Panorama Sport (Albania)

Mbahet turneu ndërkombët­ar “Muhamet Malo”, Kevin Kupi e Zelimkhan Abakarov më mirët

-

Për dy ditë më radhë më datat 13-14 maj në Tiranë u zhvillua turneu ndërkombët­ar i mundjes, “Muhamet Malo”, që këtë vit mbante edicionin e tij të tretë. Një kompeticio­n që sa vjen dhe bëhet më masiv, teksa këtë herë shënoi pjesëmarrj­en e rreth 170 sportistë nga 12 shtete, të cilët dhuruan sfida mjaft të bukura në sallën “Farie Hoti”. E shtuna ishte dita e dueleve në stilin greko-roman. Në këtë stil sportisti më i mirë i aktiviteti­t u shpall Kevin Kupi i Shqipërisë, i cili fitoi medalje të artë në peshat 77 kg. Ndërkohë duke shtuar medaljet e argjendta nga Jurgen Uku (63 kg), Ardit Ndoj (77 kg), si dhe të bronztat e Andi Dyshnikut (63 kg), Ardit Zenelit (67 kg), Juljan Shehut (97 kg) dhe Eduard Picës (130 kg), kombëtarja shqiptare arriti që shpallej kampione ekipore në mundjen greko-romane, ose siç njihet ndryshe në atë klasike. Më pas të dielën ishte radha për ndeshjet e stilit të lirë. Në këtë stil, çmimin e sportistit më të mirë të aktiviteti­t e fitoi Zelimkhan Abakarov. Kampioni i Botës për Shqipërinë bëri të tijën medaljen e artë në peshat 61 kg. Medalje ari për flamurin kuqezi regjistroi edhe Islam Dudaev (65 kg), ndërsa Eriglent Prizreni (70 kg) dhe Paris Karepi (125 kg) regjistrua­n medalje argjendti. Në klasifikim­in ekipor në stilin e lirë, Shqipëria u rendit e dyta, pas Kazakistan­it. Kështu turneu “Muhamet Malo” uli siparin pas dy ditësh duele mjaft të bukura, me adrenalinë dhe me një nivel tepër të lartë, duke i argëtuar jo pak të pranishmit. Në tabelë pasqyrohen të gjithë kampionët sipas peshave si dhe renditjet ekipore.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania