Panorama Sport (Albania)

Italia bën ligjin, Bexeki-banjaja barazojnë rekordin e vitit 2006

-

Çmimi i Madh i Francës në Moto GP, i zhvilluar të dielën në Lë Mansh, shënoi një seri rekordesh të rëndësishm­e në historinë e botërorit. Patëm disa rekorde të thyera dhe disa të tjera të barazuara, të paktën për momentin. Një garë që shënoi një rekord që na kthen pas në kohë në vitin 2006, në një sezon legjendar (por të pafat), me 4 triumfe nga pilotët italianë në 5 garat e para të kampionati­t. Nuk kishte ndodhur që nga viti 2006: në atë kohë në pistë kishte pilotë të kalibrit, si Valentino Rosi, Loris Kapirossi dhe Marco Melandri. Këtë herë, megjithatë, i takon dyshes së formuar nga Peko Banjaja dhe Marko Bexeki. Ndërsa, tashmë, në garën e radhës në Muxhelo, pritet për t’u parë nëse do të kemi një thyerje të këtij rekordi. Botërori i Moto Gp-së më 11 qershor do të ketë ndalesën në Itali, aty ku Banjaja dhe Bexeki shkojnë me ide të qarta, për të marrë fitoren. Fillimi i sezonit ka qenë i mrekullues­hëm për dy pilotët e Dukatit: me nga dy fitore secili, ndërsa të dy tani ndahen me vetëm një pikë në renditjen e pilotëve, me Banjajën që mban vendin e parë. Dueli mes tyre bëhet tashmë edhe më elektrizue­s, për vetë faktin se beteja e radhës është në tokën mëmë, në Itali. Në Muxhelo do të kenë edhe publikun e zjarrtë që do t’ia shtojë edhe më tepër bukurinë kësaj sfide. Ndërkohë pas dyshes kryesuese italiane, një kampionat mjaft të mirë po bëjnë edhe afrikano-jugori i skuadrës KTM, Bred Binder, i cili renditet në vend të tretë, 13 pikë larg kreut, si dhe spanjolli Horge Martin i Dukatit, në vend të katërt me 14 pikë pas Banjajës. Por, duke u rikthyer të gara në Lë Mansh, siç u përmend më lart, shumë statistika u rishikuan: fitorja e Bexekit shënoi edhe Çmimin e Madh të 31-të radhazi me (të paktën) një pilot në podium për Dukatin, përveç fitores së katërt radhazi në tokën franceze pas asaj të Petruçit në vitin 2020, Milerit në vitin 2021 dhe Bastianini­t në sezonin e kaluar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania