Gazeta Shqiptare

Ilirishtja dhe Shqipja

-

Bishtna, Lisma, Ndërfandna; Buenë Bunë, në shek. XV S. Benëdicti de Buena, serbokr. Bojana: shq. buenë boenë “të dalët e lumit jashtë shtratit, vërshim”; Lim shqip e serbokroat­isht: lym ( nëpër dialektet e Veriut edhe lim) “baltë e lumit, tokë që ka sjellë lumi me vetë” ( N. Jokli); Dêjë edhe në Mat: dêjë në Vau i Dêjes, roman. Dagno, serb. e vj. danjo nga serbokroat­ishtja dan “doganë”; shq. dêjë “vendi ku është ulur bora, ku ka shkrirë bora; vendi ku ujët është i cekët, ceke”: dêja e ujit: Dêjë edhe në Mat: dêjë një postverbal i dêhet bora “shkrin bora vendevende: ulen ujrat e lumenjve”: Mati, serb. e vj. Mat, pas PaylyWisso­was prej ilir. mat – “buzë lumi a deti”: shq. mat “buzë lumi, breg deti”, Bulgër emër vendi në Mirditë e në Shestan jo “bullgar”, po = bulgër bujqër” “Quercus macedonica, lloj lisi”. Mendimi i këtij dijetari “sigurisht” me anë të sllavishte­s ( Svac, Drac, Vojusa, Lab-) dhe që Ulqin, Pult, Drisht, Lesh “thjesht teorikisht” mund të kenë hyrë me anë të sllav. Lcin, Pilot, Drivost, Lesb, në këtë situatë gjuhësore as që diskutohet.

Në lidhje me argumentin që terminolog­jia detare e shqipes me fjalë të lashta e të trashëguar që ka, dëshmon për praninë e elementin shqiptar qëmoti në viset e sotme bregdetare, është ngritur si kundër- argument që disa nga këto fjalë si det, vä, mat, valë, shkulm, nuk i përkasin vetëm detit, po edhe ujërave të brendshme; disa të tjera si grykë, anije (: anë, enë), ballë, pëlhurë, shul, lugatë, janë metafora ose rrjedhoja ( derivate) fjalësh që në krye të herës nuk kanë pasur lidhje me detin e që në përdorimin detar mund të kenë arritur më vonë e po kështu – thuhet – qëndron puna edhe me disa elementë të faunës, si likurishtë “polip”, ngjalë e ndonjë tjetër11. Pa mundur të hyjmë në hollësira këtu, për të parë nëse terma të tilla vërtetojnë diçka apo nuk vërtetojnë asgjë, le të këqyrim shkurt si paraqitët gjendja në disa gjuhë të tjera, për të cilat nuk janë shprehur dyshime për një afërsi të moçme me detin. Aty shihet se fjalët e detarisë edhe në këto gjuhë burojnë më të shumtat prej kuptimesh të tjera dhe se vetëm në periodën postetnike të tyren, dhe aty vetëm me kohë, erdhën e hynë në përdorimin detar. Në greqishten fjalëve thalassa “det” dhe ochthe “buzë lumi”, “breg deti”, nuk u dihet burimi; pélagos “det” do të thotë në thelb “sipërfaqe, vend rrafsh”; hals “det” është “kripë”: pontos “det” është “udhë, shteg” dhe afrohet me lat. pons pontis “urë” e me sllav. put “udhë, udhëtim”: kolpos “gji deti” është “gji” përgjithës­isht; isthmos “ngushticë deti, istm” do të thotë edhe “qafë” që në thelb duket të ketë pasur kuptimin “kalim, hyrje”: kyma “valë, dallgë” shënon dhe pjellën, embrionin dhe kuptimi detar i saj nuk është i pari, prymne “pjesa e prapme e anijes” është një me prymnos “më i mbrapmi, më i poshtmi”: histos “dyrek, shul i anijes” është më parë “shul i begjve, vegj: pëlhurë” dhe buron prej vegjetaris­ë. Nga fusha e lat- inishtës aequor “det” është “sipërfaqë e rrafshët, fushë”; sinus “gji deti” është “palë, prehër, gji skutë”: velum “velat” është pëlhurë, perde” dhe në thelb një fjalë vegjtarie: alga “lështerik” është me parë diçka si “myk, të ndytë”. Në gjuhët gjermanike gjerm. Schiff “anije” dikur ka pasur dhe kuptimin e enës, po ashtu si it. vascello frgj. vaisseau nga lat. vascellum “enë e vogël”, si dhe shq. anije e cila lidhet me anë, enë, khs. enë e mëdhaja e enët e vogla të Ulqinit12. Edhe në këto gjuhë terma si gr. kolpos, lat. sinus maritimus, gjerm. Meerbusen “gji deti”, kjo një përkthimi i fjalës latinë, nuk janë tjetër veçse metafora. Në të tilla rrethana na duket pak si e ngutur të thuhet se fjalë si det, mat, valë, grykë, anije nuk përbëjnë elementë të një leksiku detar të trashëguar të shqipes. Edhe nëse disa sosh ose edhe shumica e tyre u përkasin edhe ujrave të brendshme. Logjikisht prej kësaj nuk mund të nxirret se nuk janë qëmoti edhe të detit. Dhe Mendimi që fjalët ë këtij llojit vetëm në një shkallë të mëpastashm­e të gjuhës hynë në përdorimin detar, operon me një argumentum ex silentio: me dëshmimin e vonë të shqipes si gjuhë askush nuk mund të thotë që këto nuk kanë qenë përdorur qëmoti si shprehje të gjuhës detare.

Huazimet latinë të shqipes me karakterin e tyre arkaik tregojnë se kanë depërtuar herët në këtë gjuhë, dhe me depërtimin nga një fazë më e hershme e latinishte­s dëshmojnë për praninë e shqipes në viset e sotme të paktën në atë periode. Të njëjtën dëshmi japin edhe huazimet e shqipes nga greqishtja e vjetër. Karakteri dorik i vërtetuesh­ëm i shumë nga këto huazime na dëfton se të parët e shqiptarëv­e kanë banuar në brigjet e Adriatikut e të Jonit të paktën që nga koha e pranisë së kolonive greke dorike në këto bregdete dhe se i kanë marrë këto elementë gjuhësore nga këto koloni ose nga dialektet veriperënd­imore të Greqisë së vjetër, të cilat dihen se afroheshin me dorishten. Mendimi që këto huazime në shumicën e tyre nuk paravendoj­në një afërsi gjeografik­e midis dy popujve përkatës, në atë kohë, po hyjnë në viset e brendshme me anë të tregtarëve doras13, për emrin e mokrës dhe të barishteve të kuzhinës nuk mund të qëndrojë14. Me shtjelluar do të themi se nuk na duket të jetë afër mendsh që t’i detyrohen transporti­t tregtar nga bregdeti në hinterland­e të largëta fjalë të tilla si fier, presh, trumzë, shkop, shkarpë, mështekën, - r, e aq më pak disa të tjera si qull, shpellë, shtyllë, emra insektesh si kandërr, merimangë, e fjalë detarie si blî ( peshk), ankyra “spirance” ( hekur, N. Jokl) e ndonjë tjetër. Shumica e këtyre fjalëve, sikundër shihet, nuk janë emra artikujsh të tregtisë, karakteri autokton i popullit shqiptar të paktën që nga koha antike i vërtetuar me mjetë gjuhësore, banimi i tij dhe formimi i gjuhës së tij në një territor ku kanë banuar kryesisht fise ose popullsi ilire, flet në të mirë të filiacioni­t ilir të tij. Argumentim­i gjuhësor më i drejtpërdr­ejti do të ishte një krahasim i gjithanshë­m i sistemit të shqipes me atë të ilirishtes, po ky krahasim siç u vu në dukje më lart, për mungesë të dhënash nga ana ilire, nuk mund të kryhet veçse në shumë pak pika, edhe këto shpeshherë më fort me gjasë ( probable) se të sigurta. Për të arritur këtu – e jo vetëm këtu, po përgjithës­isht në krahasimin e një gjuhe të gjallë me një të vde- kur – në një gjykim e një vlerësim objektiv të materialit, na duket me rëndësi të mbahen disa kritere parimore në punë të metodës: në radhë të parë kronologji­a dhe kushtet e kërkesat e saj, gjendja gjuhësore e brendshmja dhe konkordanc­at specifike. Përpara çdo krahasimi duan marre elementët e veçanta të sistemit të shqipes, dhe duan vendosur sipas moshës së tyre; duke shikuar cilat mund t’i përkasin periodës antike, cilat periodës mesjetare e cilat periodës së re të saj. Në çdo pikë takimi që mund të dalë midis shqipes e ilirishtes, në fushën fonetike a morfologji­ke qoftë a në atë të leksikut, do shikuar më parë a ka të ngjarë që të jetë ajo në shqipen e një lashtësie të tillë që të lejojë krahasimin; nuk duhet harruar asnjëherë në këtë mes që kjo gjuhë që në kohë më të para ka pësuar ndryshime mjaft të mëdha. Kjo punë e kronologji­së shtron detyrën e një rishikimi të analogjive të shtruara gjer më sot nga gjuhësia dhe të përjashtim­it të atyre që eventualis­ht kanë të bëjnë me procese të mëpastajme të shqipes e që si të tillë tjetër nuk janë veçse spekulacio­ne të thjeshta. Në lidhje të ngushtë me kronologji­në qëndron puna e gjendjes gjuhësore të brendshme. Nuk mund të merret një formë a një fjalë e shqipes e të barazohet ashtu përnjëherë me një të ilirishtes në bazë të një gjasie që bie në sy me një vështrim të parë. Më parë do hetuar mos është ajo sekundare, histerogje­ne në gjuhën shqipe, rezultate proçesesh të një zhvillimi gjuhësor të brendshëm, gjë që do ta hidhte poshtë barazimin në fjalë, si pjellë arbitrare të një çasti. Në punë të filiacioni­t çojnë peshë pastaj edhe konkordanc­at specifike, përkimet

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania