Panorama Sport (Albania)

La Liga kampionati që “ha” trajnerë, 86 në 10 sezonet e fundit

-

Horge Sampaoli është bërë viktima e fundit në La Liga. Sevilja ka vendosur shkarkimin e tij pas humbjes (pritet zyrtarizim­i) së pësuar në fundjavë përballë Getafes. Sipas mediave spanjolle, klubi andaluz ka nisur bisedimet me Mendilibar për të pasuar Horge Sampaoli. Ai pritet të bëhet trajneri numër 87-të, teksa trajneri i 86-të në dhjetë sezonet e fundit që shkarkohet në La Liga ishte Pablo Maçin i Elçes. Kjo tregon se bankinat në Spanjë janë vërtet të nxehta dhe se çdo sezon kemi pothuajse 9 ndryshime në stolat e skuadrave. Rekordi është vendosur në sezonin 2017-2018, ku janë ndryshuar 11 bankina dhe nëntë klube të përfshira.

ATLETIKO, NJË OAZ NË SHKRETËTIR­Ë

"Rojiblanco­s" janë i vetmi klub në La Liga që nuk ka ndryshuar trajner në dhjetë sezonet e fundit. Diego Simeone drejtoi ndeshjen e tij të parë si trajner i "Colchonero­s" më 7 janar 2012 kundër Malagës në "La Rosaleda". Tani, ai është bërë trajneri me më shumë ndeshje në historinë e Atletikos, duke lënë pas Luis Aragonas, me 613 ndeshje. Argjentina­si ka fituar dy Liga, dy Europa League, dy Superkupa Europiane, një Kupa Mbreti dhe një Superkupë të Spanjës.

VALENCIA, PËR REKORD

Nëse ka një skuadër që ka thyer çdo rekord në lidhje me shkarkimin e trajnerëve apo me zëvendësim­in e bankinave është Valencia. Në dhjetë sezonet e fundit ajo ka ndërruar 12 trajnerë: Xhukiç, Pici, Nuno, Ajestaran, Nevill, Prandeli, Marselino, Selades, Havi Garsia, Bordalas, Gatuzo dhe Baraha. Nga të gjithë këta trajnerë të Valencias, vetëm Bordalas dhe Havi Garsia kanë mundur të mbyllin kontratën me këtë klub.

KRAHASIMI ME PREMIER

Për të parë ecurinë në La Liga, gazeta "Marca" ka krahasuar kampionati­n spanjolle me atë anglez, ku bien në sy trajnerë jetëgjatë si Klop, Guardiola, Poçetino. Nëse në Spanjë janë 86 bankina të ndryshuara, në Angli në 10 sezonet e fundit ky numër është 70.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania