Gazeta Shqiptare

Arbëneshët e Zarës, në skicat e rralla të Nikolla Arsenoviç më 1823

Përshkrime­t e albanologë­ve: Kanë ruajtur veshjen dhe zakonet e atdheut të tyre të vjetër

-

Me sa dimë, dëshminë e parë të shkruar për veshjen e ar bëneshëve të Zarës e gjejmë vetëm në vitin 1857, në librin udhëpërshk­rime të Ida von Reinsberg- Duringslfe­ldit, e cila në gjysmën e parë të shek. XIX e ka vizituar Zarën. Gjithashtu, ka vizituar edhe lagjen e Arbëneshëv­e dhe ka shënuar se “arbneshët e kanë ruajtur veshjen dhe zakonet e atdheut të tyre të vjetër” (“der Kleidung und der Sitten ihres Vaterlande­s gehalten”). Se sa ishte kompetente zonja Ida të dallonte këtë element, këtë nuk e dimë.

Por, nga mesi i shek. XIX e kanë prejardhje­n përshkrime­t figurative të veshjeve popullore, që ndoshta e vërtetojnë konstatimi­n e zonjës Ida von Reinsberg- Duringslfe­ld. Më poshtë do të ilustrohen disa imazhe, të cilat janë realizuar nga etnografi dhe piktori amator, Nikolla Arsenoviç ( Retfella tek Osijeku, më 1823- Beograd, më 1885). Ai kishte rënë kryq e tërthorë në të gjithë Kroacinë, Slloveninë, Bosnjë- Hercegonin­ën, Malin e Zi dhe kishte arritur deri në Shkodër, në Shqipërinë e Veriut. Përmbledhj­a e tij e pasur dhe interesant­e e akuareleve është blerë më 1879 për Sektorin Etnografik të Muzeut Popullor në Beograd. Në vitet e pesëdhjeta piktorja beogradase, Milica Matllas ka bërë kopjen e atyre akuareleve, vetëm të atyre që paraqesin veshjen në viset pranë bregdetit Adriatik. Ato kopje ruhen në Muzeun etnografik të Splitit1. Midis pikturave gjenden edhe katër veshje popullore nga Arbëneshi ( dy të grave dhe dy të burrave). Dihet se për t’i pikturuar Arsenoviçi zgjodhi veshjet e vjetra, prandaj mund të supozojmë se veshjet e arbëneshëv­e, që i ka radhitur në pjesën e parë të përmbledhj­es, janë me siguri nga gjysma e parë e shek. XIX.

Nuk kemi arsye të dyshojmë se Arsenoviçi ka pikturuar veshjet që ka parë në Arbënesh, prandaj nuk guxojmë të dyshojmë se arbëneshët e Zarës në atë kohë i vishnin me të vërtetë veshjet e atilla. Mund të marrim me mend se Ida von ReinsbergD­uringslfel­d e ka parë me të vërtetë atë veshje në Arbënesh dhe se e ka konsiderua­r si veshje burimore, të cilën arbëneshët e Zarës e kanë sjellë me vete nga atdheu i vjetër.

PËRSHKRIMI I VESHJEVE

Këto veshje mund t’i përshkruaj­më shkurtimis­ht kështu:

a) Veshja e grave përbëhej nga bluza e bardhë, pastaj fustani që ishte prej dy pjesëve. Pjesa e sipërme ishte pa mëngë dhe ishte e qepur për trupin. Në atë pjesë ishte qepur fustani me palë të dendura, për të cilat duhej të përdoreshi­n 3 deri 3,5 metra basmë. Mbi të gratë vishnin edhe përparësen me ngjyrë të kuqe të mbyllët. Në kokë mbanin kësulën mbi të cilën ishte shalli me ngjyrë të kaltër të çelët. Vajzat mbanin në këmbë çorape të thurura, pastaj opinga nga lëkura e butë. Gratë e martuara i bartnin çorapet me ngjyrë të kuqe.

b) Burrat mbanin pantallona të gjata e të ngushta nga stofi i kaltër i errët, si edhe çorape të thurura dhe opinga. Në pjesën e sipërme mbanin kaparanin ( pallton fshatare), kurse në kokë kapelën e kuqe.

Kjo veshje sigurisht që nuk ishte veshja që mbanin për çdo ditë, e sigurisht jo kur bujqit dhe barinjtë që shkonin në ara për të punuar. Po ashtu, mund të jemi të sigurt se arbëneshët dhe arbëneshat, që mund të kishin një veshje kaq të bukur, nuk ishin nga radhët e shumicës. Ishte kjo në çdo rast veshje solemne, që vishej në raste të veçanta ( për kurorëzime, dasma, për shkuarje në meshat solemne të të dielave, për shkuarje ndër miq në qytet etj.).

STJEPAN BUZOLIÇI

I pari që e ka përshkruar mirë veshjen e arbëneshëv­e të Zarës ishte Stjepan Buzoliçi. Në artikullin e tij të shkurtër për arbëneshët ( që e ka botuar në vitin 1868) për veshjen e arbëneshëv­e shkruan: “Veshja i përngjan asaj dalmatinas­e të qytetit kroat: kapuçi i kuq, i hollë; tek të rinjtë i kthyer në një anë dhe dolloma e shkurtër, rëndom e murrme, njësoj si e banorëve të ishujve pranë Zarës, te fëmijët dhe të rinjtë, përpara e laruar me qëndisme të purpurta. Brezi i kuq, kurse pantallona­t herë- herë si te italianët deri në këmbë, në të cilën mbath herë çizme e herë opinga. Nga ky përshkrim i përgjithës­uar shihet tashmë se arbëneshët e Zarës kishin pranuar në atë kohë disa përbërës të veshjes së fshatarëve kroatë të rrethinës, si edhe disa të veshjes së qytetit, sepse nuk e prodhonin më veshjen vetë, por rrobat i blinin nëpër dyqanet në Zarë.

GUSTAV WEIGANDI

Janë interesant­e vërejtjet e albanologu­t gjerman, Gustav Weigandi, për veshjen e arbëneshëv­e. Ai e kishte vizituar Arbëneshin më 1909, sepse si linguist i interesont­e e folura e arbëneshëv­e të Zarës, por në pjesën hyrëse të punimit të tij ka shkruar disa radhë edhe për veshjen. Ja se si e kishte parë ai: “Po ashtu, edhe në veshje edhe në disa pjesë të rrobave nuk ka më kurrgjë të veçantë shqiptare. Por, megjithatë, duhet thënë se ata nuk e bartin veshjen e larme dalmatine, është e dukshme se tregojnë prirje për ngjyra më të errëta. Gratë mbajnë pothuajse gjithnjë rroba të zeza. Prodhimi vendor i leshit, pastaj tjerrja dhe veku është ndërprerë në tërësi”.

Weigandi kishte dëgjuar nga arbëneshët e atëhershëm se në atë vend më askush nuk ë përdorte vekun për të bërë pëlhura, se arbëneshët furnizohes­hin me stofra dhe pëlhura në dyqanet e Zarës. Megjithatë, konstatimi i Weigandit nuk ishte i saktë, sepse për përdorimin e vekut në fillim të shek. XX një dëshmi interesant­e na e ka lënë mësuesi arbënesh, Budimir Peroviçi. Në përshkrimi­n që ka bërë Peroviçi përshkruhe­t një punë shtëpiake për përpunimin e leshit në Arbënesh. Si fëmijë, sipas thënies së tij, ishte me nënën në një shtëpi, në të cilën gratë e martuara dhe vajzat e punonin perin e leshit ( tjerrin me anë të furkave dhe të boshteve. Ai e kishte parë në atë rast edhe vekun ( avlëmendin) me të cilin gratë i punonin gunat e bardha të trasha, të cilat në Arbënesh u thoshin “poste”. Megjithatë, duhet përmendur se punimi me dorë i tjerrit të leshit me ndihmën e furkës e të boshtit dhe mbështjell­a e perit në lëmsh, si edhe thurja e pjesëve të ndryshme të veshjes ( p. sh. e çorapeve, e dorashkave e shalleve, e xhemperëve etj.) ishte e rëndomtë edhe për një kohë të gjatë, sidomos në vitet gjatë Luftës së Dytë Botërore, por për një kohë edhe pas luftës kur ishte vështirë të gjendeshin në dyqanet e Zarës artikujt e nevojshëm të veshjes.

DON MIJO ÇURKOVIÇI

Më gjerësisht për veshjen e arbëneshëv­e të Zarës ka shkruar i biri i këtij vendi, Don Mijo Çurkoviçi, në veprën e tij “Historia e Arbëneshit të Zarës”, të botuar më 1922, duke pasur parasysh vlerën dokumentar­e të përshkrimi­t të tij, si më poshtë vijon:

“Veshja deri para 50 vjetësh në Arbënesh, ishte sipas qepjes dhe astarit të njëjtë me atë të bregdetasv­e të kotorasve fqinjë. Koparani nga zhguni i murrmë, i stolisur përpara me kinde të purputa dhe me tufëza të kuqe të mëndafshit, jeleku nga stofi i mavitë i qëndisur me mëndafsh të verdhë në nyja dhe mbi krah, me sumbulla të sheshta të argjendit, brekët nga stofi mavi të shtrënguar­a në bel me shokën nga kinda ‘ bavela’ ose ‘ marinoshi’ i kuq, kapela e kuqe e purpurt, parmaku i rëndomtë. Autoritete­t ( personat e kamur) do ta bartin veshjen me qepje të njëjtë, por nga mëndafshi i butë fin, kurse në vend të parmakut, mbanin këpucë; gjatë verës, në vend të stofit, do t’i mbanin rrobat nga liri i mavitë.

Bota femërore edhe ajo vishej sipas qytetit. Shamia e bardhë në kokë, kurse vajzat nën shamikapel­ën ngjyrë purpuri, të kapur me gjilpëra ( filketa) në bistakët e përparmë, kaparanin nga stofi mavi ose nga mëndafshi me ngjyrë të njëjtë në ije pak i zgjeruar, në skaje i qëndisur me mëndafsh dhe i qepur me rruaza luspe, cullufet me ngjyra të ndryshme, fustanin mavi, parëset me cohë të ndryshme, brezi nga përbërja shumëngjyr­ëshe, te gratë e martuara brekët ( mbathjet) e kuqe, kurse te vajzat çorapet, pastaj shputat ( mestet), e këpucët e zeza ose të kuqe.

Zhvillimi po i zhduk të gjitha pak nga pak, prandaj sot vetëm tek bujqit ( fshatarët) në shumë pak vende ka fare pak qepje të vjetra dhe stofra të prodhimit vendor. Sot s’ka më “saketina”, “gjileta”, “kolbuke” ose “berutime”, këpucë etj. Tek gratë: bluzat, kalçetat, portoliqet. Vajzat shumica pa shami në kokë dhe i ruajt zoti, të mos jenë edhe pa mend”.

Me trishtim dhe me brengë, Don Çukoviçi e përcillte atë që po ndodhte me veshjen pas ardhjes së italianëve, prandaj konstaton: “Shumë vajza vishen si në qytet e ndonjëra vesh edhe fustan e brekë të tejdukshme dhe i mban të lakuriqta supet dhe kraharorin sipas shembullit të disa zaraseve të çmendura. Qofshin ato të parat dhe të fundit në qytet!”.

* Studiuese

 ??  ?? Skicat e kostumeve
Skicat e kostumeve
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania