Panorama Sport (Albania)

Një Sherif i ri në Durrës, dy gola në ditën e lindjes

Dy shtylla dhe shumë raste, verilindor­ët të pafat

- ZAMIR QYPI

Teuta thyen Kukësin, Kallaku bën heroin për 25-vjetor

Teuta merr një fitore të madhe 2-0 në ndeshjen e parë çerekfinal­e të Kupës së Shqipërisë ndaj Kukësit, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikim­it në turin gjysmëfina­l. Fantazisti Sherif Kallaku ka qenë heroi i durrsakëve, me dopietën e shënuar në pjesën e dytë, ku fillimisht ktheu në gol një penallti të kontestuar nga kuksianët, e më pas realizoi një perlë nga goditja e dënimit, duke shtangur portierin Angelos Tafas. Të gjitha këto mesfushori i Teutës i bëri në një ditë speciale për të, pasi dje (1 mars) festonte 25-vjetorin e lindjes. Në “Niko Dovana” u luajtën 90 minuta të zjarrta, me raste të shumta për Kukësin në pjesën e parë dhe një Teutë që ndryshoi komplet pas pushimit, duke marrë atë që kërkonte nga një ndeshje, që nuk e nisi mirë. Forma e shkëlqyer e kapitenit Gjelbrim Taipi, i cili iu afrua disa herë golit dhe goditi traversën, si dhe gjithashtu një shtyllë e sulmuesit Gabriel Barbosa, nuk mjaftuan që Kukësi të shënonte të paktën një herë për të tentuar përmbysjen në ndeshjen e kthimit pas dy javësh.

PJESA E PARË - Me Ildi Grudën që nuk ishte grumbullua­r për shkak të problemeve shëndetëso­re, trajneri Edi Martini sfidonte Kukësin në repartin e avancuar me sulmuesin që u largua pikërisht në janar nga verilindor­ët për t’u bërë pjesë e durrsakëve: Klejdi Daci. Nga ana tjetër, Rraman Hallaçi i kishte besuar ekipit që mundi Partizanin në kampionat. Kukësi është shumë më i qartë në lojë, duke dominuar veçanërish­t me daljet nga qendra të kapitenit Gjelbrim Taipi. Për shumë minuta ky i fundit tenton golin me goditje nga çdo pozicion, por një herë traversa dhe forma e mirë që portierit Qirko, bëjnë që rrjeta e durrsakëve të mbetet e paprekur. Teuta është me shumë fat, pasi edhe Barbosa në një rast godet shtyllën. Vetëm një gjuajtje e Kallakut në pjesën e parë ishte shumë pak për “djemtë e detit”, që gjithsesi shkuan në dhomat e zhveshjes duke mos pësuar dhe kjo mund të quhej si arritje për vetë faktin se miqtë krijuan disa raste për të shënuar.

PJESA E DYTË - Martini lë në dhomat e zhveshjes lojtarin e krahut të majtë, Gjinollari, dhe forcon mesfushën me aktivizimi­n e Karabecit. Durrsakët janë më kërkues dhe menjëherë i afrohen golit me Ledio Beqjën. Më pas, për një pasiguri të Kotobellit në ndërhyrje, është Ergys

Peposhi që ka shansin e artë për të shënuar, por goditja e tij përballë Qirkos lë për të dëshiruar, në një kohë që lojtari mund të tregohej më altruist në këtë moment, duke pasuar te Barbosa që ishte në një pozicion më të mirë. Ky rast i shpërdorua­r e dënon Kukësin,

sepse loja më pas bëhet malore për ekipin e Hallaçit. Sulmuesi Daci, me zgjuarsi fiton një penallti pas duelit me Bytyçin. Nga pika e bardhë është Kallaku që nuk fal, edhe pse Tafas e kupton krahun. Teuta merr zemër dhe goditjet standarde janë specialite­t i fantazisti­t, që

gjen golin e dytë me një të djathtë fantastike. Hallaçi bën katër zëvendësim­e të menjëhersh­me pas minutës së 80-të, por fati nuk është me Kukësin edhe atëherë kur Delimedjak godet me kokë, por planzhoni i Qirkos i mohon një gol të sigurt. Gjithçka mbyllet me shifrat 2-0.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania