Klodian Arbëri: Ndeshjen e vendosi arbitri, na mohuan gol
Klodian Arbëri ka shpërthyer ndaj gjyqtarëve pas ndeshjes ndaj Korabit. Trajneri i Tomorit mendon se ekipi i tij meritonte të kalonte më tej, por e ndalën me arbitrat, duke iu referuar rastit të minutës së 43-të, ku nuk u akordua gol në favor të beratasve. Shaqe goditi afër portës dhe Joti i Korabit e largoi topin kur kishte kaluar vijën fatale. “I zhgënjyer nuk e them kurrë, sepse jam krenar për ekipin në çdo lloj aspekti. Që nga fillim e kemi arritur me meritë, ndërsa te gjykimi pastaj t’ia lëmë të tjerëve. Nga rezultati i zhgënjyer normalisht se në futboll duhet të mundesh në mënyrë loje, jo nga të tjera gjëra. I kemi me video rastet dhe po ta shikoni, është gol i rregullt në fundin e pjesës së parë. Ka kaluar topi vijën fatale, ka hyrë gjysmë metri brenda. Nëse e kam gabim, nuk merrem më me futboll. Nga mënyra e lojës jam krenar, pastaj ndikojnë persona të tjerë. Në pjesën e lojës triumfuam në çdo lloj aspekti dhe kjo u pa qartë. Deri këtu ku erdhëm, kemi ardhur me meritë. U thashë djemve më mirë e mbyllim me dinjitet si luajtëm, ndërsa për mënyrat e tjera nuk mbaj përgjegjësi. Po i fal të gjitha të tjerat, marr vetëm golin e padhënë, sepse për këto ndahet futbolli, në gjëra të vogla. Nuk duhet të ndikojnë gjërat e jashtme. Desha të shkonim në fazën tjetër, që djemtë të afirmoheshin dhe të krijonim një grup të mirë. Gjithsesi, nuk deshën të na linin. Fat është kur nuk hyn topi, ne e bëmë golin e nuk na e quajtën. Jam shumë i kënaqur nga djemtë që punova. Shpresoj të kemi vazhdimësi vitin tjetër dhe ta ruajmë këtë grup, për të shkuar drejt Superiores”, ka thënë Arbëri pas ndeshjes për “Oversport”.