Panorama Sport (Albania)

Nga -8 në -18 pikë, Interit i rrëshqiti kreu për 53 ditë

-

Pas humbjes së mbërritur në Bolonja, u shuan edhe shpresat e tifozit më të çmendur të zikaltërve për titullin. Napoli tani marshon i qetë drejt kurorëzimi­t si kampion Italie, falë 18 pikëve diferencë me vendin e dytë të ndarë mes milanezëve. Me rikthimin e kampionati­t në janar, u duk se Interi mund të ishte rivali i "Axurrëve" për kreun, duke parë se në ndeshjen e parë të 2023-shit shkaktoi humbjen e parë skuadrës së Spaletit në Serinë A dhe shkurtoi distancën në 8 pikë. Në momentin më të mirë ama, atëherë kur u duk se gara për titullin u rihap, zikaltrit lanë shumë pikë rrugës deri në sfidën me Bolonjën. 53 ditë më pas hendeku është më shumë se i dyfishuar dhe ka shkuar në 18 pikë, jo vetëm falë ecurisë perfekte të Napolit, por mbi të gjitha si rezultat i mungesës së vazhdimësi­së së zikaltërve. Barazimi me Monzën, humbja ndaj Empolit, barazimi me Sampdorian dhe humbja e fundit përballë Bolonjës kanë bërë jo pak konfuzë të gjithë ambientin mbi arsyet e vërteta të kësaj gjendjeje të Interit.

LUHATJET - Cili është Interi i vërtetë? Është kjo pyetja e të gjithëve, duke marrë parasysh paraqitjet me dy fytyra të skuadrës së Inzagit. Formacioni i vetëm që arriti të mposhtë Napolin, ai që i dha leksion në Superkupë Milanit dhe më pas nuk e fali as në derbin e kampionati­t, e mbi të gjitha ai që bëri atë prezantim fantastik ndaj Portos, ka zhgënjyer ndaj atyre skuadrave që renditen në mesin e tabelës në Itali, me shembullin konkret që ishte transferta e "Dall'ara"-s. Një Inter i fikur, pa grintë dhe dukshëm inferiore në motivim dhe agresivite­t, në një ndeshje që vërtet nuk shërben më për titullin, por duhet të shërbente për të qëndruar i qetë në katër vendet e para. Milani i ka mbërritur tashmë në vendin e dytë dhe Lacio, Roma e Atalanta janë gjithmonë aty pranë, të gatshme për të përfituar, me Interin që tani duhet t'i bëjë llogaritë jo me ata që ndjek, por me ndjekësit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania