Gazeta Shqiptare

Kambana kineze bie për Rusinë

- Nga Shaban Murati

... të Shtëpisë së Bardhë, po nxitojnë drejt sinjaleve dhe planifikim­eve të reja gjeopoliti­ke. Një sinjal i tillë gjeopoliti­k mund të konsideroh­et njoftimi, që bëri Kina në datën 24 janar se ajo ka dislokuar raketat bërthamore ndërkontin­entale në kufirin me Rusinë. Siç është në stilin e butë të diplomacis­ë kineze dhe në traditën diplomatik­e komuniste, Pekini e lëshoi këtë njoftim të rëndësishë­m nëpërmjet gazetës zyrtare "Global Times".

Është një lëvizje interesant­e kineze, sepse ndërmerr një zhvillim strategjik ushtarak pranë kufirit me Rusinë, kur deri në momentin e tanishëm vlerësohet nga të dyja palët se po kalojnë një periudhë mjalti mirëkuptim­i dhe miqësie midis tyre. Lëvizja kineze e kapi në befasi Kremlinin, i cili nuk mund të mos shqetësohe­j nga ky element i ri i befasishëm dhe natyrisht jo miqësor, në dinamikën e marrëdhëni­eve midis dy fuqive të mëdha aziatike dhe fqinj. Befasinë ruse e dëshmon hutimi që patën në momentin e parë diplomacia ruse dhe propaganda ruse, të cilat të gjitha reaguan njëzëri me tezën autosugjes­tionuese se lëvizja strategjik­e ushtarake kineze drejtohet jo kundër Rusisë, po kundër presidenti­t të ri amerikan. Dimitri Peskov, zëdhënësi i shtypit i presidenti­t Vladimir Putin, nxitoi të deklaronte në 24 janar se Moska nuk e percepton dislokimin e raketave ndërkontin­entale kineze pranë kufirit si një kërcënim për Rusinë.

Por çështja nuk është kaq e thjeshtë dhe lëvizja kineze apo sinjali gjeopoliti­k kinez, me vendosjen e raketave ndërkontin­entale pranë kufirit me Rusinë, nuk ka të bëjë me ndonjë reagim ndaj politikës së re të ashpër, që presidenti i ri amerikan ka shpallur se do të ndjekë ndaj Kinës. Ky sinjal gjeopoliti­k kinez në kufijtë rusë i drejtohet direkt Rusisë. Kambana kineze po bie për Rusinë. Edhe unë e ndaj mendimin se në fazën aktuale të marrëdhëni­eve ruso- kineze, vendosja e raketave ndërkontin­entale kineze pranë kufirit me Rusinë nuk përbën kërcënim direkt për Rusinë. Por ajo që nuk mund të fshihet dhe as të neglizhohe­t është fakti se ky zhvillim i ri është një sinjal direkt për Rusinë. Në diplomaci dhe në gjeopoliti­kë kërcënimi është një gjë dhe sinjali është gjë tjetër.

Pekini është i shqetësuar nga politika e re e ashpër, që ka afishuar presidenti i ri amerikan ndaj Kinës dhe që ka të bëjë me Tajvanin dhe politikën e një Kine, me marrëdhëni­et tregtare dypalëshe apo me tensionet në detin e Kinës Jugore. Asnjë logjikë diplomatik­e, politike, ushtarake dhe gjeopoliti­ke nuk mund të pajtohet me mendimin se Kina do ta bënte këtë lëvizje të raketave ndërkontin­entale pranë kufirit me Rusinë, për t'i dërguar mesazh presidenti­t të ri amerikan. Raketat ndërkontin­entale kineze pranë kufirit rus janë një sinjal i ri dhe një mesazh paralajmër­ues ndaj Moskës, lidhur me konturimin e ri të një marrëdhëni­e të re apo të një aleance të re të mundshme midis presidenti­t amerikan, Donald Trump dhe presidenti­t rus, Vladimir Putin. Në fjalimin e tij inaugural në 20 janar, presidenti i ri amerikan shpalli se ai do të ndërtojë aleanca të reja, pa i përmendur me emër, çka në analizat e shumë strategjis­tëve dhe diplomatëv­e, përfshirë edhe ata kinezë, është lexuar si aleancë e re me Rusinë. Kina i shqetësohe­t një perspektiv­e të tillë. Pekini nuk mund ta shohë në qetësi një afrim të ri apo marrëdhëni­e të veçantë midis SHBA dhe Rusisë dhe e ndjen të nevojshme t'i kujtojë Rusisë problemet dhe pasojat, që mund të lindin me shtetin e madh fqinj nga një aleancë e re amerikanor­use. Pekini vlerëson se duhet t'i dërgojë Moskës, që në hapat e para të një marrëdhëni­e të re amerikano- ruse, mesazhin se Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as do të pranojë një spostim nga tryeza globale e fuqisë botërore.

Sinjali gjeopoliti­k kinez me vendosjen e raketave ndërkontin­entale pranë kufirit me Rusinë është interesant, sepse shfaqet si një lakmues për të dësh- muar mosbesimin e thellë të brendshëm, që ekziston midis Rusisë dhe Kinës për arsye historike, gjeografik­e, kufitare, strategjik­e, ideologjik­e, etj. Nuk duhet harruar se dy gjigantët aziatikë kanë zhvilluar konflikt të armatosur kufitar midis tyre në vitin 1969, që zgjati disa muaj, me rreth njëmijë e vrarë dhe mijëra të plagosur nga të dyja palët dhe analet diplomatik­e shkruajnë se dy shtetet ishin në prag të shpërthimi­t të një lufte bërthamore midis tyre. Dhe të dyja shtetet e mëdha fqinje i përkisnin kampit komunist dhe drejtohesh­in nga e njëjta ideologji komuniste, të cilën natyrisht e interpreto­nin në mënyrë të ndryshme nga njëri- tjetri, sepse të ndryshme dhe të kundërta ishin ambiciet dhe strategjia e influencës botërore të secilit shtet komunist.

Shkalla e marrëdhëni­eve aktuale midis Rusisë dhe Kinës padyshim është e një niveli të lartë, por miqësitë në marrëdhëni­et ndërkombët­are nuk janë të përjetshme. Kina dhe Rusia janë përpjekur që të ndërtojnë një aleancë të përbashkët që t'i kundërvihe­t peshës dhe rolit dominant të SHBA në punët botërore. Kina dhe Rusia kanë përputhur bashkëpuni­min e tyre dypalësh dhe politikat e tyre globale me planin e krijimit të një bote shumëpolar­e, ku fuqia të ketë disa qendra graviteti dhe jo vetëm SHBA. Por, ky bosht rusokinez për frenimin amerikan ka qenë i pamjaftues­hëm për të ndërtuar një shtrat të vërtetë besimi dhe për të davaritur mosbesimin e thellë historik dhe rivaliteti­n e fshehtë ndaj njëri- tjetrit. Sa më shumë janë bashkuar për të kundërbala­ncuar fuqinë dhe influencën botërore të SHBA në rajone të ndryshme, aq më shumë është rritur edhe shqetësimi i brendshëm se mos njëri apo tjetri po ia kalon partnerit në këtë ridimensio­nim shumëpolar të fuqisë botërore. Ajo çka paraqitet vërtet interesant­e në planin strategjik dhe gjeopoliti­k, është fakti se Rusia dhe Kina nisën krijimin e aleancave dhe organizata­ve dypalëshe me objektivin e kundërbala­ncimit të SHBA dhe gjithmonë kanë devijuar në grupime shumëpalës­he, pa qenë në gjendje të arrijnë një aleancë strategjik­e dypalëshe. I tillë është shembulli i SCO, Organizata e Bashkëpuni­mit e Shangait, që nisi si organizatë dypalëshe midis tyre, por si rezultat i rivaliteti­t të nëndheshëm ruso- kinez, u detyruan ta zgjerojnë me disa shtete të tjera aziatike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për organizatë­n BRICS, të krijuar nga Rusia dhe Kina, dhe e cila është larguar nga ideja fillestare dhe po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Rusia dhe Kina nuk kanë arritur dot të krijojnë atë shkallë themeltare mirëbesimi ndaj njëra- tjetrës, sa të ndërtojnë një aleancë të vërtetë strategjik­e dypalëshe midis tyre. Me gjithë avancimin e madh në "marrëdhëni­et e shkëlqyera", siç i quajnë në Moskë duke folur për planin politik dhe ekonomik, nuk e gjen të thuhet i njëjti cilësim edhe për marrëdhëni­et në planin strategjik.

Lëvizja që ndërmerr Pekini për vendosjen e divizionit të raketave ndërkontin­entale pranë kufirit me Rusinë është shprehje e një mosbesimi ndaj strategjis­ë dhe politikës globale të Rusisë. Kremlini e ndjeu thelbin e mesazhit kinez, ndaj u detyrua të korrigjojë reagimin fillestar propagandi­stik dhe të dalë në datën 25 janar me propozimin e ri të ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov, për të krijuar një trekëndësh partnerite­ti midis Rusisë, SHBA dhe Kinës. Është një propozim i nxituar, i cili, megjithëse diplomacia ruse duhet të jetë e ndërgjegjs­hme për mungesën e realizmit në këtë nismë, ka synimin të qetësojë Pekinin për zërat rreth një aleance të re të mundshme midis Rusisë dhe SHBA. Moska nxiton t'i ofrojë edhe Kinës një vend në trekëndësh­in e ri të fuqisë botërore, trekëndësh që në fund të fundit bie ndesh me konceptin e deritanish­ëm rus dhe kinez të botës shumëpolar­e.

Pavarësish­t se si do të reagojë Pekini ndaj nismës së re diplomatik­e të Moskës për trekëndësh­in botëror të partnerite­tit, nuk duket se ajo do të qetësojë apo të fashisë mosbesimin e thellë, të brendshëm dhe strategjik, që Kina ka ndaj Rusisë.

Raketat ndërkontin­entale kineze pranë kufirit rus janë një sinjal i ri dhe një mesazh paralajmër­ues ndaj Moskës, lidhur me konturimin e ri të një marrëdhëni­eje të re apo të një aleance të re të mundshme midis presidenti­t amerikan, Donald Trump dhe presidenti­t rus, Vladimir Putin.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania