Panorama Sport (Albania)

Tirana dërrmon Laçin, Hasani për çmim “Oskar”

- VLADIMIR MEMA

Florent Hasani i ka dhënë një dorë të madhe Ti ranës. Me dy golat e tij sulmuesi ndihmoi kampionët të mundin Laçin dhe të rikthehen te fitorja pas humbjes dramatike në derbi. Jo vetëm kaq, bardheblut­ë kryesojnë kampionati­n duke përfituar nga barazimi i Vllaznisë me Partizanin, por ndërkaq, Hasani është ngjitur në krye të listës së shënuesve me 11 gola. Ai ishte i shkëlqyer në një ndeshje delikate me një kundërshta­r të vështirë, në një stadium jashtë kryeqyteti­t dhe bosh prej dënimit. Dje ishte mbrëmja e çmimeve "Oskar", por nëse do të kishte një çmim për lojtarin e javës në Superiore, padyshim që do ta fitonte Florenti...

PJESA E PARË - Tirana e nis ndeshjen mjaft mirë, teksa në aksionin e parë të rrezikshëm arrin të shënojë me anë të Hasanit. Krosim nga këndi për bardheblut­ë, sulmuesi fare pranë portës nuk e ka të vështirë ta shtyjë topin në rrjetë. 1-0 dhe më mirë se kaq nuk mund të niste për të besuarit e Shehit, ndërsa në kahun tjetër kurbinasit hasin vështirësi t'i afrohen portës së Bekajt. Bardheblut­ë janë më të kthjellët në lojë dhe gjejnë hapësira mbrapa, teksa në minutën e 19-të sërish Hasani arrin të dyfishojë rezultatin. Pasi merr një top nga e djathta, i shmanget bukur një mbrojtësi dhe me të majtën godet saktësisht, me Selmanin që detyrohet të nxjerrë sërish topin nga rrjeta. E mbyllin shumë shpejt ndeshjen kryeqyteta­sit, në një kohë që Hasani ka mundësinë e golit të tretë, por goditja pas pasimit të Haxhiut nuk ka saktësinë e duhur dhe prek rrjetën e jashtme. Gjithsesi, ka kohë edhe për një tjetër gol në këtë fraksion loje dhe janë sërish bardheblut­ë që shënojnë, këtë herë me anë të Bruno Lulajt. Ashtu si goli i parë, Hasani përfiton nga një këndore, por goditja e tij devijohet nga Selmani, me sferën që shkon në këmbët e Lulajt, që me portën bosh nuk gabon, duke i dërguar shifrat në 3-0.

PJESA E DYTË - Fraksioni i dytë i lojës nis me një tjetër tablo, pasi janë kurbinasit ata që ndërrojnë marsh dhe ushtrojnë presion, edhe pas lëvizjes së Mezanit, i cili hedh në fushë Guindonë në vend të Mazrekajt. Pikërisht ky lojtar do të rihapte menjëherë sfidën, pasi shndërron në gol një penallti të fituar nga Spahiu, pas ndërhyrjes së Toshevskit në të 55ën. Vasil Shkurtaj i afrohet në dy rast golit, një herë me të

djathtën dhe më pas me kokë, por në të dyja rastet sfera kalon ngjitur me shtyllën. Tirana nuk duket gjëkundi, me rastin e vetëm të kësaj pjese që do të vijë në të 85-ën, por goditja potente nga jashtë zone e Deliut pritet nga Selmani. Në shtesë, kurbinasit ngushtojnë shifrat me një

supergol të Ujkës, që kalibrohet mirë me të majtën në zonë pas harkimit të Spahiut. Mirëpo, nuk ka më kohë për të bërë përmbysjen e madhe, me Tiranën që rikthehet te fitorja dhe vendi i parë, ndërsa Laçi tani duhet të mendojë seriozisht edhe për mbijetesën.

 ?? ?? Çast nga festa e lojtarëve bardheblu në Elbasan FOTOT: F. HAZISLLARI
Çast nga festa e lojtarëve bardheblu në Elbasan FOTOT: F. HAZISLLARI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania