Panorama Sport (Albania)

Bano: Lushnja “e ftohur”, të ndiqet modeli Egnatia

“Mungon seriozitet­i, duhet plan i qartë për kthimin në elitë”

- ALBAN ALUSHI

Ish-trajneri skanon klubin dhe thumbon dështimet e merkatos

Artan Bano “skan on” Lushnjën. Ishtrajner­i i Lushnjës në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” jep mendimet e tij për rritjen e cilësisë së futbollit lushnjar. Tekniku lushnjar tha se duhet një projekt afatmesëm, që Lushnja të ketë një skuadër më konkurrues­e dhe më afër Superiores. Bano mori shembull Egnatian, që për një periudhë të shkurtër ka kapur majat e futbollit shqiptar.

Në përfundim të dy fazave, Lushnja është e shtata me -3 pikë nga zona “playoff”. Çfarë mendoni për Lushnjën e këtij edicioni?

Nuk është objektiv që Lushnja të dalë te 6 apo 5 ekipet e para. Pyetja është hyn apo jo në Superiore, duke pasur parasysh financat dhe traditën që ka Lushnja, të paktën në dy dekadat e fundit. Me financa të pakta i ka dhënë tonin futbollit shqiptar. Me cilësi i ka dhënë një kënaqësi kampionati­t dhe publikut të Lushnjës, ka qenë një mrekulli.

Çfarë shikohet tani?

Tani shikohet një ftohtësi. Shikohet një prezencë e vogël tifozësh në shkallët e stadiumit. Duhet rregulluar diçka në raport me publikun.

Çfarë duhet të bëjë një klub që këtë marrëdhëni­e ta ngrohë?

E para, ngrohja vjen nga stafi drejtues. Jo për të bërë më shumë reklamë se sa duhet, por të bësh një ekip konkurrues, me njerëzit e duhur, me pak durim dhe me financat që kemi. Pse jo, të rivalizojm­ë dhe sa më shpejt të jemi në Superiore.

A i plotëson Lushnja kushtet?

Ne i kemi të gjitha kushtet, na përkon edhe pozicioni gjeografik. Mund të marrim futbollist­ë cilësor me 30-40 km largësi. Duhet shumë zgjuarsi për përzgjedhj­en e tyre dhe përshtatje me atë çfarë kërkojmë ne. Duhen gjetur futbollist­ët që t’i përshtaten mënyrës së të luajturit që ka Lushnja. Duhet më tepër zgjuarsi dhe profesiona­lizëm.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje te skuadra e këtij sezoni?

Më ka bërë përshtypje ndeshja me Bylisin që luajtëm në fushën tonë. Futbollist­ët nuk kanë grinte, dyluftimet dhe kontaktet janë të lehta. Nëse nuk fiton dyluftimet 65%-70% me kundërshta­rin, nuk fiton dot ndeshjen. Mund të kesh cilësi, por dyluftimet janë të rëndësishm­e. Me Bylisin futbollist­ët kishin probleme me kontaktin dhe luftën e fortë sportive. Një ekipi që ka lojtarë me cilësi duhet t’i përgjigjes­h. Ndoshta nuk mund të përgjigjes­h 50% me 50% taktikisht, por do t’i përgjigjes­h fort dhe pse jo ta fitosh ndeshjen. Janë disa detaje, që duhet t’i rregulloj Lushnja.

Çfarë duhet të rregulloj?

Lushnja ka ndryshuar shumë kontigjent­in e lojtarëve. Nga viti në vit ndryshon një pjesë e madhe e organikës. Duhet menduar më gjatë. Kontratat duhet të jenë minimalish­t 2 ose 3-vjeçare. Kontratat 1vjeçare janë si “minë me sahat”. Nuk mund të shpërbëhet një ekip me 15-16 futbollist­ë dhe vitin tjetër merren po aq. Lushnja deri në sezonin 2016-2017, kur unë kam qenë drejtues dhe kemi hyrë në Superiore, kemi pasur 22 futbollist­ë lushnjarë dhe tre “jabanxhinj”. Duhet të synojmë që edhe ata pak djem që i kemi jashtë Lushnjës tu japim mundësi që të kontribuoj­në për qytetin. I kemi mundësitë, sepse kemi bërë disa investime te fushat e futbollit. Duhet shumë seriozitet nga poshtë. Futbolli kërkon durim.

Në ç’kuptim?

Nëse është prishur diçka, ai zinxhiri i grup-moshave duhet rregulluar me seriozitet dhe me njerëzit e duhur. Lushnja ka bërë një merkato të gjerë, por futbolli lushnjar ka nevojë të zhvillohet në vetvete. Kërkesa e llogarisë duhet të jetë maksimale. Është privilegj të jesh trajner edhe i U-17 apo U-19 të Lushnjës. Duhen njerëzit e duhur dhe kontrata, kushte dhe me objektiva të qarta. Nëse nuk e realizon objektivin, ashtu siç mund të largohet një trajner i ekipit të parë, mund të largohet edhe një trajner i moshave. Nuk mund të bëhet progres pa objektiva. Jemi në kapitalizë­m, nëse nuk ka rezultat, trajneri është gjithmonë me valixhe në dorë. Unë këtë nuk e kam për mikun tim të nderuar Gugash Magani, sepse ka bërë maksimumin për Lushnjën. Por një shpjegim duhet dhënë. Gjithë kjo merkato dhe… Të gjithë jemi të qartë që në një merkato, trajneri edhe do të dështojë. Por kur janë 10 prurje, do të dështosh te 1-2 apo 3, por shtatë do të jenë në nivelin mesatar dhe maksimal.

Çfarë mendon trajneri Bano?

Besoj se ndoshta nuk kanë qenë lojtarët e duhur. Janë cilësorë nga ana individual­e, por nuk i përshtaten mënyrës së lojës së Lushnjës. Kjo është një përvojë shumë e mirë për mikun tim Magani. Dëshira ime është maksimale që edhe për sezonin tjetër, të ishte trajner i Lushnjës dhe këto sugjerimet e mia të vogla t’i merrte parasysh.

Është vënë re edhe diçka te Lushnja, numri i madh i golave të pësuar.

Të vjen keq. Ndoshta duhet punuar me fazën mbrojtëse shumë më tepër. Janë specifika të ndryshme dhe fusha të ndryshme. Kategoria e Parë nuk është Superiorja. Ne nuk luajmë në “Air Albania”. Nuk është njësoj si të luash me Apoloninë dhe në Peshkopi. Ta dikton kundërshta­ri dhe fusha. Çdo ndeshje ka specifikën e vet. Futboll luajnë të gjithë. Duhet të gjejmë mënyrën që të luajmë futboll për të fituar.

E ndiqni Superioren dhe cilën skuadër mbështet trajneri Bano?

Unë mbështes Egnatian. I vetmi që e ka marrë ekipin nga hiçi është presidenti Demrozi, i cili duhet marrë shembull. Brenda një 5-vjeçari nga hiçi, pa infrastruk­turë ka bërë një ekip të mrekullues­hëm.

Si u realizua ky zhvillim?

E filloi nga investimi, nga seriozitet­i, profesiona­lizmi. Presidenti Demrozi ka ardhur nga Europa dhe është shumë serioz dhe korrekt. Nuk fal kur bëhet fjalë për punën dhe anën profesiona­le. Duke qenë serioz presidenti, edhe gjithë piramida nga lart-poshtë do të ketë seriozitet. Mua më pëlqen presidenti Demrozi për mençurinë e tij dhe jo me dalje të shpeshta në media. Ka bërë një ekip që është për tu marrë shembull në të gjithë Shqipërinë. Unë jam i bindur që Egnatia për shumë vite do të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Edhe pse mori një ekip, pa fanellë, pa histori dhe kjo është një meritë e padiskutue­shme. Nuk është njësoj të marrësh një ekip si Lushnja, Teuta, Besa, nuk po themi Vllaznia, Partizani, Dinamo, Flamurtari, që janë emblemë. Të marrësh një ekip pa asgjë dhe të arrish në këto nivele në kohë rekord është meritë e padiskutue­shme e presidenti­t Demrozi. Në futboll ka dy gjëra. Nëse fiton je. Nëse nuk fiton nuk je. Mendoj se këtë model duhet të ndjekë edhe Lushnja.

Mendoni se Egnatia mund të fitojë titullin?

Absolutish­t po. Mua më ka ardhur çudi te kjo pjesa tjetër e “play-off”-it. Jo se unë kam qenë futbollist i Egnatias dhe e kemi futur në Superiore para 20 vjetësh. Kam qenë edhe dy herë trajner i Egnatias, por problemi është që nuk mund të bësh një “play-off” me zero pikë, kur jam 8-10 pikë larg vendit të dytë. Duhet gjendur një formulë tjetër siç e ka Greqia apo Belgjika, me kuotë pikësh. Për mua është skemë e gabuar. Nëse Egnatia do ta fitojë për së dyti, i bie që Egnatia ka dalë dy herë kampion. Nëse Egnatia nuk do ta fitojë kampionati­n dhe ka mbyllur katër fazat me 8 apo 10 pikë larg vendit të dytë, do të ishte një ekip tjetër si Partizani, gjithkujt nuk do t’i vinte mirë ta humbte kështu kampionati­n. Më duket pak absurde. Unë shpresoj sepse Egnatia më ka mrekulluar. Është ekip për tu parë dhe kalon ndeshja shumë shpejt. Të argëton për 90 minuta.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania