TKOB NISET DREJT KUVAJTIT
Teatri
Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor do të udhëtojnë drejt Kuvajtit, për të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore. Teatri i Operës dhe Baletit në Shqipëri është përzgjedhur për të qenë prezent në një event të rëndësisë së veçantë, me ftesë të Teatrit të Operës së Kuvajtit, që i ka sugjeruar qeverisë kuvajtiane prezencën e trupës tonë atje. Ky është një event ku bashkohet kultura e vendeve të ndryshme të botës dhe Shqipëria do të prezantohet me një "Koncert Gala" me emrat më të rëndësishëm të operës së vendit tonë, mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Shqiptare në Kuvajt. Nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të shtetit të Kuvajtit, Sheikh Jaber Al- Mubarak dhe Këshillit Ndërkombëtar të Kulturës, Artit dhe Letrave. Edicioni i 23- të i eventit më të rëndësishëm ndërkombëtar, ku do të performojnë trupat artistike të vendeve si Meksika, Belgjika, Greqia, Spanja etj., do të mbyllet me shfaqen e artistëve tanë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ky event ka për synim bashkimin e kulturave të vendeve të ndryshme. Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit të Teatrit të Operës dhe Baletit tonë me Teatrin e Operës së Kuvajtit. Stafi drejtues ka përzgjedhur me kujdes pjesët, të cilat do të interpretohen nga Orkestra Simfonike e TKOB dhe solistët e institucionit më të rëndësishëm operistik në vend. Shfaqa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të përmbyllë edicionin e 23- të të "Festivalit Ndërkombëtarë të Kuvajtit". Programi i koncertit përfshin kompozitorë të njohur shqiptarë si Çesk Zadeja, Thoma Gaqi dhe kompozitorët me famë botërore si Lehar, Strauss, Verdi, Rossini etj.