Panorama Sport (Albania)

Djarmati: Të kuqtë dështuan për 15 sekonda, prisja titullin në Shkodër

-

I kthyer me pushime nga India, Matko Djarmati, aty ku bashkë me trajnerin Tomas Brdariç vazhdojnë karrierën e tyre, ka dhënë opinionin e tij për “Panorama Sport”, në lidhje me Superioren, derbin e kryeqyteti­t, ku sipas ishdrejtor­it të Vllaznisë, të kuqtë kanë dështuar nga një pakujdesi e vogël për titullin kampion të këtij sezoni, edhe pse ai thekson se java e ardhshme do të tregojë edhe më shumë.

Një vit në Indi, si mund ta përshkruan­i këtë rrugëtim deri tani që është mbyllur edhe sezoni?

Sezoni i parë në Indi, një eksperienc­ë shumë e madhe që do të më ndihmojë gjithë jetën, sepse njoha shumë futbollin aziatik. Është për të ardhmen, cilësia e ligës është e varur nga lojtarët e huaj dhe ata indianë kanë një nivel më të ulët sesa lojtarët shqiptarë. Kemi përfunduar në vendin e shtatë dhe nuk e kemi arritur dot “play off”in për tri pikë. Për fat të keq edhe në Kupë jemi eliminuar në çerekfinal­e. Si unë dhe Brdariç mendojmë se nuk ishte një sezon i mirë, por ekipi mund të them se ka përparuar shumë.

Cilat janë planet për të ardhmen, do të vazhdoni aty apo mendoni një rikthim në Europë apo Shqipëri?

Kontrata është deri më 31 maj dhe jemi në bisedime. Siç janë gjërat tani nuk mund të them një përgjigje të saktë, a do të vazhdojmë apo do të ikim diku tjetër. Si unë dhe Tomasi jemi në të njëjtën situatë, do të presim 31 majin dhe më pas do të shohim si do të jetë e ardhmja.

E keni ndjekur Superioren? Çfarë përshtypje ju la derbi Tirana-partizani?

Po, e kam ndjekur të gjithë kampionati­n dhe jam informuar shumë mirë. Partizani-tirana e ndoqa në stadium dhe përshtypja ime ishte që në këto ndeshje nuk ka fituar Partizani kundër një Tirane që nuk ishte në gjendje të mirë dhe me shumë mungesa. Mendoj se Partizani ka humbur kampionati­n me atë ndeshje.

Mund ta menaxhonte më mirë avantazhin skuadra e Partizanit në atë ndeshje?

Si një spektator që e shoh nga jashtë, nuk mund të flas për analizë të thellë për Partizanin. Është shumë e vështirë. Lojën e dominuan dhe në momentin më të mirë pësuan një gol nga distanca, nga një lojtar, i cili ishte i vetëm në mesfushë dhe askush nuk i ka dalë t’i bëjë bllok përpara. Patjetër që mund ta menaxhonin më mirë. Ishin shumë dominues dhe nuk besova se Tirana do të kthehet në lojë. Një pakujdesi, 15 sekonda pa përqendrim dhe Partizani dështoi për titullin.

Mendoni se titulli është temë e mbyllur apo këto tri javë mund të ketë edhe surpriza në rezultate?

Ka edhe tri javë deri në fund, Tirana shkon në një ndeshje të vështirë në Laç, por të mos harrojmë se edhe Partizanin e pret një takim i njëjtë me Vllazninë në shtëpi, e cila është në një situatë që kërkon të kapë Europën. Besoj se javën tjetër do të vendoset se kush do të dalë kampion.

Kalojmë pak te Vllaznia, a ju ka befasuar ky sezon duke qenë se pritshmëri­të kanë qenë të mëdha dhe tashmë rrezikohet edhe Europa?

Mund të flas vetëm për lojën që shoh nga jashtë sepse nuk e di si janë gjërat brenda në klub. Mendova se pas dy viteve me trofe, ky do të ishte ai viti i duhur për titullin e Vllaznisë, duke marrë parasysh se edhe Tirana dhe Partizani shitën lojtarët kryesorë. Ndërkohë Vllaznia i ka mbajtur të gjithë dhe nuk ka shitur asnjë. Madje kam qenë unë që kam kërkuar një lojtar dhe ata nuk kanë pranuar. Mendova se do të kishin rezultate më të mira pasi si grup janë shumë të kompletuar.

Çfarë nuk shkoi me Mirel Josën?

Shumë e vështirë të jap një koment. Kur ishte koha me unë e dija shumë mirë se kush ka përgjegjës­i për sjelljen e lojtarëve. Patjetër që kemi gabuar me disa lojtarë, sepse sollëm shumë dhe nuk mund të të dalin të gjitha afrimet ashtu siç i pret. Unë mendoj se ekipi që u ndërtua për Brdariçin nuk u përshtat për stilin e Mirel Josës. Çdo trajner ka një stil të ndryshëm. Brdariç ishte më agresiv dhe luan një lojë sulmuese me presing dhe ka nxjerrë maksimumin nga lojtarët e tij. Kur Josa ishte te Vllaznia ka përdoruar nëntë lojtarë nga ekipi i Tomasit dhe me dy ndryshime në fillim të sezonit. Çdo gjë tjetër ka qenë njësoj dhe prandaj mendoj se ky ka qenë gabimi te shkodranët, që ekipi duhet të ndërtohej nga trajneri, që t’i përshtatej edhe stilit të tij të lojës. KRISTI SEJATLLARI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania