Panorama Sport (Albania)

Notat e skuadrave

-

TEUTA 8 – Durrsakët i dhanë një goditje Tiranës, duke u hakmarrë edhe për atë humbje të thellë në ndeshjen e parë gjysmëfina­le të Kupës. Me dy Vilat në formë (Emiljano dhe Lorenco), që arritën të bënin një përmbysje të madhe. Në 4 ndeshje këtë kampionat, të besuarit e Martinit i kanë shkaktuar tri humbje Tiranës, por ky trepikësh ishte domethënës për faktin se rikthen Teutën në luftë për vendin e katërt.

PARTIZANI 8 – E nis keq ndaj Kukësit, por më pas tregon dhëmbët dhe përmbys rezultatin. Përtej ndonjë gabimi naiv në fazën mbrojtëse, skuadra e Xhovani Kolelës duket në rrugën e duhur në këtë sprint final të sezonit. Pasi ka rikuperuar tri pikë këtë javë ndaj rivalit, shkon në derbi me -2 nga Tirana dhe ka gjithçka në dorë për të parakaluar bardheblut­ë. Më 17 maj të kuqtë do të luajnë gjithçka për titullin.

EGNATIA 8 – Rrogozhina­sit nuk falin ndaj Bylisit, duke treguar pjekuri në momentin më delikat të sezonit. Duke përfituar edhe nga hapat falsë të ndjekësve më të afërt si Laçi dhe Vllaznia, tashmë kanë “blinduar” vendin e tretë dhe ndihen të sigurt për objektivin “Europë”.

KASTRIOTI 6 – Vllaznia e ndëshkon shpejt, por krutanët gjejnë forca për të barazuar në frymën e fundit. Pesë pikë nga zona “play out” duken shumë, por te Kastrioti nuk duan të dorëzohen për mbijetesën.

ERZENI 6 – Në Laç reagon mirë pas një 45-minutëshi të parë që linte për të dëshiruar. Barazon shifrat dhe me pak kujdes mund edhe të godiste kurbinasit. Megjithatë, 1 pikë nuk ishte keq për shijakasit.

VLLAZNIA 5 – Bën të njëjtat gabime, madje edhe kur është në avantazh, pasi kanë kaluar 90 minuta lojë. Sulmuesit shpërdoroj­në jo pak, derisa e pësojnë nga goditje standarde. Shkodranët nuk dinë të fitojnë dhe dy pikët e lëna ndaj Kastriotit mund t’i qajnë shumë për synimet që kanë.

LAÇI 5 – Supergoli i 19vjeçarit Bibo, në vend që ta karikonte Laçin, e vuri në “gjumë”, duke lëshuar shumë terren në pjesën e dytë. Kurbinasit e konsiderua­n ndeshjen me Erzenin të fituar dhe pas barazimit, përpjekjet e tyre shkuan dëm. Një shans i humbur për zonën e UEFAS, aq më tepër që rivali direkt, Egnatia, fitoi këtë javë.

BYLISI 4 – Zhgënjen totalisht në Rrogozhinë, edhe pse për më shumë se një orë lojë është i detyruar të luajë me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të kapitenit Maçolli. Mbrojtja futi “ujë” ndaj Egnatias dhe kjo humbje i minimizon edhe më shumë shanset për qëndrim në elitë.

KUKËSI 4 – Një skuadër e brishtë, që nuk diti të shfrytëzon­te avantazhin e shpejtë ndaj Partizanit. Skuadra e Hallaçit bëri gabime amatoreske, në një ndeshje, ku edhe një pikë do të ishte si fitore.

TIRANA 4 – Bardheblut­ë bënë “vetëvrasje” në Durrës, duke humbur një ndeshje që e kishin në dorë. Partizani u afrua me dy pikë dhe në prag të derbit, presioni rritet, për më tepër që Shehi i bën llogaritë pa Hasanin, Behiratçen dhe Hilën, që u ndëshkuan ndaj Teutës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania