Shifrat e pesë javëve të fundit, Apolonia me ritëm mbijetese
Apolonia, edhe pse dha shenja rizgjimi dy javë më parë ndaj Luzi 2008, dukshëm nuk po kalon një moment të mirë. Këtë fillimisht e tregoi humbja ndaj Bylisit me shifrat 3-1 dhe më pas barazimi 1-1 ndaj Kastriotit në “Loni Papuçiu”. Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, fierakët kanë marrë vetëm 5 pikë, një ecuri që në kushte të tjera mund të ishte thjesht për mbijetesë. Pesë ndeshjet e fundit tregojnë se kjo Apoloni nuk ka më të njëjtën dëshirë dhe aq më pak të njëjtin intensitet loje si në fazën e parë. 7 golat e pësuar e vendosin prapavijën në “bankën e të akuzuarve”. Por, edhe faza ofensive nuk është se ka bërë më mirë, pasi numërohen vetëm 5 gola të shënuar në këto pesë takime. Me këto shifra jo shpresëdhënëse dhe me vështirësinë që paraqet renditja, ndeshja ndaj Vorës, të shtunën në orën 13:30 në transfertë, është vërtetë pika e kthesës së detyrueshme për Apoloninë. Në të tilla kushte, kjo ndeshje merr vlerën e një finaleje për Apoloninë, që ka vendosur edhe objektivat e veta sa i përket këtij takimi. Tri pikë të padiskutuara ndaj Vorës do të thonë frymëmarrje për skuadrën para fillimit të fazës së tretë të kampionatit. Mesditën e djeshme, në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” fierakët kanë nisur punën për ndeshjen e radhës ndaj Vorës, por duke analizuar fillimisht barazimin e fundit ndaj Kastriotit. Në analizën e zhvilluar dje, trajneri i Apolonisë dhe stafi i tij e kanë vënë më së shumti theksin te mungesa e përqendrimit në momente të caktuara të lojës. Përqendrim, që sipas tyre ka munguar veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes. HILMI SALIU