Barça ngre flamurin mbi kullën “Eifel”, Ksavi leksion Enrikes
Barcelona fiton me përmbysje dhe “zhduk” Mbapenë
Ndeshje spektakolare në Paris, katalanasit thyejnë tersin
Barcelona ka hedhur një hap të rëndë sishëm drejt kualifikimit për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, duke mundur Paris Sg-në në transfertë me shifrat 2-3. Mbrëmja e djeshme ka dhuruar një tjetër ndeshje spektakolare me përmbysje të njëpasnjëshme. Një ndeshje shumë e veçantë për shumë arsye dhe për duelin e parë mes Luis Enrikes dhe Ksavit. Në “pjesën e parë” ka fituar nxënësi. Ksavi dhe Barcelona e tij kanë triumfuar, falë një paraqitje brilante, duke thyer kështu dhe një test që zgjaste prej tetë vitesh. Barcelona i ka dhënë fund thatësirës në transfertë në Champions që zgjaste prej 8 vitesh dhe tashmë ka gjithçka në dorën e saj për sa i përket kualifikimit. Zotësia e madhe e Ksavit, veç fitores ishte fakti se ai “zhduku” nga ndeshja Kilië Mbapenë, që ka qenë hija e vetvetes.
DOMINIMI I BARÇËS – Ka qenë një pjesë e parë mjaft e mirë ajo e Barcelonës dhe përtej golit të Rafinjës, mund të kishte shkuar në pushim me një avantazh më të thellë. Vetëm fillimi ka qenë i mirë i PSG-SË që ka shtypur Barcelonën, por me kalimin e minutave, skuadra e Ksavit e udhëhequr nga Levandovski dhe nga Rafinja kanë jo vetëm kanë balancuar ndeshjen, por kanë dominuar duke gjetur dhe golin me brazilianin Rafinja. Skuadra e Ksavit ka dominuar dhe me pak kujdes mund të kishte shënuar dhe të dytin.
PËRMBYSJE PAS PËRMBYSJES – Reagimi i PSG-SË në pjesën e dytë ka qenë i fuqishëm, veçanërisht në fillim, kur në harkun e tri minutave (48’ dhe 51’), kur ish-i Dembele ka barazuar shifrat për francezët dhe Vitinja ka përmbysur shifrat duke i dhënë epërsinë skuadrës së Enrikes. Vendësit kanë qenë dhe pafat teksa tri herë kanë goditur shtyllën. Ksavi nuk u beson syve që ekipi i tij që kishte nën kontroll, gjithçka e sheh veten në disavantazh. Ai bën lëvizje që i japin të drejtë. Pedri i futur në lojë jep një asist për Rafinjën që barazon shifrat. Përmbysja e Barcelonës realizohet nga një tjetër lojtar i ardhur nga stoli, Kristensen që shfrytëzon dhe gabimin e Donarumës. Barcelona merr kështu një fitore me shumë vlera në Paris dhe tani duhet të administrojë gjithçka në fushën e saj të martën e ardhshme.