Korabi thyen Tomorin mes polemikave, vendos Keko
Vendësit, pretendime për gol të padhënë dhe një penallti
Dibranët shkojnë në finale, beratasit ndihen të vjedhur
Korabi fik shpresat e Tomorit për rik thimin në elitë, duke u kualifikuar për në finalen e “play off”-it, teksa këtë të diel do të luajë kundër Flamurtarit, nga ku më pas do të përcaktohet edhe skuadra që do të përballet me vendin e tetë të Superiores. 90 minutat e djeshme në Berat kanë qenë të mbushura me polemika, ndërsa fitoren e dibranëve e vendosi goli i sulmuesit Albers Keko në minutën e 74-t. Tomorit i mjaftonte edhe barazimi ndaj Korabit, pasi kualifikohej për më tej si skuadra që kishte renditje më të mirë në klasifikimin e përgjithshëm, por miqtë u treguan cinikë dhe gjetën golin pas një goditjeje dënimi. Beratasit pësuan zhgënjim të madh edhe prej gjykimit të treshes shkodrane me kryesor Indrit Myrtjen, duke pretenduar për një gol në minutën e 43-të, si dhe një penallti të padhënë. Vlen të theksohet se Tomori goditi dy herë traversën dhe shtyllën pingule në secilën pjesë, teksa protagonist u bë mbrojtësi i majtë, Klevis Shaqe.
PJESA E PARË
Starti është më i mirë për vendësit, që krijojnë raste për shënim me Ismailajn, Lavalin, Dushkajn dhe Çaçon, por portieri Qyrani nuk lejon prekjen e rrjetës. Miqtë mbrohen mirë dhe gjithçka ia besojnë me topa të gjatë kundërsulmit, ku Keko, Kasalla dhe Joti, janë protagonistë. Portieri Boje është i vëmendshëm dhe eviton rrezikun në momentet kur dibranët shkojnë në zonën e Tomorit. Korabi është në pozita pritjeje gjatë gjithë kohës, duke përdorur një taktikë që befasoi edhe vendësit. Fundi i pjesës parë mbyllet me dy raste të arta për Tomorin, ku fillimisht Ismailaj nga fundorja kroson në zonë dhe Shaqe me kokë e përplas topin në traversë. Më pas, i njëjti lojtar, i ndodhur afër portës, gjuan, por Joti në vijën fatale largon topin. Beratasit protestojnë fuqishëm, duke pretenduar se duhej akorduar gol, pasi “sfera” kaloi vijën, por nuk janë të këtij mendimi arbitrat dhe skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura.
PJESA E DYTË
Janë sërish beratasit që kërkojnë golin pas pushimit. Kasmollari, Shaqe, Deliu dhe Ismailaj provojnë me goditje nga brenda dhe jashtë zone, por janë të pafat. Në momentin më të mirë të Tomorit, Korabi fiton një goditje dënimi në pozicion ballor, ku me dy pasime shkurt të Mziut dhe Tabakut për Kekon, ky i fundit realizon një gol të
bukur, pavarësisht devijimit që i bëri topit portieri Boje. Tomori nuk dorëzohet dhe në minutën e 77-të kërkon penallti pas një krosimi të Ismailaj në zonë, ku topi preket me dorë nga një mbrojtës i Korabit. Mirëpo, arbitri vijon lojën dhe deri në fund dibranët rezistojnë mirë.