Panorama Sport (Albania)

Bylisin nuk e ndal askush, zgjohen Lushnja dhe Burreli

-

Ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e fazës së dytë të Kategorisë së Parë, ku në përfundim do të vendoset edhe skema e shortit për fazën e tretë, ku padyshim gjashtë të parat janë më favorizues­e duke pasur një ndeshje më shumë në shtëpi. Java e 21-të ka dhuruar rezultate thuajse të pritshme, ku disa skuadra janë konfirmuar në objektivat e tyre. Një javë disi e tensionuar, ku nuk kanë munguar edhe kartonët e kuq, që deri diku përcaktuan edhe ecurinë e skuadrave të ndëshkuara. Bylisi vazhdon të mos njoh kundërshta­rë, ku Besa ishte "viktima" e radhës e ballshiotë­ve, ndonëse ishte pritëse. Takimi i zhvilluar në "Arenën e Demave" u fitua 2-0 nga Bylisi, por duhet theksuar se Besa luajti një pjesë loje me 10 vetë, pas daljes me karton të kuq të sulmuesit Mustafa Ba. Bylisi vazhdon kryesimin, ndërsa kavajasit kanë zbritur sërish në zonën "e ftohtë". Elbasani i trajnerit Nevil Dede zhvilloi një ndeshje argëtuese ndaj Luzi 2008, takim i cili u fitua nga verdheblut­ë në shifrat 5-2. Te elbasanasi­t vjen zhbllokimi i sulmuesit Ardit Hoxhaj që shënoi dy gola, ndërsa sulmuesi Mandela i Luzit është konfirmuar si golashënue­si më i mirë i Kategorisë së Parë me 11 gola. Elbasani ruan hapin e Bylisit, si dhe mban larg ndjekësit nga poshtë. Me ardhjen e trajnerit Eqerem Memushi, Flamurtari ka ndryshuar fytyrë dhe trajektore duke mbajtur gjallë ëndrrën për një biletë Superiore. Në javën e fundit Flamurtari fitoi në shtëpi në shifrat 2-0 ndaj Korabit, ku heroi i takimit ishte braziliani Indio De Olivera, që shënoi dy gola. Kjo mund të quhet java e Lushnjës, pasi në "Roza Haxhiu" morën një fitore me peshë ndaj Vorës, në shifrat 2-1, ku spikati dygolëshi i Mikel Cankës, pikërisht në ditën e 37-vjetorit të lindjes. Gjithsesi, ky takim u kushtëzua edhe nga dalja me karton të kuq e portierit të Vorës që në minutën e 19-të të ndeshjes. Në fund Vora e mbylli me 9 vetë, pasi në minutën e 85-të u ndëshkua me karton të kuq edhe Tabaku. Me këtë sukses Lushnja ka shpresa që të kap vendin e gjashtë në fund të fazës së dytë, ku e pret përballja direkte me Korabin. Burreli ka bërë detyrën në shtëpi duke fituar në shifrat 2-0 ndaj Tomorit. Me këtë disfatë beratasit e shtojnë më shumë rrezikun, ndërsa matjanët për momentin kanë dalë nga zona "e ftohtë". 90 minuta e fundit të fazës së dytë pritet të jenë "të zjarrta" pasi vendosin deri diku" ecurinë e skuadrave në fazën e tretë të kampionati­t të Kategorisë së Parë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania