Panorama Sport (Albania)

Zgjohet Laçi, Vllaznia largon Josën

Mireli nuk ka pranuar ende marrëveshj­en, ekipin do ta drejtojnë Miloti dhe Sinani

- ADMIR URUÇI

Sulmuesi Guindo i ndëshkon dy herë shkodranët, klubi ndërpret kontratën me trajnerin

Laçi merr tri pikë ndaj Vllaznisë dhe kjo i kushton shkarkimin trajnerit Mirel Josa. Gabimet në mbrojtjen kuqeblu kanë mjaftuar që Saliu Guindo të godasë dy herë në pjesën e parë. Goli i parë vjen pas një gafe të Gurishtës, i cili kërkon të driblojë dy sulmuesit vendës, që i rrëmbejnë topin dhe më pas Guindo nuk gabon i vetëm me Zogoviçin. Ndërsa në momentin e dytë një vendosje e gabuar e mbrojtjes pas një kundërsulm­i të shpejtë të vendësve dhe sërish Guindo ka shënuar pasi më parë Zogoviç kishte ndalur goditjen e Babatundes. Një fitore që vjen pas 7 javësh për Laçin, ndërsa Vllaznia po tregon një formë gjithnjë e në rënie, duke konfirmuar situatën jo të mirë.

PJESA E PARË

Takimi ka filluar me sulme nga të dyja ekipet, ku miqtë kërkojnë të jenë që në start kërkues, ndërsa, nga ana e vet, Laçi është më i rrezikshëm para portës. Në të dytën minutë Hakaj nga rivënia anësore dërgon një top në zonë dhe Jonuzi godet me kokë, por pret portieri. Dy mundësi të mira për vendësit në të 9-ën e të 10ën minutë. Spahiu godet në hyrje të zonës, por grushton portieri Zogoviç. Pas një goditjeje nga këndi, Turkaj nga fare pranë portës godet, por ndalet në shtyllë dhe pastaj Zogoviç zotëron gjithçka. Zgjohet Vllaznia në të 13-ën minutë, Balaj godet jashtë zone, por vetëm pak centimetra jashtë kuadratit. Është Jonuzi që tenton pas pak minutash, por mbi traversë. Në të 28-ën provon Marku, i cili ka mundësinë të rrezikojë portën mike, pasi gjendet në pozicion ballor i vetëm, por goditja e tij kalon jashtë katërkëndo­rit. Gurishta gabon rëndë në minutën e 31-të. Mazrekaj dhe Guindo i rrëmbejnë topin, me Guindon, i cili e ka të thjeshtë të mposhtë Zogoviçin, 1-0. Në të 40-ën është një aksion i rrezikshëm i Vllaznisë, Hakaj pason në zonë dhe Hoxhaj godet, por një devijim vendimtar të Selmanit, i cili shpëton portën e tij. Pas një goditjeje nga këndi për Vllazninë në minutën e 41-të laçianët dalin në një kundërsulm të shpejtë me dyshen Guindo-babatunde. Ky i fundit gjuan, por gjen përgjigjen e Zogoviçit, topi shkon te Guindo, i cili më pas shënon. Me rezultatin 2-0 mbyllet pjesa e parë.

PJESA E DYTË

Pjesa e dytë nis me disa lëvizje për Vllazninë. Josa forcon sulmin dhe bën edhe ndryshime në skemën e lojës, por pa arritur që në fund të barazojë shifrat e ndeshjes. Në minutën e 49të Jonuzi provon të gjejë golin direkt me një goditje dënimi, topi grushtohet me vështirësi nga Selmani. Është po Jonuzi që në të 57-ën lëshon një tjetër gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, sfera devijohet dhe nuk përfundon në katërkëndo­rin e Selmanit. Balaj kërkon që të rihapë ndeshjen dhe në të 65-ën mundohet të gjejë portën me një gjuajtje nga jashtë zonës, por bllokohet në momentin e fundit. Ndërsa gjashtë minuta më pas sulmuesi shkodran lëshon një predhë pas një goditjeje dënimi në pozicion ballor, por Selmani bën mrekullinë

dhe shmang golin e sulmuesit shkodran. Vendësit kërkojnë vetëm përmes kundërsulm­it dhe në 82-ën Ujka kalon dy lojtarë dhe i afrohet portës, por në momentin e fundit është Heriç, i cili i heq topin nga këmbët.

SHKARKIMI

Në mbrëmjen e djeshme klubi shkodran njoftoi për largimin e trajnerit Mirel Josa përmes një komunikate në faqen zyrtare. “Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka ndërprerë me mirëkuptim bashkëpuni­min me trajnerin Mirel Josa. Falënderoj­më

trajnerin Josa për kontributi­n e dhënë në drejtimin e ekipit, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme. Ekipi do të vijojë punën nën drejtimin e trajnerëve Auron Miloti dhe Vioresin Sinani”, citohej në njoftimin e Vllaznisë. “Panorama Sport” mëson se pas një bisede që Josa ka bërë me drejtuesit, nuk ka rënë ende dakord për zgjidhjen e kontratës. Ai nuk ka pranuar të japë dorëheqjen, por tani mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë konsensus për kontratën, apo çështja do të

shkojë në gjyq. Distanca prej 7 pikësh nga vendi i parë nuk është përtypur nga drejtuesit, paçka se Vllaznia eliminoi Partizanin nga Kupa. Ndërkohë, pas ndeshjes në Laç, Josa deklaroi: “Ia bëmë punën e thjeshtë kundërshta­rit me gabimet tona. Duhet të ishim më agresivë në fushë dhe më seriozë, sepse duhet të arrijmë objektivat. U bënë ndryshime në pjesën e dytë, por nuk dua asnjë lloj justifikim­i. Problemi ishte që ne bëmë gabime individual­e, na ndikoi psikologji­kisht dhe në fushë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania