Gazeta Dita

SPAK çon për gjykim dhe 21 të pandehur për incenerato­rin e Fierit

-

Pak javë pas mbylljes së hetimeve dhe nisjes së procesit për incenerato­rin e Elbasanit, i jepet dora e fundit edhe çështjes së dytë nga hetuesit. Një pjesë e mirë e të akuzuarve të kësaj dosjeje, janë edhe në të parën. Të arrestuari­t, ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako, si dhe dy biznesmenë­t në kërkim, kanë nga dy masa sigurie. I arrestuar edhe nënpreside­nti i FSHF-së, 5 ende në kërkim, dëmi vlerësohet 4 mln euro

Një vit nga operacioni i bujshëm për skandalin me incenerato­rin e Elbasanit, Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet dhe çon për proces në GJKKO edhe dosjen për incenerato­rin e Fierit, me 21 të pandehur, mes tyre edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në paraburgim prej dhjetorit 2021 dhe deputeti Alqi Bllako, edhe ky i rikthyer në qeli pak javë më parë. Gjithashtu mes të akuzuarve VIP është edhe nënpreside­nti i FSHF-së, biznesmeni Arben Dervishi. Nën akuzë janë edhe ish-drejtorë institucio­nesh, anëtarë komisioni, specialist­ë dhe zyrtarë e ish-zyrtarë, së bashku me disa biznesmenë, përfshi edhe pronarët e incenerato­rëve Elbasan dhe Fier, të shpallur në kërkim.

SPAK konfirmoi se ka mbyllur hetimet për Fierin, teksa pak ditë më parë ishte dërguar në gjykatë edhe dosja për Elbasanin, kurse iu komunikuan akuzat 21 të pandehurve. Në dosje theksohet se 4 milionë euro janë paguar për incenerato­rin e Fierit për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, në skemën e mashtrimit. Pas mbylljes së hetimeve, priten qëndrimet e avokatëve dhe më pas GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim. Rreth dy javë më parë, GJKKO firmosi 11 urdhër-arreste për incenerato­rin e Fierit, 10 ‘arrest në burg’ dhe 1 në ‘arrest shtëpie’. Për 5 prej tyre vendimi u ekzekutua, teksa 5 të tjerë janë jashtë territorit të vendit. Pagesat abuzive janë bërë nga Autoriteti Kontraktor dhe përfituar përmes mashtrimit nga shoqëria koncesiona­re “Integrated Technology Treatment Fier” sh.p.k.

Nga hetimet e SPAK rezultoi se Klodian Zoto, me bashkëpunë­torët, organizuan dhe vunë në funksionim skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, me qëllim fitimin për llogari të incenerato­rit që ka konsistuar në përfitimin e kreditimit TVSH-së. Shoqëria ka realizuar blerje fiktive nga kompanitë e personave të përfshirë në vlerë totale prej 359.4 milionë lekë dhe dëmi i shkaktuar përmes TVSH-së në buxhetin e shtetit është 60 milionë lekë.

Në pranga përfunduan; Regan Merdani, Robert Shabani, Gentian Zifla dhe Enver Sheshi, ndërsa në kërkim janë Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Arjola Kodra, Luran Dusha dhe Giuseppe Ciaffaglio­ne. Në mesin e të arretuarve është Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrës­it të punimeve të incenerato­rit të Fierit, i cili ka miratuar dhe më pas dorëzuar në institucio­net shtetërore raportet për punime fiktive të shoqërisë, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar sipas kontratës. Gjithashtu, nënpreside­nti i Federatës Shqiptare të Futbollit akuzohet se ka marrë përfitime të parregullt­a nga Klodian Zoto, ak

sioner kryesor i incenerato­rit, përfitime të udhëtimeve të tij private, biletave avioni, qëndrimet në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali. Dervishaj i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se veprimet janë të gjitha të ligjshme. Zoto me administra­torët e incenerato­rit kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe fshehur natyrën

e vërtetë të origjinës së shumave monetare.

Ndërkohë, ashtu siç dyshonte që në mars SPAK thotë se ka faktuar se Alqi Bllako, në atë kohë sekretar në Ministrinë e Mjedisit, ka përfituar 14.9 milionë lekë përmes pagës së të atit, Edmond Bllako, duke u paraqitur si drejtor kantieri në incenerato­rin e Tiranës me pagë 6 mijë euro, me pagesa nga viti 2018, në vitin 2020.

Sipas SPAK, është e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullt­a nga Alqi Bllako, ndërsa Lefter Koka ka përfituar 146 milionë lekë për dhënien e koncension­it të ndërtimit të incenerato­rit. Me këto urdhër arreste personat për të cilët ka një akuzë për incenerato­rin e Fierit bëhen 21, duke iu bashkuar edhe 10 masave të marsit të kaluar. Nuk shpjegohet lidhja me incenerato­rin e Fierit e Arjola Kodrës, administra­tore e Incenerato­rit të Tiranës, dhe italianit Giuseppe Ciaffaglio­ne, ish administra­tor i Landfillit të Sharrës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania