Nga “Bernabeu” në “Camp Nou”, Barça shkon nga -3 në +12
Ekipi i Ksavit u ka marrë plot 15 pikë rivalëve në 17 javë
Katalanasit u mundën në takimin e parë në Madrid
Nga ndeshja e parë në La Liga në Madrid (tetor 2022), tek ajo e së dielës së kaluar në Barcelonë është një botë e tërë. Me tetë fytyra të reja të përfshira në skemën e tij (Kunde, Kristensen, Kesi, Rafinja, Levandovski, Pablo Torres, Markos Alonso e Bejerin – ky i fundit u largua në janar), Ksavi ka bërë të mundur që skuadra e tij ta ketë sigluar pothuajse përfundimisht objektivin parësor në këtë sezon: titullin në La Liga. Në fazën e parë në La Liga, Barcelona mundej 3-1 në “Bernabeu” nga Reali falë golave të shënuar nga Benzema, Valverde e Rodrigo, teksa Ferran Torres shënonte golin e nderit për Barçën. Katalanasit dilnin nga Madridi në vend të dytë me 3 pikë më pak se “los blancos”. Shtatëmbëdhjetë javë më pas, skuadra e Barcelonës jo vetëm që ia doli të rikuperonte humbjen në La Liga në “Bernabéu”, por edhe të vendosë një dorë te titulli. Golat e Serxhi Robertos dhe Kesit shërbyen për të neutralizuar autogolin e Arauho dhe e vendosën Barçën 12 pikë përpara skuadrës së Ançelotit. Barcelona la pas zhgënjimet në Europë, me eliminimin fillimisht nga Liga e Kampioneve dhe më pas nga Liga e Europës për t’u kthyer dominuese në La Liga. Trajneri Ksavi ka arritur të rindërtojë skuadrën duke nisur
nga mbrojtja që është kthyer nga pikat e forta me vetëm 9 gola të pësuar në 26 takime në La Liga. Një tjetër faktor i rëndësishëm në ecurinë e Barcelonës është dhe shpërndarja e golave. Levandovski vazhdon të mbetet golashënuesi më i mirë në kampionat me 15 rrjeta. Por Barcelona nuk është e varur plotësisht prej tij. Në skuadër ka më shumë lojtarë që shkojnë te goli. Levës, Rafinjës, Pedrit dhe Dembelesë i janë shtuar dhe mesfushorët. Me golin e tij të dielën, Serxhi Roberto numëron katër gola në të gjithë kompeticionet, vetëm një pas Ferran Torresit. Pas tij janë dy lojtarë të tjerë që Ksavi ka fituar: Markos Alonso dhe Kesi, secili me nga tre gola.
BOTËRORI SI PIKËNISJE
Goditjen më të madhe në garën për titullin në La Liga, Barcelona e ka dhënë pas Botërorit në Katar. Që nga rikthimi i kampionatit, katalanasit kanë lënë vetëm 5 pikë nga 36 të mundshmet (barazimi me Espanjolin 1-1 dhe humbja me Almerian 20), ndërsa Reali ka lënë 15 nga 36 pikët e mundshme.