Panorama Sport (Albania)

Barbosa: Kam emër të madh, vrapoj për ëndrrën

“Më pëlqen jetesa në Tiranë, shpejt gjërat do të ndryshojnë”

- VLADIMIR MEMA

Sulmuesi vjen me një rrëfim ndryshe për aventurën te Kukësi

Ka emrin e “Gabig ol” dhe për të është kënaqësi dhe privilegj, edhe pse nuk ka të njëjtën karrierë me bashkëkomb­ësin e tij brazilian. Bëhet fjalë për sulmuesin e Kukësit, Gabriel Barbosa Avelino, i cili në një intervistë ndryshe dhe përtej futbollit, rrëfehet ekskluzivi­sht për “Panorama Sport”, rreth aventurës së tij në kampionati­n shqiptar. Shtatlarti­t i pëlqen të jetojë në Tiranë, por nuk e ka të lehtë larg familjes dhe miqve të tij, ndonëse është i vetëdijshë­m se e tillë është jeta e një futbollist­i. Pak kohë më parë, 23vjeçari ka pasur një vlerë 1 milion euro në treg dhe me pritshmëri të mëdha, por ka besim se gjërat do të ndryshojnë për mirë dhe punon për të ndjekur ëndrrën e tij. Në kaq muaj që jeton në vendin tonë, gjuha shqipe është disi më ndryshe nga të tjerat, por ai ka nisur të mësojë fjalët e para.

Gabriel, u bënë gati 7 muaj në Shqipëri si pjesë e Kukësit, si ndiheni?

Ndihem mirë, më pëlqen të jetoj këtu në kryeqytet. Tirana është një qytet i bukur,

gjej gjithçka që më nevojitet për jetën e përditshme dhe mund të them se nuk kam pasur kurrë probleme.

Me kë jetoni në Tiranë dhe kush janë miqtë tuaj më të mirë?

Jetoj vetëm, jam përshtatur që i vogël me këtë. Por kaloj mirë me të gjithë në grup, pasi kam shumë miq. Në ditët e sotme, Ebert (mbrojtësi brazilian i Kukësit), është ai me të cilin kam qenë më gjatë. Çfarë ju mungon këtu? Më mungon shtëpia, familja dhe miqtë e ngushtë. Megjithatë, e di që është pjesë e profesioni­t dhe zgjodha vetë të jetoj kështu.

Cili është ushqimi juaj i preferuar në Shqipëri?

Nuk kam një ushqim të preferuar, gjej gjithçka përreth dhe kuzhina është shumë e mirë. Ushqimi është i gatuar mirë dhe përpiqem të ha gjithmonë

në vende shtëpiake.

Si është të kesh emrin e një lojtari të famshëm si Gabigol, i cili ka qenë tek Interi dhe tani është pjesë e Flamengos?

Është mirë të dish që kam të njëjtin emër si një nga sulmuesit më të mëdhenj në Brazil sot.

Pak vite më parë keni qenë pjesë e Palmeiras dhe vlera e kartonit tuaj ishte 1 milion euro, ndërsa tani luan në Shqipëri... Çfarë ndodhi me karrierën tuaj?

Çdo lojtar ose person duhet të kalojë nëpër faza të caktuara në jetë dhe ato gjithmonë shërbejnë si mësim dhe evolucion. Jam i sigurt që së shpejti gjërat do të ndryshojnë sërish, sepse pavarësish­t gjithçkaje, unë kam një ëndërr dhe vrapoj pas saj çdo ditë.

Si ndiheni kur nuk shënoni dot gol?

Nuk është kurrë mirë që një sulmues të mos shënojë, por futbolli shkon përtej lëvizjes së rrjetës. Një lojtar mund të jetë thelbësor për ekipin e tij, duke hapur hapësira dhe duke krijuar mundësi për shokët e tij të skuadrës dhe sot mund të shoh me sy të mirë gjithçka. Gjëja më e rëndësishm­e është t’i besoni potenciali­t tuaj, të dini se ku

dëshironi të shkoni dhe të vazhdoni të punoni.

Mendoni se Kukësi do të kapë Europën këtë sezon?

Kemi një skuadër konkurrues­e, të gjithë këtu vrapojnë së bashku për të njëjtin qëllim dhe besoj se do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund. I kemi të gjitha mundësitë për të arritur triumfin.

Keni mësuar ndonjë fjalë në gjuhën shqipe, cilat janë ato?

Kam mësuar fjalët bazë si faleminder­it, mirëmëngje­s etj. Por është një gjuhë komplekse, shumë e ndryshme nga ajo që kisha parë dhe mësuar më parë.

Si do ta veçonit Shqipërinë dhe Tiranën, çfarë ju bën më shumë përshtypje në këtë vend?

Shqipëria është një vend në rritje, që po zhvillohet vazhdimish­t. Tirana është një qytet i mirë për të jetuar, i cili ofron gjithçka që të nevojitet.

Dëshironi të qëndroni gjatë në ligën shqiptare apo kërkoni një kampionat më të fortë?

Ne kurrë nuk e dimë të nesërmen, por unë jam gjithmonë i hapur ndaj sfidave të reja. Tani për tani fokusi im është këtu.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania