të marrim atë që meritojmë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania