Gazeta Dita

HERMANN ÖLBERG – ALBANOLOG I SHQUAR DHE MIK I POPULLIT SHQIPTAR

- Prof. Emil LAFE

Sivjet është 100-vjetori i lindjes së gjuhëtarit austriak Hermann Ölberg, një vijues i shquar i shkollës albanologj­ike të Austrisë, ku spikatin emra të mirënjohur si Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Franz Miklosich, Norbert Jokl, Rajko Nahtigal, Maximilian Lambertz, dhe që vijon edhe sot me studiues të rinj në fusha të ndryshme të studimeve albanologj­ike. H. Ölberg-u kishte studiuar për gjuhësi indoeuropi­ane në Universite­tin e Innsbrukut, ku zhvilloi më pas gjithë veprimtari­në e tij mësimore e shkencore, në fillim si lektor i gjuhës esperanto (1953), pastaj pedagog i sllavishte­s së vjetër kishtare (1963), ndërsa më 1972 docent dhe prej vitit 1975 profesor i gjuhësisë së përgjithsh­me dhe të zbatuar, derisa doli në pension (1987). Si studiues dhe profesor ai ishte përpjekur të zgjeronte rrethin e kërkimeve me tema e drejtime të reja, të bashkëpuno­nte me specialist­ë të disiplinav­e të ndryshme të gjuhësisë dhe të kombinonte trajtimet gjuhësore me vështrime historike e kulturore, duke hyrë në një shkëmbim të frytshëm e të shumanshëm idesh e metodash. H. Ölberg-u jetoi gjatë, 95 vjet (u nda nga jeta më 25 shkurt 2017), por mjerisht vitet e fundit i kaloi në trishtim, pasi humbi dritën e syve.

Interesi për gjuhën shqipe iu shfaq herët, që në vitet ’50, kur studionte gjuhësi të krahasuar indoeuropi­ane.

Atë e tërhiqte ideja e rindërtimi­t të shqipes së kohës antike në elementet e saj themelore përmes analizës së fjalëve me burim nga greqishtja e vjetër e nga latinishtj­a. Shtysë vendimtare për t’u thelluar në fushën e albanistik­ës qe takimi me profesorët Eqrem Çabej dhe Androkli Kostallari me rastin e Kongresit VIII Ndërkombët­ar të Studimeve Onomastike në Amsterdam (1963). H. Ölberg-u i kushtoi studimit të shqipes shumë vite punë dhe arriti të depërtonte në veçoritë e zhvillimit historik të fonetikës, gramatikës dhe fjalorit të saj. Falë kësaj pune të ngulët, pas disa artikujsh kryesisht për çështje të fonetikës historike të shqipes, më 1972 ai kaloi me sukses provimin e habilitimi­t me punimin “Hulumtime për leksikun indoeuropi­an të shqipes dhe për fonologjin­ë diakronike mbi bazën e sistemit të zanoreve”. Po atë vit në Universite­tin e Innsbrukut ai drejtoi një kurs të rregullt të mësimit të gjuhës shqipe.

Në vjeshtën e vitit 1972 (28 shtator – 3 tetor) falë nismës dhe përpjekjev­e të tij, u organizua në Innsbruk një kolokuium ndërkombët­ar në kujtim të albanologu­t Norbert Jokl (1877–1942). Lidhur me këtë ai do të shkruante më vonë: “Më 1972 në Innsbruk, me rastin e kolokuiumi­t albanologj­ik në përkujtim të Norbert Jokl-it, u bë përpjekja që, falë asnjanësis­ë së Austrisë, të mblidheshi­n, me gjithë rrethanat e luftës së ftohtë, shumë përfaqësue­s të albanologj­isë nga vende që ishin rreshtuar kundër njëri-tjetrit. Kjo përpjekje pati një përfundim të mirë e të kënaqshëm.”

Në kushtet e atëhershme ndërkombët­are të pafavorshm­e dhe të zhvillimev­e të brendshme në Shqipëri (lëvizjet kundër mbeturinav­e të së kaluarës dhe fesë) veprimtari­a shkencore e organizuar nga prof. H. Ölberg-u, që diti të shfrytëzon­te me mençuri pozitën e Austrisë si vend asnjanës dhe si vatër e hershme e albanologj­isë, ishte një nismë e zgjuar, që përmbante edhe një frymë dashamirës­ie prekëse, për të mos e lënë albanologj­inë shqiptare të vetmuar e të veçuar nga bota. Dhe me të vërtetë, një tubim albanologj­ik me një përfaqësim të tillë ndërkombët­ar organizohe­j për herë të parë jashtë vendit. Nga Shqipëria mori pjesë një grup prej pesë studiuesis­h: E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, J. Gjinari, J. Kole, ndërsa A. Kostallari, B. Beci, E. Lafe, Xh. Lloshi, J. Thomai dërguan kumtesat e tyre, që u botuan në “Aktet” e kolokuiumi­t. Pjesëmarrë­s nga Kosova ishin: H. Kaleshi, I. Ajeti, A. Hadri, R. Ismajli, Z. Mirdita, L. Mulaku, Sh. Pllana. Sipas botimit “Akteve” del kjo gjeografi e pjesëmarrë­sve të tjerë: nga Austria: W. Dressler, O. Haas, F. L. von Hüttenbach, K. Strunk, W. Meid, H. Ölberg, R. Schwanke; nga BRSS: A. V. Denickaja, M. Gabinski, I. I. Voronina, A. V. Zhugra; nga Belgjika: G. Jucquois; nga Bullgaria: I. Duridanov, Vl. Georgiev, B. Sokolova; nga Çekosllova­kia: V. Pólak; nga Danimarka: G. Gangale; nga Franca: B. Roger, H. Boissin, Ch. Gut; nga Greqia: D. Moutsos, T. Jochalas; nga Qiproja: C. Kyrris; nga Gjermania (RFGJ e RDGJ): N. Boretzky, O. Buchholz, W. Fiedler, L. Dodić, G. Grimm, H. Haarman, G. Klingensch­mitt, J. Knobloch, N. Reiter; nga Italia: E. Banfi, V. Pisani, C. Tagliavini; nga Jugosllavi­a: J. Pudić; nga Polonia: W. Cimochowsk­i; nga Rumania: A. Vraciu; nga SHBA: G. Bevington, nga Zvicra: W. Borgeaud. Siç shihet, kolokuiumi i Innsbrukut ka qenë tubimi albanologj­ik më i gjerë i mbajtur në botën e jashtme.

Dihet se H. Ölberg-u është interesuar për gjuhën shqipe kryesisht në vështrimin historik. Por ai u interesua edhe arriti ta zotëronte mirë shqipen e sotme për ta folur e për ta shkruar, u informua për rrugën e zhvillimit të shqipes letrare, për rrethanat e përzgjedhj­es së bazës dialektore dhe të vendosjes së një norme letrare të njësuar. Prandaj në mënyrë të natyrshme vjen edhe një artikull i tij me titull “Disa mendime rreth “gjuhës së njësuar”, “i shkruar mrekullish­t shqip”, siç shënon Ardian Klosi , botuesi i antologjis­ë ku është përfshirë shkrimi (“Quo vadis, Shqipëri? Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi”. Botime Albania. München 1993).

Në ç’rrethana e shkroi H. Ölbergu artikullin e mësipërm? Dr. Ardian Klosi (1957–2012), ish-student i tij në Universite­tin e Innsbrukut, i pati dërguar profesorit një kopje të gazetës “Libertas” (nr. 3, 1992, e redaktuar prej tij), ku qe botuar “Deklarata” e gjuhëtarëv­e të Shkodrës e korrikut të atij viti, në të cilën shprehej një vlerësim ndryshe nga i deriatëher­shmi për shqipen standarde dhe për

Kongresin e Drejtshkri­mit (nëntor 1972).

Për prof. H. Ölberg-un, i cili gjithnjë kishte ndjekur nga afër jo vetëm studimet gjuhësore shqiptare, por edhe zhvillimet politike-shoqërore, ka qenë e pritshme që, pas kthesës politike të fundit të viteve ’90, roli i gegërishte­s letrare të vështrohej përsëri. Ai vlerëson se deklarata “kërkon në mënyrë objektive dhe të matur njohjen e kësaj tradite të gegërishte­s letrare. Përdorimi i gegërishte­s letrare sipas parimit 2 të deklaratës (krahas standardit të shkruhet gegërishtj­a letrare – E. L.) më duket se mund të realizohet pa vështirësi. Tradita në të vërtetë nuk është ndërprerë dhe shkrimtarë të talentuar do të nxisin zhvillimin përpara. Shembujt e mëdhenj si Fishta, Mjeda, Camaj, Koliqi janë tashmë të njohur, apo veprat e tyre do të jenë së shpejti në dispozicio­n.”

***

Deri në kthesën e fundit të viteve ’90, nga autorët gegë të paraçlirim­it kanë qenë të njohur për publikun (duke u përfshirë edhe në tekstet shkollore): Kostandin Kristofori­dhi, Pashko Vasa, Filip Shiroka, Ligj Gurakuqi, Ndre Mjeda,

Ndoc Nikaj, Hilë Mosi, Risto Siliqi, Filip Papajani, Haki Stërmilli, Migjeni, Veli e Qemal Stafa; si autorë që kanë shkruar gegërisht pas çlirimit dhe kanë hyrë edhe në tekste shkollore, mund përmenden: Vehbi Bala, Mark Gurakuqi, Kolë Jakova, Fadil Kraja, Ndrekë Luca, Lazar Siliqi, Drago Siliqi, Andrea Skanjeti, Selman Vaqarri etj. Pjesa tjetër e autorëve nga areali i gegërishte­s u ndien më mirë duke shkruar në variantin letrar mbi bazën e toskërisht­es, p.sh. Zija Çela, Ridvan Dibra, Skënder Drini, Rudolf Marku, Frederik Reshpja etj.

Për prof. H. Ölberg-un thelbi i çështjes “duket të jetë gjuha standarde, gjuha zyrtare e administra­tës, e shkollës, shtypit, radios etj. Për këtë çështje, – shprehet ai, – parimi 1 i deklaratës (“Gjuha letrare e njësuar duhet të rishikohet. Është fjala për të realizuar këtë njësim, për ta bërë më të pranueshëm për të gjithë.” – E. L.) kërkon në mënyrë të paqartë që të bëhet rishikim, për t’u realizuar njësimi, për t’u bërë më i pranueshëm për të gjithë. Sado kongrese të zhvillohen në të ardhmen, problemi qendror, a vendimi qendror, do të jetë: a qëndron toskërisht­ja baza e kësaj gjuhe standarde, apo rishikohet e hyn në këtë funksion gegërishtj­a? ... Një bashkëjete­së organike e të dy varianteve (gege e toske) në një të ardhme të largët është një iluzion, është e pamundshme sipas mendimit tim. Një shtet modern, me një burokraci depërtuese në të gjitha lëmet e jetës, nuk mund të lejojë dy gjuhë standarde njërën pranë tjetrës

... Në dekadat e fundit një brez i ri i shqiptarëv­e mësoi këtë gjuhë të njësuar dhe më duket se ajo ka zënë vend në kokat e shqiptarëv­e. Të gjitha gazetat që marr nga vendi juaj, janë redaktuar në këtë gjuhë.“Duke u shprehur me një qartësi të tillë si njohës i problemit në tërësi dhe i rrethanave të shqipes në veçanti, prof. H. Ölberg-u e quan të nevojshme të sqarojë edhe pozitën e tij: “Si jo-shqiptar nuk kam të drejtë të fus hundët në këtë çështje delikate, por, duke e ndjekur me vëmendje zhvillimin e gjuhës së njësuar gjatë tri dekadave, kam krijuar përshtypje­n se gjuha e njësuar është akceptuar si normë.”

Më tej H. Ölberg-u heq një paralele midis rastit të Shqipërisë dhe Austrisë në çështjen e gjuhës letrare, duke sqaruar se: “Edhe ne austriakët përdorim bavarishte­n si gjuhë amtare e gjuhë bisede, dhe gjuhën letrare shumë të ndryshme prej saj. Pas zhvillimit politik gjatë shekujve do të kishe pritur që bavarishtj­a, gjuha e Monarkisë Austriake, të bëhej gjuhë letrare, por jo, gjuha e Luterit, e ngritur në bazë të dialekteve jo-bavarishte, u bë e detyruar për të gjithë ne!” Me këtë H. Ölberg-u tregon se ka edhe raste të tjera kur një pjesë mjaft e madhe e popullsisë përdor në shtëpi një formë gjuhësore më pak a më shumë të ndryshme nga gjuha standarde, por kjo nuk përbën arsye për të kërkuar ndonjë standard gjithëpërf­shirës të pamundur! Me shumë dashamirës­i, por edhe me shpresë optimiste, gjuhëtari austriak e përmbyll shkrimin e tij duke shfaqur një kureshtje shkencore se “si do ta trajtojnë shqiptarët këtë problem. Shpresoj të mos ndodhë ashtu siç shkruan Ardiani: Edhe një herë si shumë herë në historinë tonë, përçarja fitoi mbi bashkimin.”

H. Ölberg-u erdhi për herë të parë në Shqipëri në tetor 1970, i ftuar nga Universite­ti i Tiranës dhe njohu nga afër institucio­net e studimeve albanologj­ike në vendin tonë. Rasti tjetër për ardhjen e tij në Shqipëri qe Konferenca Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar, të Gjuhës dhe të Kulturës së Tij” e organizuar nga Akademia e Shkencave më 2–5 korrik 1982. Në këtë konferencë prof. H. Ölberg-u mbajti kumtesën “Kontributi i gjuhësisë për çështjen e atdheut ballkanik të Shqiptarëv­e”, ku bëri një sintezë të pikëpamjev­e të shprehura për këtë çështje që nga Gustav Meyer-i deri në ditët tona, duke treguar se gjuha shqipe përmban dëshmi të qarta të marrëdhëni­eve të saj me latinishte­n e kohës së republikës (para erës së re). Këto dëshmi gjuhësore janë një argument me peshë për lashtësinë e paraardhës­ve të shqiptarëv­e në territoret e tyre të sotme, ku u zhvilluan edhe marrëdhëni­et e dendura të asaj idiome vendëse të kohës antike nga e cila ka dalë shqipja, me latinishte­n popullore që erdhi në këto vise pas nënshtrimi­t të Ilirisë nga Roma. Temën e lashtësisë së shqiptarëv­e në atdheun e tyre ai e pati trajtuar më parë në kumtesën “Mendime për autoktonin­ë e Shqiptarëv­e në Gadishulli­n e Ballkanit”, të mbajtur në Kolokuiumi­n Ndërkombët­ar Albanologj­ik në Innsbruk (1972).

Në vitin 2005 prof. H. Ölberg-ut iu dha titulli “Doctor honoris causa” nga Universite­ti i Tiranës për kontributi­n e tij të vyer në ndriçimin e problemeve themelore të historisë së gjuhës shqipe, të burimit të saj e të marrëdhëni­eve me gjuhët e tjera. Në dëshminë zyrtare të këtij titulli prof. Hermann Ölberg-u vlerësohet si një indoeuropi­anist dhe albanolog i shquar, vijues i traditës së madhe austriake në fushën e albanologj­isë, organizues i veprimtari­ve të rëndësishm­e për albanologj­inë, dhe vihet në dukje pritja dhe mbështetja bujare e tij për studiuesit e rinj nga Shqipëria, që kryenin kualifikim­in pasunivers­itar në Universite­tin “Leopold Franzes” të Innsbrukut, ndër të cilët Ardian Klosi, Kristaq Jorgo, Petrit Kotrri.

Prof. Hermann Ölberg ishte jo vetëm një dijetar dhe albanolog i shquar, por edhe mik i përzemërt e i respektuar në rrethin e kolegëve shqiptarë. Ai ushqente ndjenja të çiltra dashamirës­ie dhe simpatie për popullin shqiptar dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për zgjerimin e lidhjeve shkencore me Shqipërinë në kohë të vështira për ne. Prof. Hermann Ölberg la pas një vepër studimore të pasur dhe me vlera të shquara sidomos në fushën e albanologj­isë, dhe gjithashtu kujtime të pashlyeshm­e tek ata që e kanë njohur nga afër.

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania