Gazeta Shqiptare

IRMA KURTI, NË PRAGUN E NJË DHIMBJEJE

-

Mall,

nostalgji, dëshirë për të gjetur paqe e qetësi në gjirin e natyrës, dhimbje e zhgënjime nga marrëdhëni­et shoqërore, por edhe dashuri dhe bisedë me të shtrenjtët që nuk janë më... Me ndjenjën e dëshirës për jetën, për çka na rrethon dhe të fuqisë së të ardhmes, Irma Kurti pas kohësh mungese është kthyer sërish pranë lexuesit shqiptar. Poetja dhe autorja e shumë vëllimeve me poezi dhe romane, kësaj here vjen në tregun shqiptar me librin: “Në pragun e një dhimbjeje”, i botuar dhe vlerësuar vitin e kaluar në Itali, botim i shtëpisë “Ada”. Si në çdo vepër të saj, Irma Kurti ndjen të ardhmen, por qëndron edhe tek e tashmja, kthehet tek e shkuara, por edhe i këndon shpresës dhe dashurisë. Për të gjitha këto arsye, kjo përmbledhj­e me poezi ndahet në dy pjesë: “Radiografi­a e jetës sime” dhe “Nëse dashuria është kjo”. Në të parën Irma rend pas mallit dhe nostalgjis­ë për të shkuarën, e kërkon strehimin tek natyra, paqen mes qetësisë së saj, rend pa lodhje drejt çlodhjes së shpirtit, siç edhe revoltohet ndërsa ndan dhimbjen e zhgënjimev­e nga marrëdhëni­et shoqërore me lexuesit e saj. Vargje të ndjera tek të cilët mund të gjejë veten kushdo, rrëfime poetike në të cilat çdonjëri ka një pjesë. Dhe nuk merr fund me kaq. Sepse pas revoltës dhe vrapit për të gjetur paqen, Irma ka zgjedhur kësaj here ta mbyllë librin e saj të ri me poezi kushtuar dashurisë dhe vlerës së saj sublime, boshllëkut që të lë pas humbja e një njeriu të dashur, fjalëve të pathëna, ndjenjave të pashprehur­a, pendimit, kohës që do të donte të kthehej mbrapsht. “Poezitë e Irma Kurtit janë vetëm në dukje të mbuluara nga një atmosferë nostalgjie dhe trishtimi. Poetja i do çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshm­e së kaluarës, të errësuar nga ngjarje sociale e private të vështira tenton t’i kundërvërë momente të paqes dhe qetësisë”, shkruan Adele Donini për poeten shqiptare. “Është ky një kërkim i qëndrueshë­m dhe këmbëngulë­s i rrethanave të jetës së vërtetë, të distiluara nga lot dhimbjeje dhe durimi. Kuptohet nga rrokëzimi i ndjenjave midis shpirtit të saj dhe natyrës që e rrethon: një lëndinë, një qiell me yje, dielli ose më mirë, mijëra diej të vegjël, retë e kuqe të perëndimit të diellit... Lexuesi është i privilegju­ar sepse përfaqëson atë të cilit Irma Kurti i beson veten, i konfidon motivet e dhimbjes së saj, të nostalgjis­ë dhe të perceptimi­t dehës të lumturisë”. Libri “Në pragun e një dhimbjeje”, i botuar në vitin 2016 në gjuhën italiane ( Sulla soglia di un dolore), u vlerësua si “Libri më i mirë” në Konkursin “Poem Academy Awards 2016”, ideuar dhe organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli. Irma Kurti ka botuar 14 libra në gjuhën shqipe dhe tetë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer edhe në anglisht, frëngjisht e spanjisht. Ka fituar 30 çmime e vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombët­are letrare në Itali dhe në Zvicër.

 ??  ?? Në foto: Irma Kurti
Në foto: Irma Kurti

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania