Panorama Sport (Albania)

Fantastike, Distria Kransiqi e para në ranglistën botërore

-

Kosova vazhdon të shënojë arritje të mëdha me sportin e xhudos. Përditësim­i i fundit i ranglistës botërore të këtij sporti e ka kaluar Distria Krasniqin në vendin e parë në botë për në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë. Distria ishte e dyta, pas Chelsie Giles të Britanisë së Madhe, por në renditjen e re të publikuar dje, kampionia kosovare ka marrë kryesimin, duke udhëhequr me 7275 pikë, ndërsa Giles ka zbritur në vend të dytë me 7010 pikë. Distria Krasniqi në Botëror u rendit e pesta, duke marrë 720 pikë dhe kjo i mundësoi asaj që të ngjitej në krye të ranglistës botërore. Kjo nuk është hera e parë për sportistet e Kosovës që mbajnë kryesimin botëror në xhudo, pasi më parë këtë gjë e kanë bërë edhe Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kg dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kg. Nora Gjakova në klasifikim­in aktual ka fituar dy pozicione, teksa renditet në vend të gjashtë në kategorinë e peshave deri në 57 kg. Laura Fazliu ka humbur dy vende dhe tani renditet e 13-ta në kategorinë deri 63 kilogramë. Loriana Kuka ka humbur një pozicion dhe tani është e 23-ta në kategorinë deri 73 kilogramë. Erza Muminoviq renditet e 68-ta në kategorinë deri 52 kg, duke fituar 10 vende. Flaka Roxha zbriti një shkallë dhe tani është e 35-ta në 57 kg. Ndërsa Akil Gjakova është i 50-ti në kategorinë deri 73 kg, duke u ngjitur me tri pozicione. Për sa u përket xhudistëve të Shqipërisë, pozicionim­in më të mirë e mban Indrit Çullhaj, i cili renditet në vend të 343-të në peshat deri 73 kg.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania