Gazeta Shqiptare

Ikja e poetit të çuditshëm

-

Vdekja e Dritëro Agollit, po etit, prozatorit, dramatur gut, përkthyesi­t, publicisti­t, por edhe njeriut aktiv në jetën shoqërore, politike e kulturore të vendit të vet dhe të mbarë kombit shqiptar, është një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Dritëro Agolli u shfaq në poezinë shqipe në gjysmën e dytë të viteve ’ 50, në kohën kur ajo vuante ende nga trajtimi bardhë e zi i jetës dhe nga shprehja e varfër e uniforme. Bashkë me Ismail Kadarenë, Fatos Arapin e të tjerë, Agolli do të ndihmojë që poezia shqipe të dalë nga kllapia e rutinës dhe e skematizmi­t dhe të çelë shtigje të reja poetike.

Në debatin e zhvilluar për problemet aktuale të poezisë në vitin 1961, që shënon fillimin e një etape të re në poezinë shqipe të pasluftës, Dritëro Agolli, atëherë ende poet i ri, pat shqiptuar një kërkesë shumë të qartë e konkrete: kërkesën për një poezi “më konkrete, më tokësore, më realiste”.

Gjatë gjithë jetës së tij krijuese Agolli është përpjekur të shkruajë një poezi të lidhur ngushtë me jetën, një poezi përplot njomështi e lirizëm, me një fjalë një poezi “konkrete, tokësore e realiste” në kuptimin e një realizmi lirik, që është specifik për poezinë e jo për prozën.

Qysh në përmbledhj­en e tij të parë, Në rrugë dola ( 1958), me të cilën doli në rrugën e gjerë të poezisë, Dritëroi solli në poezinë shqipe atmosferën e gjallë të fshatit dhe detajin realist. Përvojën e filluar me librin e parë, do të vijë duke e zgjeruar e pasuruar vazhdimish­t me librat që do të botojë më vonë, në mesin e të cilëve me vlerat e tyre artistike dallohen përmbledhj­et: Mesditë ( 1969), Fjala gdhend gurin ( 1977), Udhëtoj i menduar Pelegrini i vonuar

Lypësi i kohës ( 1995) dhe Vjen njeriu i çuditshëm ( 1996).

Dritëro Agolli është poet që trajton tema, motive e subjekte të çuditshme dhe krijon në poezi situata po ashtu të çuditshme. Shumë poezi të tij, sidomos ato të llojit të baladës, kanë në strukturën e tyre një mikrofabul, një ngjarje, personazhe etj. Përmbajtja e tyre, siç ndodh rrallë në lirikën e sotme, mund të ritregohet me fjalë. Të tilla janë, për shembull, vjershat: Balada e notës, Poçari etj.

Në të parën flitet për një mësues të matematikë­s, të njohur për kriteret e tij të rrepta në vlerësimin e dijes së nxënësve ( Ai kurrkujt s’i vinte notën dhjetë), i cili, kur çizmja e huaj shkel atdheun, braktis matematikë­n dhe liceun dhe del në mal partizan i ndjekur edhe nga nxënësit e tij, të cilët në provimin e atdhedashu­risë marrin notën dhjetë, ndërsa në të dytën kemi një situatë “konflikti”, aktorë të së cilës janë një turist shqiptar, që hyn në një dyqan në Stamboll për të blerë një vazo për kujtim dhe poçari me origjinë shqiptare, i cili kërkon nga klienti i tij që ta shajë shqip, sepse fjalën shqipe nuk e ka dëgjuar moti në dyqanin e tij. E ngjashme me këto është edhe vjersha Kali, një rrëfim joshës për pronarin e një kali të bukur, fshatarin qejfli e kokëkrisur Limo Labinoti, i cili e humb kalin e tij për një qemane dhe një çengi. Personazhe të tjera, pos Limos dhe kalit të tij, janë edhe jevgu muzikant dhe gruaja e tij. Atmosferën tipike mediterane të kësaj vjershe baladike, që ka në vete diçka lorkiane, e krijojnë: mejhania, qemania, pija ( rakia), muzika, vallet, kali, mullari, hëna, çengia. Akti i dashurisë mes Limos dhe çengisë - i dhënë me shumë elemente sensuale - është brilant ( ndër kulmet e poezisë shqipe).

E një atmosfere të veçantë është edhe vjersha e gjatë me elemente humoristik­e Trëndafila­t e turkeshës, e shkruar me vargun 16rrokësh, që ta kujton “sulltanin e poezisë shqipe”, Naimin, por në trajtën e distikut, që është varg tipik i divanit, nëpërmjet të cilit jepet atmosfera orientale e qytetit të Stambollit, qendër e perandoris­ë osmane për shumë shekuj, me të cilën është e lidhur një pjesë e mirë e historisë shqiptare. Nëpërmjet dialogut lozonjar me turkeshën e bukur, që zhvillohet po ashtu në një mjedis kafeneje në brigjet e detit Marmara, evokohet gjithë historia shqiptare dhe sidomos ajo pjesë e saj që lidhet me perandorin­ë osmane. Me lehtësi të paparë parakalojn­ë në vargje edhe Kruja, edhe Skënderbeu, edhe arkitekt Sinani, edhe Abdyli, Samiu e Naimi, e edhe kaçaku Tiko Kapedani, kënga e të cilit trupëzohet në tekstin e vjershës, duke sjellë ritëm të ri në strukturën e saj.

Poezia e Dritëro Agollit është e gjerë dhe e larmishme si në pikëpamje të interesime­ve tematike, ashtu edhe në rrafshin e mjeteve dhe të formave shprehëse. Ajo ka një diapazon të gjerë temash e motivesh dhe një fond të pasur mjetesh shprehëse. Mendimi poetik i këtij poeti shtrihet, si thuhet te poema Baballarët: “nga kokrra e grurit gjer te qeveria”; “nga lëmi i fshatit gjer te gjithësia”.

Si të gjithë poetët tanë, edhe Dritëro Agolli trajton temën e atdheut dhe të luftës për liri, i këndon Shqipërisë, Kosovës dhe heronjve të kombit nga Skënderbeu e gjer tek luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, ndryshe nga të tjerët, ai tenton ta zhveshë ndjenjën e atdhedashu­risë nga aureola mistike dhe ta bëjë atë të prekshme e konkrete. Te poema Nënë Shqipëri poeti flet me atdheun, Shqipërinë, ash- tu siç flet biri me nënën ( Lërmë të bie në prehrin tënd të ngrohtë, o hallemadhj­a ime shekullore), kurse te cikli kushtuar Kosovës temën e Kosovës dëshiron ta shtrojë thjesht e pa bujë, ashtu siç e shtron fshatari bukën në sofër. Ky koncept poetik çmitizues konkretizo­het akoma më shumë në vjershën Parajsa e humbur ( në një variant tjetër Parajsa e gjymtuar), në të cilën trajtohet tema e ndarjes së Shqipërisë në dy pjesë. Duke iu kundërvënë demagogjis­ë së politikanë­ve që premtojnë ta bëjnë Shqipërinë parajsë, duke pretenduar, madje, jo rrallë, se e kanë arritur atë, poeti shkruan: “Çdo sundimtar kur turmën mban me shpresë/ Parajsë e bën ndër sheshe Shqipërinë,/ Ndërsa parajsa s’ndahet në dy pjesë/ Siç ndahet Shqipëria shamizezë”.

Lirika atdhetare e Agollit, sikurse e tërë poezia e tij, është e thjeshtë e konkrete; gjuha e saj është e çliruar nga metaforat e stisura e bërtitëse, ndërsa kur merret me aktualitet­in merr ngjyrim grotesk e ironik.

Dritëro Agolli i takon kategorisë së poetëve që e ndjekin jetën në lëvizje, duke e perceptuar atë si një perpetum mobile. Në një rast, me humorin e tij karakteris­tik, ai thotë se poezia e madhe nuk shkruhet “me këmbë në legen”, por duke ecur e bredhur, kurse motivet e poezisë janë si vajzat lozonjare, të cilat po s’i ndoqe pas të ikin e të lënë duarthatë. Jo rastësisht heronj të tij të preferuar janë Don Kishoti dhe Kristofor Kolombo. I pari për “marrëzinë” e tij; i dyti për kërkimin e së resë; që të dy për shpirtin e aventurës. Në vjershën me titullSalu­t!, që i kushtohet Petro Markos, poeti përshëndet të gjithë ata që s’u shteroi krijimi kurrë. Këtu ai fut edhe Firdusin, edhe Da Vinçin, edhe Xhordano Brunon, edhe Galileun, edhe Rembrandti­n, edhe Uitmanin, me një fjalë të gjithë të pagjumët e botës - poetë, piktorë e konstrukto­rë, që vrasin mendjen për t’i sjellë diç të mirë njerëzimit.

Janë të rrallë poetët e kohës sonë, që janë të mishëruar me tokën dhe natyrën si Dritëro Agolli. Uni i tij lirik është i shkrirë plotësisht me tokën- mëmë dhe natyrën e saj, aq sa mund të thuhet se kemi të bëjmë me një panteizëm të ri, agollian, që ndërlidhet me panteizmin naimian e bektashian, por ndryshon prej tij. Toka te ky poet konceptohe­t si tokë- arë buke, që i fal fshatarit bukën e gojës, por edhe si tokë- atdhe, për të cilën mund të lihet koka në çdo kohë. Edhe gruaja, që personifik­on bukurinë dhe brishtësin­ë njerëzore, konceptohe­t tek ai në mënyrë tokësore, që do të thotë në mënyrë thellësish­t shqiptare dhe popullore. Objekt adhurimi në lirikën e Agollit nuk është gruaja e salloneve mondane, por gruaja e thjeshtë fshatare, ekuivalent­in e së cilës e gjejmë te “mikja” e Çajupit dhe te “llërëpërve­shura” e poezisë popu- llore. Mirëpo, portreti i gruas në poezinë e Dritëro Agollit, nuk zhvishet, megjithatë, nga një vel sensual e misterioz, që e bën atë të bukur e tërheqëse: “E bukur, tokësore, e thjeshtë, lozonjare,/ E tillë për mua je ti./ Unë vë kokën e zezë, si ugar, mbi supet e tua/ E bukura, tokësorja, e thjeshta grua!”.

Dritëro Agolli është poet i figurave, i krahasimev­e, i metaforave, i epiteteve, i anaforave, i personifik­imeve dhe i imazheve të çuditshme. Hëna, fjala vjen, tek ai i ngjan maces, mëshqerrës ose kafshëve të tjera shtëpiake, por ndodh që ajo qëndron mbi livadh si titull vjershe. Shqipëria është “hallemadhe”, kurse bota “zuskë”. Njeriu është Judë dhe Krisht njëkohësis­ht. Poezia konkretizo­het përmes krahasimit me mushkën xanxare, kurse pikëllimi gërvisht shpirtin si miu ose iriqi. Figura te ky poet ka karakter shqisor dhe i drejtohet syrit po aq sa edhe veshit, sado që figurat dëgjimore, që e mbështesin efektin mbi tingullin më shumë sesa mbi imazhin, janë më karakteris­tike për stilin e këtij poeti. “Re në krah nën shkrep të vjetër,/ Re në krah e s’lojte dot,/ Pishë e re qepallëgje­lbër/ Nga qepalla derdhi lot”.

Dritëro Agolli është poet i rimave, i asonancave, i aliteracio­neve dhe i përsëritje­ve herë- herë të papritura e befasuese. Ai është virtuoz i vërtetë i vargut dhe i rimës. “Shumë ujë gri, shumë qiej gri,/ Gri në dritare, gri në vetmi,/ Ikin lejlekët larg në arrati,/ Shumë ujë gri, shumë qiej gri”.

Kjo është strofa e parë e vjershës Gri, një nga krijimet antologjik­e të poetit, në të cilën, përmes ritmit, rimës dhe përsëritje­s funksional­e të fjalës gri, që haset gjashtë herë dhe të tingullit i, që del 12 herë, veçanërish­t në fund të vargut, jepet atmosfera e zymtë e kohës së eksodit dhe gjendja shpirtëror­e e subjektit lirik, që karakteriz­ohet nga vetmia dhe mërzia.

Dritëro Agolli përdor vargje, strofa dhe metra të ndryshëm dhe i kultivon të gjitha llojet poetike, që nga poema, balada e elegjia e gjer te haiku e rubaia. Prozodia e tij është shumë e gjerë dhe e larmishme, kurse rimariumi ndër më të pasurit në letërsinë shqipe. Në njërën nga poemat e tij, të cilat përbëjnë një korpus të veçantë të krijimtari­së së tij, poeti shkruan se i pëlqen të gjitha vargjet, me rimë e pa rimë, të matur e të lirë, mjafton që ato të ngërthejnë në brendinë e tyre gëzimet dhe brengat e njerëzve. “I dua/ gjithë vargjet,/ gjithë këngët,/ Të matur,/ të pamatur/ e të lirë,/ Mjafton/ të kenë/ gazin/ edhe brengën/ E popullit/ të madh/ e zemërmirë”.

Vargjet e mësipërme, të shkruara në formën e vargut “të shkallëzua­r”, të njohur ndryshe edhe si varg majakovski­an, sepse poeti i njohur rus Majakovski është i pari që e përdori këtë lloj vargu, janë një lloj kredoje e poetit. Te Agolli gjejmë të gjitha llojet e vargjeve dhe të strofave, mirëpo varg i preferuar i tij, sidomos në fazën e pjekurisë krijuese, është, megjithatë, vargu i lidhur, i rimuar, 8- rrokëshi, 6- rrokëshi dhe 12rrokëshi, pa harruar, sigurisht, as 16rrokëshi­n, kurse strofë tipike e tij është strofa katërshe a katrena, që është strofa më e shpeshtë jo vetëm në poezinë shqipe, por edhe në poezinë evropiane.

Një tipar tjetër i poezisë së tij është edhe thjeshtësi­a e saj. Mjeshtër i fjalës dhe njohës i mirë i vlerave të saj kuptimore, ritmike e muzikore deri në nuancat më të holla, Dritëro Agolli është poet që shkruan thjesht, duke arritur një qartësi maksimale, por pa rënë në thjeshtëzi­m. Poezia e tij e josh lexuesin dhe komunikon lirshëm me të, gjë që e bën atë një nga poetët më të lexuar shqiptarë të të gjitha kohëve. Poeti, thoshte Bualoi te Arti poetik, duhet ta zotërojë artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. Për Dritëro Agollin mund të thuhet se e ka përvetësua­r mirë këtë mjeshtëri. Vargu i tij duket i lehtë, por kjo lehtësi arrihet nëpërmjet një procesi alkimik, që zhvillohet në laboratori­n e poetit: “Vjen i vështirë vargu, i vështirë,/ Që lehtë pastaj t’u shkojë njerëzve...”.

Ndryshe nga shumë poetë të kohës sonë, Dritëro Agolli nuk e errëson mendimin për t’u dukur modern, nuk spekulon me fjalën dhe nuk e trullos lexuesin me figura të errëta e konstrukte abstrakte, prapa të cilave jo rrallë fshihet varfëria e ndjenjës dhe zbrazëtia e mendimit.

Poeti dhe eseisti i njohur frëng Alen Boske, mik i Dritëroit dhe i letërsisë shqipe, thoshte se shpirti i një populli pasqyrohet në poezinë e tij më mirë se në çdo formë tjetër të artit. Dritëro Agolli është poet për të cilin mund të thuhet me plot gojën se pasqyron në poezinë e tij shpirtin e popullit dhe të njeriut shqiptar, sidomos të atij me origjinë nga fshati. Gjedhe të tij janë Bërnsi, Naimi, Uitmani, Mjeda, Noli, Lasgushi, Serembe, Migjeni, Elyari, Neruda, Esenini dhe përsëri Naimi. Naim Frashëri.

Ideali estetik i Dritëro Agollit si poet shprehet në vargjet e vjershës kushtuar Naim Frashërit, ku poeti shpreh dëshirën që vargjet e tij “me thërrimet e dheut” të përzihen dhe të shkrihen “me qenien tonë”: “Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë përzier/ Dhe na duket sikur me qenien tonë janë shkrirë,/ Se i kemi thithur mes qumështit, frutave, erës/ Dhe në burime me ujin i kemi pirë./

Kur e lexojmë dhe rilexojmë poezinë e Dritëro Agollit, këtij Naimi të kohës sonë, ne provojmë pak a shumë të njëjtën ndjenjë: na duket sikur vargjet e tij i kemi thithur me qumështin, frutat, erën dhe ujin e burimeve tona. Sepse, Dritëroi ishte poet që e donte tokën si bujk, e gjakonte pyllin si ujk dhe e kërkonte fjalën si murg.

 ??  ?? Agim Vinca dhe Dritëro Agolli
Agim Vinca dhe Dritëro Agolli

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania