Flamurtari pa trajner, Pollozhani dhe Milinkoviç dalin në skenë
Ankohen për gjykimin, por në fund larguan Marcelo Troisin
Flamurtari mbetet zyrtarisht pa trajner. Humbja me Dinamon rezultoi fatale për Marcelo Troisin, pasi dje i është komunikuar shkarkimi. Një vendim absurd nga ana e klubit, sidomos pas ankesave të mëdha që kanë ndaj gjykimit. Kanë më shumë se 24 orë që reklamojnë penalltinë e minutës së 83-të, që sipas tyre ishte e paqenë. Ka diçka që nuk shkon në këtë mes kur “faturën” ia japin kryesorit Kreshnik Cjapi dhe më pas sakrifikojnë brazilianin...
KONFIRMIMI I ADMINISTRATORIT Është vetë administratori që konfirmon për “Panorama Sport”, largimin e Marcelo Troisit nga pankina e Flamurtarit: “Nga sot (dje) e ndërpremë bashkëpunimin me Marcelo Troisin. Rrugëtimi ynë zyrtar ishte deri këtu. Ai miqësor do të vazhdojë. Mbetemi miq. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të frytshëm këtu në Vlorë. Por si shkuan gjërat menduam që nga sot (dje), ky bashkëpunim të ndërpritej”. Sinan Idrizi nuk e ka ndarë ende mendjen për pasardhësin, ndonëse disa kandidatë i ka gati. “Se kush do të jetë në vazhdim, deri nesër (sot) në darkë do të jetë zgjidhur. Janë disa emra trajnerësh në lojë. Për arsye etike t’i lëmë anonimë. Përvoja do të jetë kushti kryesor në zgjedhje. Në Shqipëri nuk ka më nga këto historitë e faktorëve objektivë, këtu është një dualitet i historisë midis asaj objektive dhe subjektive që këtu nuk e zgjidhin dot. Ti mund të marrësh lojtarë të mirë dhe trajnerë të mirë, vjen dikush dhe të prish punën. Në futbollin shqiptar tashmë është njëlloj si ato historitë e Heminguejit, kur thoshte në Afrikë që lulet janë shumë të bukura, por nuk kanë aromë. Këtu është gjithë problemi ynë, që këta të prishin aromën e ndeshjes. Në momentin që të prishin aromën nuk kemi çfarë të flasim më”, përfundon Idrizi mbi këtë çështje.
DY KANDIDATË TË
RINJ NË SKENË
Diego Longo ishte emri i parë që doli në skenë për stolin. Ai ishte në Vlorë dhe u takua me administratorin. Por, nuk është i vetmi. “Panorama Sport” ekskluzivisht ka zbuluar se janë dy kandidatë të tjerë gati për të marrë drejtimin e Flamurtarit. Bëhet fjalë për Artim Pollozhanin dhe Mlladen Milinkoviç. Sinan Idrizi ka takuar dje në ambientet e klubit edhe struganin, që prej kohësh është ndihmësi i Ilir Dajës te Ballkani. Ish-mesfushori ka një të shkuar te kuqezinjtë, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Mësohet se Pollozhani nuk ka vendosur kushte specifike, por në parim e ka pranuar ftesën e Sinan Idrizit. Tani është në pritje të një telefonate. Emri i tretë është Mlladen Milinkoviç, ish-trajneri i Luftëtarit dhe Kukësit në Kategorinë Superiore. Drejtuesit kanë kontaktuar edhe me të, për të folur për këtë mundësi. Por nëse nuk do të pranojë Diego Longo, më i mundshëm për t’u ulur në stolin e vlonjatëve është Artim Pollozhani. ERMAL SIKA