Bylisi beson ende, Eskuerdinja: Të pamundurën për mbijetesën
Ballshiotët kanë edhe 180 minuta lojë për të siguruar mbijetesën dhe do të kërkojnë të bëjnë maksimumin. Barazimi me Kukësin ka lënë shije të hidhur në Mallakastër dhe sidomos në kampin ballshiot, ku synimi ishte marrja e pikëve të plota. Fitorja u iku nga duart në minutat e fundit të shtesës. Në radhë është Tirana dhe në Ballsh duket se do të respektojnë garën. Ballshiotët në këtë sfidë, që luhet në Rrogozhinë, shkojnë me llogari. Një nga lojtarët titullarë, braziliani Eskuerdinja, që i shënoi Tiranës në fazën e tretë në Ballsh, në prononcimin e dhënë për "Panorama Sport", flet për ndeshjen me Kukësin dhe zbulon pretendimet për ndeshjen e radhës. "Ka qenë një ndeshje e bukur ajo me
Kukësin, të cilën duhet ta fitonim me çdo kusht, sepse ishte si finale. Natyrisht që ndikuan edhe gabimet tona, por nuk duhet të përsëriten më, sepse tashmë jemi në fund të garës dhe kanë shumë kosto për ne. Jo vetëm matematika na mban në lojë, por edhe vetë kemi besim dhe do të bëjmë të pamundurën që ta mbajmë Bylisin në elitë. E meritojmë, sepse kemi bërë një sezon mjaft të mirë. Madje jemi treguar dinjitozë edhe me ekipet, që synojnë titullin duke mos qenë aspak inferiorë ndaj tyre. Tirana kërkon titullin, ne mbijetesën. Bëjmë lojë dhe krijojmë shumë raste, godasim shtylla, por në futboll askush nuk pyet si luajte, por sa dole? Do të kërkojmë që të jemi 'fair play', të bëjmë futboll të bukur duke respektuar garën dhe klubin tonë, sepse është bërë një investim kolosal dhe ne duhet ta mbajmë Bylisin në elitë. Më erdhi shumë keq që shkoi ashtu me Kukësin dhe pati një fund të atillë. Tashmë duhet të jemi kompaktë dhe të përgatitemi për të bërë më të mirën në sfidat e fundit të garës", tha braziliani i Bylisit, mesfushori Eskuerdinja, që ka realizuar tre gola ndaj Bylisit, një prej të cilëve ndaj Tiranës. Ndërkohë, ballshiotët janë grumbulluar fill pas sfidës me Kukësin në Ballsh. Të gjithë, staf dhe lojtarë, janë të fokusuar për dy sfidat e radhës në kampionat. Pavarësisht dëshirës, duhet thënë se misioni për mbijetesën është shumë i vështirë për Bylisin, që luan me Tiranën e më pas me Vllazninë. ERJON SALIU