Panorama Sport (Albania)

Bellingam, ndikim unik dhe të menjëhersh­ëm

-

Xhud Bellingam vendosi vulën e tij në La Liga me një nga ato gola që e çojnë “Bernabeun” në ekstazë: në minutat shtesë për të mposhtur rivalin e madh, Barcelonën. Anglezi shënoi përsëri, gjë që nuk kishte ndodhur që nga 10 shkurti, kur Madridi mundi Gironën për të hapur një hendek në La Liga që tashmë duket përfundimt­ar. Pavarësish­t këtij rrugëtimi prej më shumë sesa dy muajsh pa gol, me një dëmtim dhe një sanksion në mes, titulli i Ligës i rezervuar nga Madridi ka shumë shpjegime në atë që Bellingam ka bërë në sezonin e tij të parë në shtëpinë e bardhë. Me 21 gola (17 në La Liga) dhe 10 asistime, ndikimi i tij është unik në historinë e Madridit si një mesfushor të sapoardhur.

POZICIONI – Pozicioni i Bellingami­t në skemën e Ançelotit ka qenë në pjesën më të madhe të rasteve ai i një sulmuesi më shumë sesa i një mesfushori. Por anglezi ka qenë gjithmonë një lojtar shumë i angazhuar në manovrën e lojës së Realit. Në sezonin e kaluar, Ançeloti e kishte në këtë pozicion Fede Valverden, me të cilin “humbi” dhe një bast për punën e golave. Uruguaiani shënoi 12 gola nga 10 që i kishte kërkuar trajneri. Për të arritur 21 golat që britaniku ka shënuar që nga ardhja e tij në Madrid, Luka Modriçit për shembull i janë nevojitur tetë sezone! Toni Kros, i cili ka 28 gola në 459 ndeshje si lojtar i Realit, iu deshën gjashtë sezone për të arritur 21 gola. Dani Sebajos numëron 7 gola në 141 ndeshje, Kamavinga 2 gola 136 takime pa shkuar më tej.

E SHKUARA – Nëse kthehemi pas në kohë, duhet të zbresim poshtë ndër vite për të gjetur mesfushorë­t e Madridit të arrijnë 21 golat e Bellingami­t. Kasemiro shkoi te Junajtid me 31 gola në 336 ndeshje dhe iu deshën 5 sezone për të arritur shifrën 21 që mban aktualisht Bellingam me të paktën 8 ndeshje ( 9 maksimumi) të mbetura deri në fund. Me një rol shumë më sulmues, Mesut Ozil u largua nga Madridi me 27 gola në 159 ndeshje. Për të arritur në kuotën 21, u deshën tre sezone dhe 135 ndeshje.

FERNANDO HIERRO – Me gjashtë ndeshje të mbetura në La Liga dhe me dy ose tre ndeshje në Champions, Bellingam është pesë gola larg shifrës historike për një mesfushor të bardhë: 26 golat e Fernando Hierros në sezonin 1991- 1992. I konvertuar në mesfushor dhe shënues nga Radomir Antiç, ishte sezoni i tretë i Hierros në Madrid. Në dy të parat shënoi 15 gola (7 dhe 8).

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania