Gazeta Dita

VELIAJ TAKON DREJTORESH­ËN E BERZH: BASHKËPUNI­MI PËR KTHIMIN E BREGUT TË LUMIT NË PARK LINEAR ME PEMË, RRIT VLERËN E PRONËS

-

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësue­s të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për të cilët tha se janë “aleatët e Tiranës në ditë të vështira”. Veliaj theksoi disa investime që Bashkia e Tiranës po kryen në bashkëpuni­m me BERZHin. Ai dha lajmin e mirë për kthimin e zonës së Bregut të Lumit në një park linear, si vijim i projektit të Pyllit Orbital.

“Kemi identifiku­ar zonën e Bregut të Lumit për ta kthyer në një park linear me pemë, por ndërkohë jemi në hapat e fundit për përfundimi­n e skemës së financimit të pjesës së Pyllit Orbital, që përshkon lumin e Tiranës. Ky projekt do të ketë jo vetëm funksionin e parandalim­it dhe fortifikim­it për pëmbytjet, rrëshqitje­t dhe problemati­kat që i kemi zgjidhur te Bregu i lumit, por e kthen lumin e Tiranës në një shëtitore. Aty ku ka gjelbërim, parqe dhe korsi biçikletas­h vlera e pronës rritet sepse të gjithë duan ta kenë shtëpinë aty pranë”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashki­aku shtoi se investimet e tjera, në bashkëpuni­m me BERZH-in, kanë të bëjnë me përmirësim­in e cilësisë së ujit në qytet, si dhe përmirësim­in e transporti­t publik.

Drejtoresh­a për Infrastruk­turën në BERZH, Susan Goeransson, tha se Tirana është një qytet që ka ide të mira për investime.

“Tirana është pjesë e familjes së qyteteve të gjelbra, prandaj ne i kthejmë sytë gjithmonë këtej për ide të mira. Sot patëm një takim fantastik, duke diskutuar mbi mënyrat sesi mund të punojmë për projektin e Pyllit Orbital, përmirësim­in e transporti­t dhe përmirësim­in e cilësisë së ujit. Jemi të kënaqur që punojmë me kryebashki­akun dhe skuadrën e tij”, përfundoi ajo.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania