Xhaferi: Europa detyrim, dështimin ia faturoj vetes
Presidenti i klubit të Vl laznisë, Alban Xha feri, është shprehur i bindur se ekipi do të arrijë të sigurojë vendin e katërt pas dy ndeshjeve të mbetura. Pozicion ky, që e dërgon skuadrën e tij në kompeticionin e Ligës së Konferencës së sezonit të ardhshëm, pasi Kupën e Shqipërisë mund ta fitojë njëra mes Egnatias dhe Tiranës, që renditen në tri vendet e para. Kuqeblutë kanë pasur shumë oshilacione në këtë sezon. Në një intervistë për mediat, presidenti Alban Xhaferi ka theksuar se mosfitimi i Kupës, ashtu dhe titullit kampion, janë një dështim në Shkodër, por me të përfunduar ky sezon, atëherë do të bëhet një analizë e thellë, ku edhe do të vendosen përgjegjësitë dhe e ardhmja e klubit. Kupat e Europës janë objektivi i vetëm aktualisht, ndërsa nënvizon se tashmë djemtë shkodranë kanë në këmbët e tyre arritjen në garat europiane.
Si e shikoni këtë ecuri të ekipit tuaj?
Në fund të sezonit duhet të ulemi dhe t'i bëjmë ato analizat tona. Sigurisht dalja nga gara në kampionat dhe eliminimi nga Kupa, për ne ishte dështim. Duhet ta pranojmë të gjithë. Për këtë gjë dhe unë kam kostot e mia. Sigurisht që duhet të luftojmë deri në fund për të arritur objektivin tonë, Ligën e Konferencës. Unë jam optimist. Tashmë është në këmbët e djemve për të arritur këtë objektiv dhe këto dy ndeshje t'i vlerësojmë maksimalisht, që Shkodra të gëzohet dhe të kemi pjesëmarrje në Ligën e Konferencës.
Keni rezervuar një operacion "fshesa" pas përfundimit të sezonit?
Është herët, pa mbaruar sezoni nuk mund të flas për këtë. Unë mendoj se ky sezon duhet analizuar thellë. Bëhet fjalë për një sezon, ku kemi bërë gabimet tona. Ndryshimet, dëmtimet, janë një sërë faktorësh, që në fund do t'i bëjmë analizën dhe duhet të dalim me konkluzionin tonë. Unë dua t'i kërkoj falje edhe tifozerisë shkodrane. Që në fillim Vllaznia ishte me objektivin për titullin kampion. Edhe Kupa sigurisht ishte pjesë e objektivave, por tani të paktën të arrijmë atë objektivin minimal, kupat e Europës dhe të gëzohemi në fund.
Mosarritja në kupat e Europës, çfarë pasojash mund të ketë, mund të rrezikohen financat e Vllaznisë?
Vllaznia është një klub privat dhe nuk merr nga bashkia asnjë cent në këto vite. Vllaznia i ka financat e sigurta. Kemi dy vite që kemi
fituar Kupën dhe kjo ka qenë një gjë e mirë për financat e klubit, por në fund mund të them se kemi financa të sigurta dhe vitin tjetër do të vazhdojmë me të njëjtat objektiva. Dua të them se kemi filluar punën edhe për bërjen e skuadrës për sezonin e ri. Teksa si U-21 e U-17, dua t'u uroj suksese të mëtejshme për shpalljen kampion.
Ka nisur puna për sezonin e ri?
Puna për sezonin e ri ka filluar për më shumë se një muaj. Ne jemi në fazën e studimit të ekipit të ardhshëm. Merkatoja është gjithmonë aktive dhe gjithmonë synojmë për të bërë një ekip garues. Kampionati ka qenë i gjatë, ka pasur ato problematikat e veta, por mendoj se ne do të mundohemi që të ruajmë një bazë të mirë të grupit aktual dhe më pas të plotësohemi me ato pozicione, ku kemi nevojë, që të jemi konkurrentë. Duhet të përmirësohemi. Ne vijmë duke mësuar prej gabimeve. Duhet pasur parasysh që në dy vite ne kemi fituar dy Kupa, që ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm për mendimin tim. Duhet të përmirësohemi dhe gabimet na bëjnë që ne të përmirësohemi.
Dështimin ia faturoni vetes, stafit teknik apo lojtarëve?
Në radhë të parë dështimet ia faturoj vetes, sepse siç thashë më përpara ne kemi pasur një objektiv, që nuk e kemi arritur dhe për këtë gjë, unë paguaj kostot e mia, si presidenti i Vllaznisë dhe aksioneri kryesor i klubit. Pastaj analiza do të bëhet mbas kampionatit dhe aty gjithsecili do të marrë meritat dhe dështimet.
U druheni aleancave në dy ndeshjet e fundit?
Ne jemi Vllaznia dhe do të vazhdojmë të bëjmë lojën e bukur e të drejtë. Unë prandaj jam këtu, për të siguruar të gjithë tifozët që Vllaznia do të luajë siç ka luajtur këto tri vite, futbollin më të drejtë të mundshëm dhe sigurisht të prodhojmë futboll, sepse ajo na bashkon këtu. Pastaj këto aleancat mua më neveritin. Ne do të luajmë me këmbët tona dhe aleancat i kam neveri.
Çfarë do të bëhet me stafin teknik?
Mbas kampionatit do të flasim edhe për stafin teknik.
Të enjten luhet Vllaznialaçi. Sa përcaktuese është për vendin e 4-t?
Me Laçin është ndeshje përcaktuese, sepse një fitore e Vllaznisë është një hap i sigurt për të arritur këtë objektiv. Tani të presim të enjten. Ne i kemi marrë të gjitha masat për të qenë sa më të përgatitur në këtë ndeshje.