Panorama Sport (Albania)

Interi si ugaran, vendos dorën te titulli kampion

Shkon +12 nga Juventusi, zikaltrit po marshojnë

-

Tjetër goleadë në “San Siro” përballë Atalantës

Duhet të ishte një ndeshje e madhe, e fortë dhe e luftuar, por publiku në “Xhuzepe Meaca” shijoi goleadën e radhës nga Interi që nuk ka ndërmend të ndalet. Zikaltrit hedhin një tjetër hap shumë të rëndësishë­m drejt titullit kampion. Shkatërroj­në Atalantën 40 në “San Siro” në ndeshjen e prapambetu­r dhe diferenca me Juventusin shkon në 12 pikë, ndërsa Milani është -16. Formacioni i Inzagit është një rul që shtyp këdo që i del përpara. Kristjan Asllani fiton derbin kuqezi me kapitenin e Kombëtares Berat Gjimshiti, që luajti edhe mbrëmë me shirit. Në 8 ndeshjet e fundit ekipi i Interit ka arritur të fitojë gjithmonë duke shënuar 20 gola, duke pësuar vetëm 1 dhe me 7 ndeshje pa pësuar gol. Sa i përket vitit 2024 janë 11 fitore radhazi, 8 prej tyre në kampionat dhe në 4 të fundit me 4 gola të shënuar.

DOMINIM TOTAL- Vetëm pak frikë në fillimin e ndeshjes kur Atalanta po qarkullont­e topin dhe arriti të gjente rrugën e rrjetës me Kejtelar, por gjithçka u anulua për prekje të topit me dorë nga Mirançuk. Duket se kjo ishte kambana e alarmit që zgjoi Interin nga gjumi dhe nisi të qarkullont­e topin mjaft mirë pavarësish­t presingut të Gjimshitit me shokë. Golin e avantazhit e gjen Mateo Darmian, njeriu i golave vendimtarë. Pas një daljeje të gabuar të Karnesekit në mbyllje të asistit perfekt të Lautaros për Mkitarian përfiton lojtari i linjës së djathtë që e shtyn me lehtësi në rrjetë me portën e boshatisur. Lautaro Martinez i vjen rrotull golit, por në fillim godet keq dhe më pas trondit traversën. Mirëpo, goli i dytë në fundin e pjesës së parë është një perlë. E majta e tij mahnit këdo që është në stadium. Kapiteni po kalon një formë të jashtëzako­nshme. Ndeshja praktikish­t përfundoi dhe në pjesën e dytë, Interi vazhdon të argëtohet në fushën e lojës duke shënuar edhe 2 herë të tjera. “El Toro” mund të gjente dopietën,

por shpërdoroi penalltinë, nga e cila përfitoi Dimarko për ta çuar në rrjetë. Kush e shënoi të katërtin? Njeriu i stolit. Sa herë futet në fushë lë gjurmë. Davide Fratezi edhe një herë tjetër mbylli llogaritë e sfidës, por për fat të keq sapo shënoi u largua nga fusha i dëmtuar për shkak të një problemi muskulor. E vetmja notë negative e mbrëmjes. Interi ka vendosur një dorë, ndoshta më shumë tek titulli kampion, i cili do të vendosë yllin e dytë në fanellën e zikaltërve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania