Prapaskena, Juvja tentoi një pakt prej -5 pikësh
Një sezon i hedhur në erë, thellohet edhe gropa financiare
Gjyqi, Apeli i vendosur për ta lënë jashtë Champions-it
Pak minuta përpara fillimit të ndeshjes me Empolin në transfertë, Juventusi mori goditjen më të madhe të sezonit, një grusht që la shenja edhe në fushën e lojës, ku skuadra e Maks Alegrit u mposht 4-1: 10 pikë penalizim (zbritja nga 69 në 59 pikë), zbritje nga vendi i dytë në të shtatin në renditje, i cili do të thotë jo vetëm dalje nga zona Champions, por disfata në “Kastelani” i mohoi edhe mundësinë që të kishin një shans në dy javët e fundit për të provuar të bënin mrekullinë e radhës, duke qenë se Milani do të mund të kishte qenë vetëm 2 pikë larg. Po jo, këtë herë goditja psikologjike ishte nga ato pa kthim, sepse për të dytën herë ato panë që t’i hiqeshin pikë në renditje dhe të hidhnin në erë të gjitha sakrificat e bëra nga një Juventus me shumë limite në dy sezonet e fundit. Por mesa duket bardhezinjtë, madje specifikisht vetëm bardhezinjtë, ishin ata që duhet të paguanin për çështjen e plusvalencave (fryrjen e çmimeve të lojtarëve të ndryshëm për të ndikuar në përmirësimin fiktiv të bilancit). Barra mbi shpatulla dhe në ndërgjegjen e “Zonjës së Vjetër” ka qenë shumë madhe, aq sa edhe në
gjyqin e të hënës u bë e padurueshme. Kjo, pasi siç raporton “Corriere dello Sport”, nëse avokatët e Juventusit në Kolegjin e “CONI”-T (Komiteti Olimpik Italian) kishin kërkuar pafajësi totale dhe arkivimin e kësaj çështjeje, në përballjen e radhës me Apelin e Federatës Italiane tyë Futbollit,
ishin gati që të bënin një pak edhe me organin në fjalë për të pranuar deri në 5 pikë dënim, vetëm për t’i dhënë fund këtij makthi. Madje, avokatët bardhezi e kërkuan me tone nervoze këtë, duke krijuar zhurmë në sallë. Por pala akuzuese jo vetëm që nuk e mori parasysh, por këmbënguli
deri në fund për 11 pikë, ndonëse në fund gjykata vendosi për kuotën 10, e cila pa Juven që të humbte nga kontakti jo vetëm një objektiv minimale, por me këtë dënim të pësojë edhe një humbje financiare të frikshme, duke marrë parasysh paratë që garanton Champions-i.