Gazeta Shqiptare

Unë, një grua e lirë shqiptare në Berlin

- Nga Ani Wilms *

... të çmendur për t’u bërë intelektua­le në hapësirën gjermanike, e ndjeja që kjo do të më kushtonte sakrificë e transformi­m. E megjithatë llojin dhe përmasat e transformi­mit nuk mund t’i merrja dot me mend.

Në radhë të parë, të ftohtin. Në Mesdhe ishte ende mot fundvere, në Berlin kishte zënë ngrica. Ishte një ajër i ftohtë e i thatë që të priste brinjët. Ishte Era e Lindjes, siç ma sqaruan që ditën e parë, ajo era e pamëshirsh­me e stepës dimërore, që mbyt aromat, vyshk ngjyrat dhe asgjëson modën me anë të xhupave, pulovrave, shalleve e çizmeve. Asaj i dilej vetëm me soba me qymyr, më të mëdhatë që kisha parë në jetën time.

Por në Berlin gjeta diçka kaq të çmueshme, saqë qeshë lumturisht e gatshme ta duroj të ftohtin me gjithë mundimet e tij: Për herë të parë në jetën time mund të lëvizja lirisht në një qytet pas rënies së errësirës. Askush s’e kthente kokën kur i kaloja pranë, asnjeri nuk më qepej nga pas. S’kishte fjalë të ndyra, vështrime të paturpshme, kërcënime ose lloj- lloj ngacmimesh prej meshkujve në rrugë. Nuk trembesha as në mes të natës në metro ose me biçikletë nëpër parkun Tiergarten. Burrat me pushtet – policë, nëpunësa, profesorë – nuk më binin në qafë. Askush nuk merrej me thashethem­e dhe nuk përhapte shpifje mbi „ nderin” dhe „ moralin” tim. Çudi e madhe. Krejt e kundërta e përvojës sime në Shqipërinë komuniste e pas komuniste të viteve ’ 80-’ 90, ku për vajzat si unë s’kishte prehje përveçse në katër muret e shtëpisë ose në rrethin e ngushtë të miqve. Jeta nën koracë Që në moshë të vogël vajzat ishin të detyruara të mësonin një numër marifetesh për të mbijetuar në këtë ambient kaq armiqësor: veshje që s’bie në sy, pamje të vrazhdë e të vrenjtur, dredhi dhe shmangie pafund, tinëzi e fshehtësi, sepse kudo ka kurthe, në çdo kthesë ka rreziqe! Kurrë mos u hap, kurrë mos u rrëfe, moho çdo akuzë me vendosmëri­në më të madhe! Ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar deri diku shtypjes së mashkullim­it, dominimit të tij të pamëshirsh­ëm fizik e psiqik, ndryshe i quajtur edhe patriarkal­izëm. Mes meshkujve dhe femrave gjëmonte një luftë e paprerë, rraskapitë­se. Në këto kushte nuk shpalosej dot potenciali krijues i askujt. Ishte një botë deprimuese, ishte shëmti dhe mërzi e pafund.

M’u deshën vite për t’u mësuar me hapësirën dhe lirinë e Gjermanisë, për t’i lënë mënjanë pak nga pak truket dhe masat e sigurisë, për të qenë në gjendje të krijoj marrdhënie normale e të sinqerta me meshkujt. M’u desh mjaft kohë gjersa m’u bë e qartë, se për të ecur përpara në këtë vend, një vajzë nuk ka nevojë për baba të famshëm, as për bashkëshor­t me influencë, xhaxha posesiv- protektiv, vëlla muskuloz ose “bodyguards” të tjerë nga fisi. I duhen vetëm aftësitë e saj: gjykim i shëndoshë, inteligjen­cë emocionale dhe kurajo civile. Sepse gara e këtushme nuk bëhet me grushta dhe me ligësi, por me gjuhë e dituri. Ka dy dekada që ushtrohem në këto të fundit, dhe ende s’më ka dalë habia, se sa bukur funksionoj­në. Më e mira e botëve Për ne gratë, kjo është më e mira botë nga të gjitha. Dhe në një shoqëri ku gratë ndjehen mirë dhe lëvizin lirisht, të gjithë të tjerët ndjehen mirë. Arsyeja përse Perëndimi tërheq si magnet rininë e vendeve patriarkal­e është në thelb gjithmonë po e njëjta: liria e grave dhe respektimi i parimit femëror.

Vitaliteti i grave e zbukuron botën, e shndërron në një vend të larmishëm, të çelët, marramendë­s, – fantazia, zelli, përpikëria, takti, mprehtësia, hijeshia, besnikëria, gazmendi e ngrohtësia e motrave, nënave, shoqeve. Afërditat, Athinat, Amazonat, Mariat e Magdalenat: këtu të gjitha kanë mundësinë të jetojnë në përputhje me karakteret e tyre, të zhvillojnë talentet, t’i vënë vetes qëllime të larta, të punojnë për t’i arritur ato, ta mbushin jetën me kuptim.

Kohët e fundit në Gjermani janë shtuar lajmet mbi sulmet dhe dhunimet ndaj grave. Këto lajme janë të gjëmshme për mua. Unë e di nga përvoja se çfarë rreziku na kërcënon në rast se gratë detyrohen të ruhen, të mbrohen e të tërhiqen. Ajo lloj jete nuk ka më vlerë. Jo vetëm për gratë, por për gjithë pjestarët e shoqërisë.

Si mbrohet liria e grave në këto kushte? Kjo do jetë një nga çështjet qendrore të viteve të ardhshëm, një çështje politike, mbarëshoqë­rore. Një shoqëri që nuk është në gjendje të mbrojë kulturën e saj me anë të ligjit dhe autoriteti­t shtetëror, rrezikon të humbasë identiteti­n, të rrëzohet e të zhduket.

Tri breza më parë gratë i fituan të drejtat e tyre në barrikada. Sot unë jam prapë gati të ngremë barrikadat, nëse rrezikohet liria e grave, një nga arritjet më të mëdha të qytetërimi­t perëndimor. * Autore e romanit “Pritje të bukura”.

Marrë nga lapsi. al

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania