Ademi: Pauza erdhi në momentin e duhur, kthehemi më të fortë
Erzeni nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen ndaj Kukësit të shtunën në stadiumin “Niko Dovana”. Protagonist absolut për shijakasit ishte sulmuesi nga Gostivari, Ilirid Ademi, i cili shënoi golin e avantazhit të përkohshëm, ndërsa goditi edhe dy herë shtyllën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Ademi tregon për momentin e mirë që po kalon, ndërsa thekson se pauza e kampionatit prej ndeshjeve të Kombëtareve, ka ardhur në kohën e duhur për shijakasit.
Ilirid, një gol dhe dy shtylla në ndeshjen ndaj Kukësit. I lumtur për golin apo i mërzitur për rastet e shpërdoruara?
Normalisht që jam i lumtur për golin, por i mërzitur që i humbëm dy pikë në fund të ndeshjes.
Një pjesë e parë e dominuar nga ju, ndërsa në të dytën kundërshtari u shfaq më agresiv dhe Erzeni vuajti. Çfarë nuk shkoi në fund?
Po, ishte një pjesë e parë e mirë nga i gjithë ekipi. Edhe në pjesën e dytë e nisëm mirë ndeshjen, por pas penalltisë disi u shpërqendruam. U kthyem shumë mbrapa dhe u ndëshkuam, por gjithsesi edhe ne i kishim rastet tona, që nuk arritëm t’i shfrytëzonim për fat të keq.
Në tri ndeshjet e fundit keni shënuar dy gola dhe keni marrë një penallti, duke fituar zemrat e tifozëve shijakas. Është kjo formë që po kaloni kulmi juaj?
Jam i lumtur me formën që po kaloj, por unë shpresoj të vazhdoj me të njëjtin ritëm edhe pas pushimit të kampionatit.
Ndeshja e radhës e Erzenit është ndaj Tiranës pas dy javësh. I bën mirë ky pushim ekipit në këto momente, ku një pjesë e lojtarëve janë të dëmtuar dhe të tjerë kanë shumë minuta në këmbë?
Besoj se erdhi në momentin e duhur e duhur për ne ky pushim, pasi kemi pasur një kampionat shumë të ngjeshur. Dihet që kemi shumë mungesa, por besoj sa ma shpejt të rikuperohen edhe të jemi i gjithë si grup. RONALD FAJA