Panorama Sport (Albania)

Penallti dhe gol i anuluar, sistemi VAR shmang polemikat

-

Arbitrat ishin OK në derbi dhe meritojnë një notë pozitive. Edhe kur Juxhin Xhaja gaboi, gjithçka u korrigjua pas konsultimi­t me VAR-IN. Arbitri kryesor tregoi autoritet në një ndeshje që u ndërpre disa herë, por edhe asistentët Dojando Myftari dhe Nertil Bregasi, e gjithashtu Olsion Yzeiraj dhe Elvis Gjoka, që ishin në VAR, e bënë mirë detyrën. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë.

40’ Da Silva rrëzohet në mesfushë pas ndërhyrjes së Najdovskit, por arbitri vijon lojën dhe Aleksi shërben te Patriku në krahun e majtë brenda zonës. Në këtë moment është Hadroji që i ndërhyn, duke larguar topin dhe me braziliani­n që rrëzohet, është Xhaja që akordon penallti për Tiranën. Më pas, kryesori sinjalizoh­et nga VAR-I dhe shkon të rishikojë pamjet. Xhaja kthen vendimin, duke anuluar penalltinë e Tiranës dhe konsiderua­r të rregullt ndërhyrjen e Hadrojit. Mirëpo, aksioni ka nisur me faull për Da Silvën dhe arbitri mund ta kishte evituar këtë situatë. Përpara se të merrej vendimi për anulimin e penalltisë nga arbitri, te stafi i Tiranës bënë moviolën me telefon.

44’ Mba godet në fytyrë Lulajn në përpjekje për të mbrojtur topin. Arbitri Xhaja nuk e sheh, ndërsa sulmuesi meritonte karton të verdhë.

49’ Patrik godet tokazi me të djathtën nga hyrja e zonës, Rexhepi grushton dhe aty afër Florent Hasani e dërgon topin në rrjetë. Anësori Nertil Bregasi ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Pas dy minutash shqyrtim të rastit nga VAR-I, konfirmohe­t se vendimi i anësorit për anulimin e Tiranës ka qenë i drejtë, pasi Hasani ishte më i avancuar.

62’ Rrapaj driblon në zonë Najdovskin dhe më pas pengohet nga ky i fundit. Xhaja akordon penallti për Partizanin. Vendim i drejtë i kryesorit, që i ndodhur afër aksionit nuk kishte nevojë për ndihmën e VAR-IT. Arbitri ndëshkoi edhe me të verdhë lojtarin e Tiranës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania