Panorama Sport (Albania)

Dinamo “trazon” Flamurtari­n, vendosin penalltitë në 3 ndeshje

-

Çfarë jave ishte kjo e 20-ta! Kategoria e Parë është vërtetë “zjarr”, e megjithatë pikëpyetje­t duket se nuk do të marrin një përgjigje deri në finish. Lufta për dy vende në elitë po bëhet edhe më e ashpër, por ende nuk mund ta thuash me siguri se kush nga Skënderbeu, Dinamo dhe Flamurtari do të mbetet jashtë... E megjithatë, në këto momente janë vlonjatët më të rrezikuar dhe humbja me kryeqyteta­sit i trazoi shumë. Lëmsh është situata në pjesën e poshtme të renditjes, ku vazhdon përpëlitja për shpëtim. Ajo që bën përshtypje ama, është që tri ndeshje u vendosën nga penalltitë. Dinamo ia doli me një 11-metërsh në të 83-ën, Apolonia në të 75-ën dhe Korabi në të 88-ën.

Në Vlorë u bë “nami”. Pas tri vitesh u ndezën dritat në stadium dhe spektakël pati vërtetë, por jo fiks në fushë. Një ndeshje që u vendos nga një penallti, e kontestuar aq shumë nga Flamurtari. Dinamo nuk e fali këtë mundësi që i erdhi dhe Denison e çoi në rrjetë. Përballoi presionin e madh në këtë përballje direkte dhe mori trepikëshi­n që e afron me një pikë kreun. Kuqezinjve u doli situata nga kontrolli. Nuk ishin brenda pritshmëri­ve në lojë dhe e lanë nervat. Sherr i madh, kartonë të kuq dhe si përfundim mbetën edhe pa trajner. Edhe pse u ankuan aq shumë për gjykimin, në fund sakrifikua­n Marcelo Troisin. Skënderbeu vazhdon të mos humbasë, por përfundimi­sht nuk ditën të merrnin arratinë. U ndalën në një barazim “të thatë” në Lezhë, që sidoqoftë i mban në “komandë”. Por qetësia mungon, pasi rivalët i kanë ngjitur. Besëlidhja në anën tjetër është gozhduar në fund të tabelës dhe shanset për mbijetesë sa vijnë e minimizohe­n. Korabi nuk e fali Tërbunin dhe blindoi vendin e 4-t. Mjaftoi një penallti e Beshirajt edhe për ta, që ishte vërtetë e dyshimtë dhe mbi të gjitha duhej të përsëritej... E njëjta situatë në Fier, atje ku Apolonia thelloi krizën me Orikun. Edhe aty pati protesta të mëdha për gjykimin, por Omeri nuk e kurseu mundësinë nga pika e bardhë. Super ishte Tomori, që nuk po i lë asgjë rastësisë. Likuidoi me një gol të Alinanit Burrelin dhe ia shton kreditet vetes për të mbetur në zonën “play off”. Shumë zhurmë pati edhe në Cërrik, ku gjithashtu kishte ankesa për njëanshmër­inë e gjykimit. Turbina ia prishi gjithsesi planet Lushnjës, që për pak sa nuk fitoi të parën transfertë për këtë sezon, pas atij goli të Cankës. Llogaritë nuk i bënë mirë, pasi në limit të kohës së rregullt i ndëshkoi Zani dhe gjithçka përfundoi 1-1. Pa fitues u mbyll edhe derbi i Kavajës, por me 4 gola ama. Besa shpërdoroi pa fund dhe la pikë me Luzin, rezultat që nuk ndihmon asnjërën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania