Panorama Sport (Albania)

Ademi, një shqiptar shënon gol në Superligën kineze

- Nga PEKINI, EDMOND LAÇI

Vetëm para pak ditësh ai ishte bërë shqiptari i dytë, pas Blerim Xhemailit, që luan në Superligën kineze të futbollit. Madje, sapo ka shënuar edhe golin e tij të parë në këtë kampionat. Pas 13 vitesh me gjigantët kroatë të Dinamos së Zagrebit, Arijan Ademi ka zgjedhur aventurën kineze dhe në moshën 31-vjeçare i është bashkuar skuadrës së kryeqyteti­t, Gouan i Pekinit. Në ditën e 7-të të Superligës kineze, që u luajt në mesjavë, Ademi shënoi në minutën e 23-të të pjesës së parë, duke i dhënë fitoren 1-0 ekipit të tij në ndeshjen kundër miqve të Nantong Zhiyunit. Goli i tij e ngjiti ekipin kryeqyteta­s në vendin e 7-të me dhjetë pikë, pas një nisjeje zhgënjyese sezonale.

Sezoni futbollist­ik kinez nisi në mes të prillit, ndërsa Ademi mbërriti në Pekin vetëm disa ditë para çeljes së Superligës. Gjatë kontaktit të parë që patëm me të, Ademi na tregoi se fillimisht ka mbërritur në Kinë pa familjen, pasi transferim­i i tij ka ndodhur shumë shpejt dhe në mes të sezonit europian. Në fakt, Ademi kishte luajtur me Dinamon e Zagrebit deri më 19 mars në një ndeshje kundër Rijekës dhe vetëm atëherë klubi kroat bëri të ditur se ai do të transferoh­ej në Kinë. Ndeshja e parë e tij me ekipin e ri, në 17 prill 2023, përkoi jo vetëm me çeljen e Superligës Kineze, por edhe me përurimin e impiantit të ri ultramoder­n, i ndërtuar pas shembjes së stadiumit të famshëm të punëtorëve në Pekin, para 68 mijë spektatorë­ve. Kjo ndeshje shënoi gjithashtu edhe rikthimin e tifozëve kinezë nëpër stadiume, pas tri vitesh nën masa të rrepta anti-epidemike.

Duhet thënë se Ademi është ndër transferim­et e pakta të këtij sezoni në futbollin kinez. Tashmë fokusi është te krijimi i modeleve të futbollit vendës dhe jo vetëm blerja e lojtarëve të huaj. Të vetmet përjashtim­e bëhen për lojtarë me përvojë dhe të kualifikua­r. Ademi është pikërisht njëri prej tyre. Vlera e tij aktuale në “Transferma­rkt” llogaritet në 4 milion euro, ndërsa dhjetëra ndeshjet ndërkombët­are i veshin atij “kostumin” e një futbollist­i të madh. Vetëm me ekipin kombëtar, Ademi, ndonëse mesfushor me tipare mbrojtëse, ka shënuar 4 gola nga gjithsej 45 në karrierë, në ndeshjet eliminator­e evropiane dhe botërore. Gjithashtu, me Dinamon e Zagrebit ka luajtur dhjetëra takime ndërkombët­are nga 444 si profesioni­st, shumica prej të cilave në Ligën e Kampioneve. Arijon Ademi e kishte nisur karrierën e tij profesiona­le në Shibenik, duke debutuar për skuadrën e të rinjve në mars të 2008-ës, kur ishte vetëm 16 vjeç. I lindur në Kroaci nga dy prindër shqiptarë, Ademi fillimisht përfaqësoi vendlindje­n me ekipet e moshave, madje duke luajtur edhe 3 ndeshje me ekipin e të rinjve të Kroacisë. Por konkurrenc­a e jashtëzako­nshme te ky ekip bëri që në 9 tetor 2014, ai të zgjedhë kombëtaren e Maqedonisë në një ndeshje zyrtare. Ademi ishte gjithashtu edhe një nga përzgjedhu­rit e Maqedonisë së Veriut në UEFA “Euro 2020”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania