Gazeta Shqiptare

Bisedë me Shenjten Nënë Tereza, si e kujtoj ardhjen në Shqipëri

Si do të ishte një bisedë me Nënë Terezën, tashmë shenjte? Studiuesi Luan Rama boton në “GSH” përgjatë tri ditëve, një “bisedë” mes tij dhe Nënë Terezës “Hyri ashtu e përkulur, me hapin e lehtë, veshur me sarin e saj”

- Nga Luan RAMA

Edhe pak ditë Nënë Tereza do të shenjtëroh­et atje ku u ngrit kisha e apostullit Shën Pjetri, dhe unë ende nuk mund ta realizoj peshën e këtij akti, jo vetëm në kuadrin e historisë së kristianiz­mit, por dhe të historisë së sotme botërore, të historisë humane. Herë pas here këto ditë më vijnë ato imazhe të kësaj nëne të madhe të të varfërve kur ajo vinte për herë të parë në Shqipëri. Ishte diçka e pabesueshm­e por e vërtetë, pasi ato ditë të vitit 1989 më së fundi, pas kaq vite pritjeje, ajo vinte të shikonte popullin e saj, varret e nënës dhe motrës së saj të dashur. Më kujtohet ai çast kur në hollin e muzeut në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ajo hyri ashtu e përkulur, me hapin e saj të lehtë, veshur me sarin e saj, me sytë e gëzuar dhe të qeshur, duke na dhënë dorën në atë holl, e shoqëruar dhe nga një dokumental­iste kanadeze, Jane, e cila do të projektont­e filmin e gjatë dokumentar “Mother Teresa”. Jane e kishte shoqëruar vitet e fundit ngado Nënë Terezën, dhe ja tani, ajo u ul bashkë me ne ku mes asaj salle të vogël, por të mbushur plot, ne do të shikonim filmin për jetën dhe veprën e misionares së madhe. Këtë dokumentar­iste e kisha pas kurrizit, kur një çast, gjatë transmetim­it, zëri i spikerit u ndërpre, edhe pse filmi vazhdonte. E dëgjova që shau nëpër dhëmbë dhe u ngrit me të shpejtë duke kërkuar të shkonte në kabinën e projeksion­it, por kur ajo mbërriti, zëri erdhi përsëri. Ishte pikërisht ai moment kur spikeri thoshte se “vetëm Shqipëria e bunkerëve tregoi veshin e shurdhër kërkesave të pareshtura të Nënë Terezës për të shkuar në Shqipëri”… Nënë Terezën nuk e pashë më. Takova misionaret e saj të vendosura në Paris, afër Notre- Dame. Larg Shqipërisë ndiqja misionet e saj, sëmundjen, vdekjen, lexoja librat për të dhe ja pse, tani, në prag të shenjtërim­it, mua më shfaqet si një engjëll, e përkulur si gjithnjë pranë të varfërve, me urinë e dashurisë, për t’ua bërë jetën dhe vdekjen më të lehtë. Dhe unë kam dëshirë ta pyes për jetën e saj, për përkushtim­in dhe atë çka e shenjtëroi shpirtin e saj që para se të bëhej një shenjte. Ta pyes nga vjen dhe çfarë ndodh që njerëzit e thjeshtë arrijnë të bëhen shenjtë...

- Tregomë atëherë Nënë, ç’ishte Nënë Tereza kur lindi?

- Kur isha e vogël dhe fillova të kuptoj ç’është bota, prindërit e mi më thanë se unë kisha lindur një ditë të ngrohtë vere, më 27 gusht të vitit 1910. Më quajtën Gonxhe, Gonxhe Bojaxhi. Isha bija e Kolës me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bernajt nga Novosela e Gjakovës. Nëna më ka treguar se u pagëzova në kishën e “Zemrës së Shenjtë” nga famullitar­i Zef Ramaj.

Ati im ishte tregtar dhe nëna merrej me shtëpinë dhe rritjen e tre fëmijëve: Llazarit, mua dhe Ages. Dy fëmijë të tjerë asaj i kishin vdekur fare të vegjël. Ishin katolikë të ardhur nga Shkodra dhe të vendosur më pas në Prizren, ku dhe u martuan e më vonë shkuan në Shkup, ku ati im Kolë Bojaxhi u mor me tregti, ndërtime banesash dhe ku më pas hapi një dyqan farmacie. Në atë kohë u lidh me një tregtar venecian dhe importonte vaj, sheqer, kafe, stofra. Udhëtonte ngado nëpër Europë dhe dinte shumë gjuhë, si shqip, turqisht, italisht, serbo- kroatisht, frëngjisht. Ishte një poliglot i vërtetë. Më 1914 shpërtheu lufta dhe më 1915 lufta mbërriti në Shkup. Isha pesë vjeçe. Më pas mësoja në një shkollë shqipe. Nëna ime ishte një besimtare e devotshme. Çdo natë, kur uleshim në tavolinë, ajo fillonte lutjen dhe ne luteshim me të. Babai ndërkohë tregonte kujdes për shkollimin tonë. Ishte shumë bujar. Në ato vite lufte, kishte shumë njerëz të vobektë dhe babai i linte të vinin në shtëpinë tonë, i ushqente, u jepte të hanin dhe porta ishte gjithnjë e hapur. Tavolina jonë ishte gjithnjë plot. Unë e doja shumë muzikën. Luaja mandolinë, isha në korrin e kishës dhe siç më thoshin se këndoja bukur. Madje luaja dhe teatër. Më pëlqente të recitoja gjithashtu.

Ati im i ndihmonte shumë patriotët shqiptarë dhe kur Shqipëria u copëtua pas Luftërave Ballkanike, ai ëndërronte gjithnjë bashkimin e saj.

Isha pothuaj nëntë vjeçe kur më vdiq babai. Ishte viti 1919, fundi i “Luftës së Madhe”, dhe vdekja e tij më goditi në shpirt. Shumë shpejt, për të na rritur, nëna hapi një dyqan rrobaqepës­ie dhe punonte gjithë ditën. Por jetën e saj e mbushte me

lumturi dashuria për ne. Jeta jonë ishte shtëpia, kisha, shkollimi. Shkonim për meshë në kishën e “Zemrës së Shenjtë” të Shkupit. Peshkop ishte Toma Glasnoviç dhe për ndihmë i erdhi më pas një jezuit shqiptar Gaspër Zadrima. Jepte mësimet e katekizmit, meqë dinte shqipen. Shpesh unë i shërbeja si interprete priftit Cepeviç. Më pas erdhi një tjetër prift kroat, Franjo Jambrenkov­iç, i cili më udhëhoqi në rrugën time. E doja shumë. Ishte ai që themeloi dhe “Kongregaci­onin e Marisë” dhe unë shkova të organizoja punën atje. Kështu jeta ime u lidh me kishën akoma më shumë. I lexoja me pasion numrat e revistës “Misionet katolike” që vinin atje dhe që flisnin për jetën e misionarëv­e të katolicizm­it. Aty vinin dhe misionarë të ndryshëm që kishin shëtitur nëpër botë dhe tregimet e tyre më ngacmonin. Një tjetër botë hapej para meje, ajo e përkushtim­it. Një natë, Franjo hapi një hartë të madhe gjeografik­e dhe na tregoi për misionet katolike. Atë kohë në Vatikan ishte Papa Pie XI. Ishte ai që i dha hov punës së misionarëv­e nëpër botë. Ishte ai që ekzaltoi vëllazërim­in mes popujve dhe ndihmën për tjetrin.

Jo larg Shkupit, në malin Or, çdo vit familja jonë bënte një pelegrinaz­h në vendin e shenjtë të Leshnicës. Ati im kishte

ndihmuar dikur një mikun e tij për ndërtimin e shtëpisë atje dhe tashmë, ai na priste me shumë dëshirë. Ishim si në shtëpinë tonë. Ne i hipnim plaçkat mbi një qerre që tërhiqej nga kuajt dhe shkonim në këmbë përgjatë 10 km në ditët e verës së nxehtë. E lodhur, nëna hipte në karro, mes plaçkave dhe enëve të kuzhinës, por kur ishim të vegjël, ishim ne fëmijët që hipnim në karro dhe nëna na shoqëronte në këmbë.

- Po më pas Nënë, çfarë ndodhi? Si e dëgjove atë zë që të thirri, zërin e Atit të Shenjtë, siç e quan ti? - Atëherë isha 17- 18 vjeçe dhe më kujtohet që qëndrova atje në Letnicë një muaj më shumë për t’u lutur, dhe pikërisht atje e mora vendimin që të bëhesha misionare. Për këtë fola me drejtuesin tim shpirtëror. I thashë: “Si mund ta di që Zoti po më thërret dhe përse më thërret?” Dhe ai m’u përgjigj: “Nga gëzimi yt. Nëse ti je e lumtur që Zoti mund të të thërrasë që t’i shërbesh atij dhe të afërmit tënd, kjo është prova më e mirë e dhuntisë tënde! Gëzimi i thellë është si një busull që tregon drejtimin e jetës!” Një natë, dëgjova fjalët e një misionari që kishte ardhur nga India: “Çdo njeri ka dhuntinë e tij të veçantë dhe duhet ta ndjekë atë!” Ideja që të bëhesha misionare dhe t’i shërbeja Zotit forcohej te unë dita- ditës. Një natë, me qiri në dorë, hyra në kishë dhe u gjunjëzova para Virgjëresh­ës Maria. Atë mbrëmje, buzëqeshja e statujës m’u duk më e ëmbël. Pikërisht aty dëgjova zërin e Zotit që më ftonte të isha e gjitha në shërbimin e tij: t’i përkushtoh­esha atij dhe çdo njeriu pranë meje. Dhe kjo ishte një dëshirë e fshehtë dhe e thellë brenda meje, prej shumë kohësh… Po, ishte Shën Maria që më ndihmoi të zbuloj dhuntinë time… Më pas, kur i thashë nënës se do t’i kushtohesh­a Zotit, ajo nuk m’u përgjigj menjëherë. U fut në dhomë dhe lutej. E kishte të vështirë të ndahej nga unë dhe unë të shkëputesh­a përgjithnj­ë nga familja. Llazari, im vëlla nuk donte. “Ku shkon kështu, - më tha, - do ta mbyllësh jetën tënde brenda mureve të Kishës!” Më 25 shtator të vitit 1928, unë u nisa. E kisha vendosur të shkoja fillimthi në “Urdhrin e Loretto”- s ( Notre Dame de Lorette), që bënte një punë të mrekullues­hme në Kalkuta. Një natë, para se të largohesha, u mblodhën të

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania