Panorama Sport (Albania)

Nga Adriano te Veron: Inter, pa frikë për trofeun

-

Ecuria e deritanish­me e Interit në Champions League ka bërë të flitet jo pak për zikaltrit. Puna konsideroh­et thuajse e mbaruar për skuadrën e Inzagit, të paktën sipas opinioneve të ish-protagonis­tëve të fushës. Ish-lojtarët zikaltër Adriano, Huan Sebastian Veron dhe ish-trajneri Mircea Luçesku dhe dy prej rivalëve më të fortë të Interit në të shkuarën Alesandro del Piero e Fabio Kapelo kanë shprehur njëzëri jo vetëm besimin për finalen e Interit, por edhe atë mbi trofeun.

ADRIANO - "Nuk humbas asnjë ndeshje të Interit, e lërë më një derbi të Champions League, që vlen biletën e finales. Festova pas fitores dhe mbeta i impresionu­ar jo vetëm nga rezultati, por edhe nga mënyra se si zikaltrit u përballën me një ndeshje kaq të rëndësishm­e: çfarë karakteri, çfarë personalit­eti dhe të mendosh që mund të kishin shënuar më shumë. Tani shpresoj që skuadra e Inzagit të luajë me të njëjtin guxim në ndeshjen e kthimit. Dhe në finale pastaj nuk ka asgjë të sigurt për rivalët e mundshëm të Interit. Unë mendoj që kjo skuadër mund të mposhtë këdo, sepse ka teknikën e duhur dhe vetëdijesi­min për ta bërë këtë".

VERON - "Sinqerisht, pas testit të madh të së mërkurës në mbrëmje, është e vështirë të mos mendosh të shohësh Inzagin në Stamboll më 10 qershor. Le të themi se për momentin Interi ka një këmbë e gjysmë në finale, me gjithë respektin e duhur për Milanin. Janë në kulmin e tyre dhe nisen me dy gola avantazh, do të jetë shumë e rëndësishm­e. Derbi i fituar do të jetë shtysë edhe për Stambollin. Lautaro është kthyer dhe janë të bashkuar dhe të motivuar. Pastaj vrapojnë shumë, shumë".

LUÇESKU - "Më pëlqeu shumë Interi kundër Milanit. Në "San Siro" e admirova nxënësin tim Mikhitaria­n, që e kam trajnuar për vite te Shakhtar Donetsk. E kompliment­ova nëpërmjet mesazhit, sepse e meritonte. Mikhi ka përvojë dhe ka arritur një nivel të jashtëzako­nshëm dhe do të doja që Interi ta fitonte trofeun edhe për të, edhe për historinë time me këtë klub. Besoj se në këtë pikë zikaltrit do të shkojnë për të luajtur për finalen në Stamboll dhe do të gjejnë Mançester Sitin. Gjithçka mund të ndodhë në një finale edhe pse mendoj se Interi do të kishte më shumë shanse me Realin".

KAPELO - "Interi është skuadra më e fortë italiane, të paktën nëse i përmbahemi analizës së individëve dhe cilësisë së grupit. Nëse ata luajnë me intensitet­in që treguan në pjesën e parë të së mërkurës mbrëma, mendoj se mund të luajnë shanset ndaj cilitdo kundërshta­ri. Me kë do të ishte më mirë të përballej në rast të kalimit në finale? Mendoj se Reali taktikisht është shumë i vëmendshëm dhe i përgatitur dhe nuk ju lejon të keni hapësira. Mançester Siti pastaj ushtron shumë presion dhe nuk të lë të luash nëse nuk e përgatit si duhet. Do të duhej një përgatitje perfekte taktike, sepse ka forcë dhe fuqi në skuadrën e Guardiolës. Kush nga lojtarët e Interit mund të luajë për Sitin? Patjetër Çalhanoglu, i cili ka cilësinë, shpejtësin­ë dhe forcën për të luajtur. Xheko e ka bërë tashmë këtë, pastaj sigurisht, Lautaro, Onana, por edhe Bastoni për potenciali­n dhe moshën që ka".

DEL PIERO - "Mikhitaria­n, Barela dhe Çalhanoglu janë lojtarë fantastikë nga ana teknike dhe nga personalit­eti. Kam vite që them që Interi ka skuadrën më të mirë në kampionat, në të gjitha repartet, por ka një mesfushë shumë të fortë. Kur ke lojtarë të tillë që luajnë në këtë nivel, mund të përballosh gjithçka. Ndoshta vuajnë disi gjatësinë, por cilësia që kanë dhe kilometrat që bëjnë për topin tregojnë shumë".

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania