Gazeta Dita

Kardiokiru­rgu Edvin Prifti mbetet përsëri ‘pa punë’, Apeli lë në fuqi pezullimin

-

Nuk prishet vendimi i shkallës së parë, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra i kardiologu­t të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion në QSUT, operacion i SPAK-ut në vitin 2020. Akuzohet edhe për korrupsion e pastrim parash, i janë sekuestrua­r rreth 1 mln euro. Deri tani ka fituar vetëm të drejtën e dhënies së mësimit në auditore. Prifti bën ironi pas vendimit që tha se s’e kupton: “Nuk prishen provat duke operuar njerëzit nga zemra!”. SPAK mësohet se i ka hapur edhe një çështje të re, mohon të gjitha akuzat

Nuk ka ditë të qeta për kardiokiru­rgun Edvin Prifti. Humbet një tjetër betejë juridike me drejtësinë, në përpjekje për të rifituar licencën dhe rikthyer në zanatin që akuzohet se e ktheu në biznes personal me qëllime përfitimi, edhe pse ishte ‘bisturi’ që paguhej me taksat e qytetarëve. Një vit e gjysmë pas akuzave për korrupsion e pastrim parash, teksa edhe pasuria me rreth 1 mln euro i qëndron nën sekuestro, kardikirur­gu Prifti ende nuk e ka fituar të drejtën për të ushtruar profesioni­n e mjekut. Pas shkallës së parë dy javë më parë, edhe Apeli i GJKKO-së e ka lënë në fuqi pezullimin për ushtrimin e profesioni­t për kardiokiru­rgun.

Vetë mjeku pas seancës ka thënë me ironi se nuk e kupton këtë vendim, duke nënvizuar se “nuk prishen provat, duke operuar njerëzit nga zemra!”. Deri tani, në të paktën katër beteja, ai ka fituar vetëm atë të rikthimit në auditoret e universite­tit për të dhënë mësim, por jo për të kryer operacione në privat dhe shtet apo rikthyer në zyrën e tij në QSUT.

Më herët humbi betejën për të pushuar çështjen, teksa iu zbut masa e arrestit dhe duhet të përballet me procesin gjyqësor në gjendje të lirë. Ka humbur deri tani edhe betejën juridike për të rikthyer paratë e sekuestrua­ra, ku mbi 300 mln lekë të vjetra iu sekuestrua­n në zyrë, kurse në total shuma është rreth 1 mln euro dhe pretendon se janë të ardhura nga biznesi i bashkëshor­tes. Gjithashtu s’ka mundur dot pë të disatën herë radhazi që të heqë masën e pezullimit, teksa aktualisht SPAK i ka hapur dosje të re me akuzën shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, bazuar në një denoncim të ri, të cilat mjeku i mohon.

Mjeku Edvin Prifti akuzohet se mori ryshfet nga kryesekret­arja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi, për t›i operuar nënën dy vite më parë. Mallakuçi ishte nën përgjim, pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha në Gjykatën e Krujës, por që nuk u lejua nga SPAK, duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren dhe 9 të tjerë gjatë seancës, në muajin shkurt të vitit 2020, po në të njëjtën kohë me prangosjen e kardiokiru­rgut Prifti.

Në një prej shumë bisedave, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj, në këmbim të parave. Gjatë kontrollit mjekut prifti iu gjetën afro 380 mijë euro, ndërsa iu sekuestrua­n 1 milionë euro.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania