Panorama Sport (Albania)

Çinari: Pres ndeshje me gola, Kupa si mace e zezë për Partizanin

“Mala dhe Telushi vendimtarë, Vllaznia plot me cilësi”

- DENIS LALA

Eraldo Çinari është një nga ish-be niaminët e tifozëve të Partizanit dhe Vllaznisë, si dhe një nga lojtarët që mungojnë më së shumti në këtë sfidë. Gjithsesi, tashmë sulmuesi po ndjek karrierën e tij dhe është transferua­r te Shkëndija, ku arriti golin e parë në ndeshjen e dytë me kuqezinjtë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Çinari tregon rreth eksperienc­ës së tij të re, si dhe flet gjerë e gjatë për Partizanin dhe Vllazninë, të cilat ndeshen sot në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Sulmuesi shkodran shprehet se pret një ndeshje me gola.

Gjetët golin me Shkëndijën që në ndeshjen e dytë. Tani që u çliruat, cilat janë pritshmëri­të tuaja?

Në radhë të parë jam shumë i lumtur për arritjen e golit të shënuar pas gati një viti pritjeje. Pritshmëri­të e mia janë që të kontribuoj sa më shumë për klubin e Shkëndijës me golat e mi dhe të shkojmë sa më lart së bashku.

E shihni Shkëndijën si trampolinë­n perfekte për t’u kthyer në Europë apo si një vend ku ju mund të ngulni rrënjët tuaja dhe të bëheni pjesë e historisë së klubit?

Të them të drejtën, janë dy gjëra që ndërthuren së bashku dhe do të ishte shumë bukur t’i bëja të dyja. Dua të bëhem pjesë e historisë së Shkëndijës, të vendos rrënjët e mia dhe të lë një emër sa më të mirë. Por edhe e konsideroj si një trampolinë për të arritur akoma më lart, sepse dihet tashmë që Shkëndija është një mundësi e madhe për futbollist­ët për t’u transferua­r jashtë.

Mesa është folur në media,

kishit oferta në Superiore nga Vllaznia, Partizani, ndoshta edhe ndonjë klub tjetër. Përse zgjodhët Shkëndijën?

Është e vërtetë që kam pasur oferta nga klubet e Kategorisë Superiore, por projekti dhe ambiciet e Shkëndijës më bënë që të vij dhe të luaj në Tetovë.

Cilat janë ndryshimet mes futbollit shqiptar dhe atij maqedonas?

Unë kam luajtur vetëm dy ndeshje dhe nuk është se kam shumë përvojë në futbollin maqedonas, por mesa shoh, futbolli në Shqipëri

luhet më shumë taktikisht, ndërsa në Maqedoni ka individë më me teknikë dhe lojtarë, që mund të bëjnë diferencën teknikisht.

Çfarë ka diçka te Shkëndija, që klubet e Superiores duhet ta marrin si shembull dhe ta aplikojnë?

Pak a shumë Shkëndija ngjason me ekipe si Partizani apo Vllaznia, që janë serioze dhe në mbështetje të lojtarëve. Nuk shoh ndonjë ndrysim të madh. Mund të them se korrektësi­a në çdo element të mundshëm është diçka shumë e mirë, që e dallon Shkëndijën nga ekipet e tjera.

Si përjetohet futbolli në Tetovë?

Jam habitur. E kam ditur që kanë një tifozëri të mrekullues­hme, por ta përjetosh dhe ta dish janë dy gjëra shumë të ndryshme. Atë ditë në ndeshje, edhe pse tifozët ishin pak të mërzitur, sepse humbëm një derbi me Shkupin, ishin të shumtë në numër. Kjo më ka bërë habi dhe na kanë dhënë një mbështetje tepër të madhe.

Cili është përkufizim­i juaj i Partizanit të këtij sezoni?

Partizani nga janari e këtej ka ndryshuar, sepse ka një luhatje shumë të dukshme në rezultate dhe në lojë. Kjo për mendimin tim është diçka normale dhe e pritshme, sepse u janë larguar dy lojtarë kryesorë, Bitri dhe Skuka. Ishin pjesë e shëndoshë e ekipit dhe largimi i tyre ka prishur balancat në fushë. Derisa të konsolidoh­et ekipi dhe të mësohet me mungesën e këtyre lojtarëve, besoj se do ta ketë të vështirë. Të largohet qendra e mbrojtjes dhe pika e referimit në sulm në muajin janar është goditje e madhe. Gjithsesi, besoj se do t’ia dalin të rikthehen te fitoret dhe te loja e mirë. Largimi i Skukës ka pasur edhe anën pozitive, pasi është diçka e madhe që një klub shqiptar të shesë lojtarë me ato shifra.

Pra, ata janë ende pretendent­ë kryesorë për titullin?

Kjo nuk diskutohet, Partizani ka qenë gjithnjë dhe ka për të qenë pretendent­e për titullin kampion, sido që të jetë puna.

Partizani ka 19 vite që nuk e fiton Kupën. Mos e nënvlerëso­jnë pak në kampin e kuq këtë kompeticio­n?

Unë kam qenë vetë pjesë e Partizanit dhe mendoj se nuk e ka nënvlerësu­ar aspak këtë kompeticio­n, por sikur Kupa për Partizanin është si një mace e zezë. Në pjesën më të madhe të rasteve ka qenë fati që nuk i ka ndihmuar, siç vjet u eliminuan me penallti nga Vllaznia në gjysmëfina­le.

Nesër ndeshen dy skuadra ku ju keni lënë gjurmë. Si e prisni këtë përballje dhe sa e fortë do të jetë?

Për mua nesër është një përballje e dy prej ekipeve më me traditë dhe më të mira të futbollit shqiptar. Po e tregojnë edhe momentalis­ht që janë dy skuadra të forta dhe do të jenë rivale deri në fund edhe për titullin. Pritshmëri­të e mia janë se do të jetë një ndeshje shumë e bukur për t’u parë nesër.

Ju duket ndonjëra më e avantazhua­r?

Nuk mund të parashikoj diçka, por e vetmja gjë që mund të them është se pres një ndeshje me (shumë) gola.

Në sezonet e fundit Vllaznia e ka dominuar Partizanin në ndeshje direkte. Ndikojnë statistika­t te futbollist­ët?

Nuk e besoj, lojtarët janë profesioni­stë dhe nuk ka të bëjë kjo pjesa e traditës. Çdo lojtar hyn në fushë për të dhënë maksimumin dhe nuk ndikohet nga këto elemente.

Si ju është dukur Vllaznia e këtij sezoni?

Vllaznia ka dy-tri vite që është pretendent­e për titullin kampion. Këtë vit unë e shoh një ndër pretendent­ët kryesorë dhe për cilësinë e lojtarëve që ka në organikë, është një prej më të mirave në Shqipëri, për të mos thënë më e mira. Ardhja e Balajt në Shkodër është pa diskutim një lëvizje e madhe. Faktet flasin vetë për atë lojtar dhe është një vlerë shumë e madhe e shtuar për ekipin e Vllaznisë dhe gjithë kampionati­n. Shpresoj shumë që të zhbllokohe­t sa më shpejt, sepse ka vlera shumë të mëdha.

Kush janë dy lojtarë te të dyja skuadrat, që kanë më shumë aftësi se të tjerët për të vendosur ndeshjen?

Një lojtar që e shoh shumë mirë për momentin dhe që mund të bëjë diçka më shumë nesër në fushë për atë që ka treguar deri më tani, është Esat Mala. Është një nga futbollist­ët më të mirë të kampionati­t shqiptar dhe mendoj se ai i ka cilësitë që t’i zgjidhë ndeshjet edhe vetë. Është një djalë, që në sidomos në ndeshjet e mëdha ndizet edhe më shumë dhe jep maksimumin. Te Partizani do të veçoja Telushin. E njoh shumë mirë dhe është një lojtar, që mund të prodhojë situata shumë të rrezikshme. Gjithashtu, është një “snajper” nga goditjet e dënimit.

Ku duhet të luhet derbi sipas jush?

Përderisa presidenti Gazment Demi ka investuar aq shumë që Partizani të ketë një shtëpi të vetën, edhe unë jam krejt dakord që derbi të luhet në shtëpinë e kuqe, sepse nuk do të kishte kuptim të bëhej ndryshe për mendimin tim. Përderisa është bërë gjithë ai investim, nuk më duket e arsyeshme që ndeshja të luhet diku tjetër.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania