Apolonia në formë, Stefano Omeri bën liderin te fierakët
Apolonia mori tri pikë të arta të hënën ndaj Orikut, duke u ngjitur në vendin e shtatë. Protagonist absolut për fierakët ishte mesfushori Stefano Omeri, i cili shënoi golin e fitores nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 75-të. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Omeri tregon për momentin e mirë që po kalon, por jo vetëm.
E treta fitore radhazi në kampionat. Si ndryshoi për mirë Apolonia?
Të them të drejtën kemi një rritje graduale, qoftë në pikë ashtu dhe në lojë. Pësuam një humbje, më pas morëm tri barazime dhe në fund erdhën fitoret radhazi. Këto kanë qenë vërtetimi më i mirë që Apolonia nuk e meritonte fundin e tabelës. Ishim në një pozitë të vështirë, mblodhëm veten si fillim, i thirrëm mendjes dhe filluam menjëherë autokritikën. Nuk do të ndalemi me kaq, këtë e them me bindje të plotë. Pse vuajti aq shumë skuadra ndaj Orikut?
Ishte një pjesë e parë shumë e mirë nga i gjithë ekipi ynë. Patëm raste konkrete, por gabuam në momentin e fundit, atë të finalizimit. E disata herë që vuajmë për të gjetur golin e avantazhit, sidomos në pjesën e parë. Ne ishim të bindur që golin do ta gjenim në pjesën e dytë. E rinisëm jo mirë ndeshjen, kjo edhe për meritë të kundërshtarit, por gjetëm forcën për të rimarrë frenat e lojës. Vërtetë shënuam nga pika e bardhë, por e merituam fitoren.
Shënuat nga penalltia, çfarë kishte të veçantë këtë herë?
Normalisht që jam i lumtur për golin, por kryesorja është që Apolonia mori pikët e plota përballë Orikut. Ishim të dënuar për fitore, më saktë nuk mund të bënim një hap fals në stadiumin tonë. Detyra ime është të ndihmoj sa më shumë skuadrën, por shënoj apo asistoj, kjo ka pak rëndësi. Ky ishte goli im i tretë dhe ma ka shtuar besimin.
I bën mirë ky pushim ekipit në këto momente?
Erdhi në momentin e duhur ky pushim, pasi kemi pasur një kampionat shumë të ngjeshur. Do të marrim frymë lirisht dhe ulim sadopak presionin. HILMI SALIU