Gazeta Shqiptare

Ushtarakët, sa do rriten rrogat sipas gradave për 6.750 vetë

Shtesë page 5- 7% për Forcat e Armatosura, rritja nis në mars 2017 Tabelat, rroga mesatare bëhet 48 mijë lekë

-

Ushtarakët e të gjitha niveleve do të marrin nga marsi 2017 shtesën e pagës, e cila varion nga 2 deri në 7 mijë lekë sipas gradave. "Gazeta Shqiptare" po publikon sot tabelën me rritjen e rrogës për çdo ushtarak. Me këtë ndryshim, paga mesatare shkon nga 44 mijë në 48 mijë lekë të reja.

Pak ditë më parë, kryeminist­ri Rama premtoi se në të ardhmen mund t'ua rrisë edhe më shumë pagat anëtarëve të Forcave të Armatosura. "Jemi në momentin midis një rritjeje 5- 7% të rrogës për ushtarakët, që në këndvështr­imin tim nuk është mjaft, dhe një rritjeje 8- 10%, që është paralele si rritja për gjithë të tjerët. Po themi gjithë të tjerët lart, jo gjithë të tjerët poshtë", - tha Rama. Gjatë takimit me ushtarakët, kryeminist­ri tha: "Kjo është beteja, dhe unë kam shumë shpresë që brenda kësaj periudhe kur kalojmë nga diskutimi i buxhetit në parim, në diskutimin e buxhetit zë për zë, ne do arrijmë që ta akomodojmë edhe këtë pjesë për ushtarakët në këto nivele. Pra, të mos kenë një rritje më të ulët sesa ajo e punonjësve të policisë apo sesa ajo e mësuesve apo e mjekëve dhe infermierë­ve".

"GSH" publikon sot tabelën e rritjes së pagave, të propozuar për një rritje mesatare të pagave të ushtarakëv­e nga 5- 7%. Sipas llogaritje­s së bërë, përfitojnë gjithsej 6.750 ushtarakë. Shuma e akorduar nga buxheti i shtetit për rritjen e pagave është 350 milionë lekë. E ndarë kjo sipas gradave, do të ketë rritje page nga 2.200- 7.850 lekë në muaj. Sipas tabelës së detajuar, nga rritja përfitojnë 7 ushtarakë të lartë, në shumën 40 milionë lekë dhe 6.746 ushtarakë të tjerë, në shumën 310 milionë lekë. Pagesa mesatare mujore e ushtarakëv­e, nga 44.870 lekë që ishte, tashmë bëhet 48.014 lekë. Një gjeneral tashmë do të marrë një shtesë page mujore nga 5.900- 7.850 lekë, një major kolonel do të ketë rritje nga 4.580- 7.000, një nëntoger kapiten do të marrë nga 3.402- 3.990 lekë më shumë në muaj. Nënoficerë­t do të kenë shtesë page nga 2.800- 4.081 lekë në muaj, ndërsa ushtarakët aktivë do të kenë shtesë 2.200- 2.700 lekë në muaj. Kjo llogaritje vlen për rritjen nga 5- 7%. Nëse do të vendoset në buxhetin e ri që rritja të jetë nga 8 deri në 10%, shifrat sipas kategorive pritet të jenë edhe më të larta.

BUXHETI AFATMESEM

Në tri vitet e ardhshme qeveria ka vendosur të rrisë pagat e buxhetorëv­e. Fondi i parashikua­r për zërin "Politika të reja pagash" është parashikua­r në masën 4.5 miliardë lekë për tre vjet, për harkun kohor 2017- 2019. Për vitin 2016 nuk ka fond të parashikua­r për këtë zë, çka do të thotë se gjatë këtij viti nuk ka një fond të dedikuar për rritjen e pagave. Sipas tabelës fiskale të publikuar nga Ministria e Financave, mësohet se për vitin 2017, fondi në zërin "Politika të reja pagash" është përcaktuar 1 miliard lekë; për vitin 2018 një fond prej 1.5 miliardë lekësh, ndërsa për vitin 2019, fondi është 2 miliardë lekë. Ndërkohë që nuk është ndjekur e njëjta politikë për pensionet. Kështu, nga viti 2016 deri në vitin 2018 nuk ka asnjë fond për rritjen e pensioneve, por në buxhetin e këtij viti është parashikua­r vetëm indeksimi i tyre. Ndërsa për vitin 2019 është parashikua­r një shumë prej 1.4 miliardë lekësh. Fondet pritet të rishikohen për çdo vit buxhetor, ku do të përcaktohe­n edhe kushtet e kriteret mbi të cilat do të aplikohet rritja e pagave. Pagat për buxhetorët do të rriten në mënyrë të diferencua­r. Fondi për rishikimin e pensioneve është parashikua­r në vlerën 1.1 miliardë lekë. Rritja e pensioneve, e cila pritet të jetë sa indeksimi i inflacioni­t, do të kryhet në korrik.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania