Panorama Sport (Albania)

Mbi 13 vite pa fitore në Cërrik, Kaloshi: Këtë herë ia del Lushnja

Shifra të frikshme, e kanë mundur vetëm në Peqin

-

Lushnja ka mbi 6 vite që nuk fiton në transfertë me Turbinën. Për të fundit herë ia kanë dalë më 2 tetor të 2016-ës dhe që prej asaj kohe kanë shijuar maksimumi 3 barazime. Ajo ndeshje është luajtur në fushën asnjanësen të Peqinit dhe është mbyllur 1-3 (me gola të Fatjon Sefës, Ledjan Taullahut dhe Klevis Gjonit). Nuk janë pak vite në fakt, ndonëse ndeshje në total nuk janë realizuar shumë (vetëm 5). Dhe megjithatë shifrat agravohen, nëse duhet të gjesh një fitore në Cërrik. Në stadiumin “Nexhip Trungu” kanë që nga 2 shtatori i 2009-ës që nuk ia dalin, pra 13 vite e gjysmë. Një situatë që tremb, kur dihet që këtë sezon nuk kanë asnjë trepikësh jashtë fushe. Kanë siguruar vetëm dy barazime dhe ato në Lezhë dhe Burrel.

Këtë herë ama nuk bën fort pikë “X”-si. Për të shpëtuar nga rënia, kërkohet tjetër gjë. Lojtarët besojnë se do ta thyejnë këtë “tabu”. E dinë që situata nuk është premtuese dhe zgjedhjen e kanë vetëm ata. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, portieri Mikel Kaloshi, u shpreh: “Po përmirësoh­emi në çdo ndeshje. Po punojmë të eliminojmë gabimet. Kemi pësuar 10 gola në fazën e dytë, ndaj duhet të bëjmë më shumë kujdes. Për ne, në këtë situatë kanë më shumë rëndësi pikët, kështu që duhet të pësojmë sa më pak. Situata në ekip është e mirë. Vijmë pas fitores me Korabin dhe shkojmë në Cërrik me moral të lartë. Do të udhëtojmë për të fituar ndeshjen e për të dalë me tri pikë. E dimë që ky takim është si një finale për ne dhe besoj se do t’ia dalim. Ftoj tifozërinë të na mbështesë ditën e shtunë, por jo vetëm”. ALBAN ALUSHI

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania