Panorama Sport (Albania)

Garë pa “lokomotivë”, ngjitja dhe mbijetesa mes pikëpyetje­ve

-

Kreu i Kategorisë së Parë nuk po gjen rehat. Pas çdo jave, ka ndryshime në komandë. Gara për dy bileta në elitë po kthehet një rebus më vete. Që janë tri kandidate potenciale, kjo dihet. Çështja është kush do të “digjet” mes Skënderbeu­t, Flamurtari­t dhe Dinamos. Secila ka potencial dhe organikë, por nuk janë të pagabueshm­e. Dhe me ngjeshjen që ka renditja, një hap fals sjell pasoja të këtij tipi. Vetëm 7 ditë rezistuan vlonjatët në vendin e parë, pasi të shtunën ia rimorën korçarët. Dinamovitë­t nuk konfirmuan dot forcën e tyre dhe me një tjetër ndalesë zbritën të tretit. E paqartë është situata edhe për mbijetesë, aty ku skuadrat po përpëliten për t’iu larguar minimalish­t rënies direkt.

Dinamo u mund në shtëpi nga Apolonia. Edhe pse blutë i barazuan dy herë miqtë me Markun e Diksonin, në fund e pësuan dhe gjithçka u mbyll në 2-3. Umejiego, Omeri dhe Ndubuisi sollën trepikëshi­n. Kryeqyteta­sit dëshmojnë se nuk kanë stabilitet dhe janë larg asaj skuadrës që duhet të diktonte kampionati­n. Këtë ama po e bën më së miri Skënderbeu. Ka 10 javë radhazi që nuk thyhet dhe përtej ndonjë barazimi, është në majë. Mundi pa shumë shkëlqim Tomorin, por në fund të fundit kaq donte. Një gol i Temitopes dha qetësi. Flamurtari ra në Pukë, një ndeshje plot tension dhe nerva. E megjithatë kjo situatë nuk e zhbën atë gol të bukur të Saliajt nga distanca, që rrëzoi nga “froni” kuqezinjtë dhe largoi Tërbunin nga “play out”-i. Ndeshje karamboles­ke ishte ajo në “Roza Haxhiu”. Pati përmbysje pas përmbysjej­e dhe në fund festuan vendësit. Dopieta e Cankës dhe goli i Pepës zhvlerësua­n Kekon e Beshirajn. Lushnjarët mbeten në pozita të rrezikshme, e megjithatë morën moralin që u mungonte. Kurse dibranët, përtej gjithçkaje, duket se nuk i lëviz kush nga vendi i 4-t. Shkëlqeu Besa. I dha një “shuplakë” Turbinës dhe u rendit e pesta. Nga dy herë Perja e Hoxha dhe ajo rrjetë e Onuh sollën shpërthimi­n e kavajasve përballë ekipit që tashmë është i parafundit në tabelë. Në Orikum pati një duel mbijetese, kur Besëlidhja doli e thyer. Asnjë shenjë shpëtimi për lezhjanët, ndërsa orikasit besojnë ende. Ishte Thiub që bëri heroin me një gol në shtesë. Minimalish­t fitoi edhe Burreli me Luzin, falë rrjetës së Markos. Matjanët janë përfundimi­sht të pathyeshëm në shtëpi. Plot 22 ndeshje me radhë pa asnjë humbje, tregojnë forcën e tyre në “Liri Ballabani”. Të besuarit e Bled Kadiut duhet të bëjnë mirë llogaritë, pasi rrezikojnë të kthehen andej nga erdhën vjet.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania