Troka e shkurorëzoi, shfryn Megi Doçi: Kokëdhima është e keqja e futbollit
Lojtarja e Vllaznisë, akuza për “Këpucën e Artë”
Vllaznia finalizoi një tjetër kampionat të jashtëzakonshëm, duke fituar titullin e dhjetë kampion radhazi, për të vendosur tashmë yllin e shumëdëshiruar në fanellë. Protagoniste kryesore e suksesit të vajzave kuqeblu si gjithnjë edhe në këtë kampionat ishte Megi Doçi, e cila pas titullit deklaroi: “Jam shumë e lumtur për këtë sukses të radhës, sepse janë shumë vite punë dhe sakrifica, por në fund u shpërblyem dhe shpresoj të kemi bërë krenarë jo vetëm këta tifozë që ishin në stadium, por edhe gjithë qytetin e Shkodrës. Vendosja e yllit në fanellë sigurisht që është një kënaqësi më shumë, sepse na janë dashur shumë vite punë të vijmë deri këtu. Fitoret për ne kanë qenë gjithmonë detyrim. Këto suksese janë pa dyshim një merite e të gjithë vajzave, e stafit teknik dhe veçanërisht e presidentit Lazer Matija”, u shpreh Megi Doçi. Por ndryshe nga sezonet e mëparshme, Doçi këtë herë nuk mundi që të fitonte “Këpucën e Artë”. Bomberja e Vllaznisë e mbylli kampionatin me 61 gola, por që nuk mjaftuan, pasi Valentina Troka e Apolonisë bëri më mirë, duke e tundur rrjetën plot 65 herë. E pyetur për trofeun e golashënueses, Doçi, shpërtheu në akuza të forta ndaj presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima. “Unë di të them se Megi Doçi e ka treguar veten si te Vllaznia,
si ne ekipin kombëtar, e po ashtu edhe në Champions League. Prandaj, nuk më intereson shumë se çfarë bëhet jashtë futbollit. Do të thosha se nëse ka diçka të keqe futbolli shqiptar sot, ai është Koço Kokëdhima. Sa të jetë ai, futbolli në vendin tonë nuk ka për të ecur përpara”, deklaroi Doçi.