Panorama Sport (Albania)

Paqe në Durrës, Teuta dhe Vllaznia ndajnë pikët

Shkodranët humbin terren, Teuta mban larg zonën e ftohtë të tabelës

- ZAMIR QYPI

Vllaznia shënon e para me Malën, Teuta përgjigjet me Kallakun

Vllaznia dhe Teuta ndajnë pikët në “Niko Dovana”, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e javës së 24-t. Golit të Malës në të 14-ën, Teuta iu përgjigj me Kallakun pa u mbushur gjysmë ore lojë. Pas këtij rezultati, Vllaznia zbret në vendin e katërt, ndërsa Teuta mban vendin e gjashtë me 32 pikë. Shkodranët shpërdoroj­në kështu një rast të madh për të hyrë në “vallen” e titullit, pasi Tirana dhe Partizani ndesheshin me njëra-tjetrën.

PJESA E PARË – Minutat e para janë të qeta për të dyja ekipet. Vetëm në të 12-ën vjen një shkëndijë e Albion Markut, që nis një kros të rrezikshëm në zonë, por Zogoviç përgjigjet si duhet dhe çon sferën në këndore. Dy minuta më pas vjen edhe goli i parë i kësaj ndeshjeje. Esin Hakaj këmbëngul nga e majta dhe arrin të krosojë në zonë, aty Mala është në vendin e duhur dhe godet për të dërguar topin në rrjetë. Pas golit, Teuta mundohet të krijojë diçka dhe të tentojë barazimin. Në minutën e 19-të Beqja del i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij ndalet nga Zogoviç. Në minutën e 30-të do të vinte edhe goli i barazimit. Aksion model i Teutës, me pasime me një takim brenda zonës dhe Kallakun, që shmanget mirë dhe lëshon një goditje fatale në portën e Zogoviçit, që nuk kishte asnjë shans reagimi. Dy minuta më pas Teuta rrezikon sërish. Emiljano Vila hedh një krosim drejt zonës për Lorenco Vilën, me këtë të fundit, që godet me kokë, por Zogoviç i mohon golin. Në minutën e 43-të është i njëjti protagonis­t, që del i vetëm përballë Zogoviçit, por ndërhyrja e këtij të fundit dhe më pas traversa i mohojnë golin Teutës.

PJESA E DYTË – Ky fraksion është me shumë më pak nivel se e para. Të dyja ekipet e ulin ritmin dhe nuk arrijnë të çajnë mbrojtjet e njëra-tjetrës, teksa në të 52-ën vjen një nga rastet e rrezikshme të zonës. Ka kaos para portës së Vllaznisë, me Beqjën, që nuk shënon dot, pasi topi nuk e kalon vijën fatale mes rrëmujës. Në minutat e fundit Daçi shfaqet dy herë. Në të 86-ën provon me një gjuajtje nga distanca, por Zogoviç e kontrollon pa probleme. Në minutat shtesë ish-sulmuesi i Kukësit provon me një gjuajtje brenda zonës, por portieri arrin sërish t’i mohojë golin. Në fund gjithçka mbyllet në barazim, me skuadrat, që ndajnë pikët.

 ?? ?? Moment nga ndeshja e djeshme në Durrës
Moment nga ndeshja e djeshme në Durrës
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania